Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se në Samitin e Diasporës se sot ajo shpreh modele vlerash dhe përfaqësi në komunitetet e vendeve ku jetojnë. Gjithashtu, Peleshi theksoi se diaspora nuk është vetëm burim ekonomik, por edhe vlerash.

“Shqiptarët në botë janë sot një shëmbëlltyrë suksesi. Ju nuk jeni më individët që ndihmuat familjet tuaja të mbijetonin, por një burim, faktor dhe partnerë të zhvillimit të vendit. Shqipëria renditet e 30-ta në botë, ndër 172 shtete, sa i përket peshës së remitancave në ekonomi. Por kontributi i diasporës për Shqipërinë nuk janë vetëm miliarda euro që hyjnë në vit si remitanca nga emigracioni, e që për nga kontributi në GDP konkurrojnë e plotësojnë investimet e huaja. Kontributi i diasporës është edhe kapitali njerëzor, profesional, arsimor, kulturor, social e i vlerave që shqiptarët jashtë vendit rrezatojnë dhe sjellin në atdhe, në rrugë e forma të ndryshme. Shqiptarët nuk janë më komunitete emigrantësh që kërkojnë mbështetje, por qytetarë aktivë e të votuar si përfaqësues në jetën parlamentare e qeverisëse, qendrore e lokale, në vendet pritëse. Qindra e mijëra shqiptarë të diasporës së vjetër e të re janë pjesë e elitave kulturore, shkencore, sportive, e madje edhe politike në Europë, Shtetet e Bashkuara, Kanada e në plot vende të tjera. Përfaqësues të tyre na nderojnë edhe në këtë samit. Është detyra jonë, e Kuvendit, e qeverisë, institucioneve, shoqërisë civile e botës akademike, të ndërtojmë sinergji më efikase e të gjejmë rrugë të reja që këtë pasuri ta trupëzojmë më mirë në politikat dhe programet tona të zhvillimit”, tha Peleshi.


Lajmi kryesor:

Diaspora në Tiranë/ Rama: Bëhuni pjesë e rrugës drejt BE, projekt i madh sa amaneti i të parëve! Ju përmbushëm të drejtën e votës (VIDEO)