Jetë të shkatërruara

Jetë të shkatërruara
Thuhet se historia shërben që të mos përsërisim gabimet që paraardhësit tanë bënë në të kaluarën. Ky mendim nuk është edhe aq naiv. Fatkeqësisht, jetojmë shumë ngjarje që na tregojnë se çdo brez është protagonist dhe jeton historinë e tij duke përsëritur (ose jo), të njëjtat gabime apo gjëra të ngjashme me to.
Një nga mësimet kryesore që nxjerrim nga një konflikt civil është të kuptojmë se deri në ç’pikë mund të jetë e dhimbshme që në një shoqëri të mos bashkëjetojnë dot ideologji dhe mënyra të ndryshme të këndvështrimit të jetës.

Në këtë kuptim, tragjedia e Luftës Civile Spanjolle (1936-1939) ka ngjashmëri të trishtuar me konfliktin që përjetoi Shqipëria që me pushtimin italian, me luftën civile dhe më pas me ardhjen në pushtet të komunistëve. Për një spanjoll, pavarësisht largësisë, është sikur lexon fragmente praktikisht identike, gati-gati të kopjuara. Dhe në këtë pikë, një nga figurat më interesante të periudhës së pasluftës shqiptare është ajo e Musine Kokalarit (1917-1983). Drama e Kokalarit është veçanërisht e dhimbshme, duke qënë se kjo  figurë intelektuale nuk tentoi kurrë t’i impononte askujt me forcë idetë e saj, megjithatë u dënua nga regjimi me izolimin më të rëndë në burg dhe me margjinalizim.  Kokalari përfaqëson figurën më të denjë të brezit “europian” të Shqipërisë së dekadave të para të shek. XX. Tepër e formuar dhe e përgatitur, ajo studioi në Romë ku dhe mbrojti gradën me punimin mbi Naim Frashërin. Në të njëjtën kohë ajo njihet edhe si shkrimtarja e parë femër e Shqipërisë bashkëkohore.

Megjithatë, koha në të cilën jetoi, nuk qe në favor të  respektimit dhe të kultivimit të lirisë. Në vitin 1944 komunistët dënuan me vdekje vëllezërit e saj Muntazin dhe Vejsimin. Dy vite më vonë, ajo u arrestua dhe u gjykua. Të vështrosh fotografitë e Kokalarit të bëra vite përpara se të ndodhte tragjedia si dhe të bëra gjatë procesit gjyqsor, është shumë prekëse. U dënua me 20 vite burg me akuzën “diversante dhe armike e popullit”. Gjatë mbrojtjes së vetes ajo i thuri një apologji kolosale lirisë. “Nuk kam nevojë të jem komuniste për të dashur vendin tim. E dua vendin tim edhe pa qenë komuniste. E dua përparimin e tij. Mburreni se keni fituar luftën dhe tani që jeni fitimtarë doni të hiqni qafe kundërshtarët tuaj. Kam mendime të ndryshme nga tuajat por e dua vendin tim. Po më dënoni për idealet e mia”. Dhe kështu ndodhi. Pasi doli nga burgu, jetoi në varfëri dhe vdiq nga kanceri në vitin 1983. Do ishte një gjë shumë e mirë që ne, lexuesit spanjollë, ndonjë ditë të mund të shijonim përkthimin në spanjisht të ndonjërës prej veprave të saj dhe të mësojmë nga gabimet e së shkuarës, nga jetët e shkatërruara dhe të këputura, që na ka lënë e shkuara.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

SHBA-ja rikthen shitjen e armëve në Arabinë Saudite, përmbyset politika tre-vjeçare e presionit

SHBA-ja rikthen shitjen e armëve në Arabinë Saudite, përmbyset politika tre-vjeçare e presionit