STAMBOLL - Epoka e Jose Mourinhos te Fenerbahçe përfundoi pas vetëm 16 muajsh (29 gusht), një periudhë e mbushur me pritshmëri, tensione dhe si gjithmonë në rastin e “Special One”, shumë zhurmë. Trajneri portugez u largua nga stoli i gjigantit turk pa asnjë trofe, pas dështimit për ta kualifikuar skuadrën në Ligën e Kampionëve 2025-26.
Gjatë qëndrimit në Stamboll, Mourinho zgjodhi të jetonte në hotelin luksoz “Four Seasons”, duke shmangur një rezidencë private. Por rehati të tilla kanë edhe një çmim të lartë. Sipas medieve turke, trajneri portugez ka akumuluar një faturë prej rreth 36.5 milionë lirash turke, që korrespondon me rreth 747 mijë euro.
Kjo shumë përfshin vetëm akomodimin dhe shërbimet hotelierë, pa llogaritur shpenzime të tjera personale gjatë periudhës së tij në Turqi.
Përveç faturës së hotelit, Fenerbahçe mbetet e detyruar t’i paguajë Mourinhos një kompensim prej 15 milionë eurosh për shkarkimin e parakohshëm, sipas klauzolës së kontratës që kishte nënshkruar në verën e vitit 2024. Ende nuk është bërë e qartë nëse klubi apo vetë Mourinho do të mbulojë shpenzimet e akomodimit luksoz.
Rasti ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, që e kanë përshkruar si një tjetër episod tipik të trajnerit portugez, fillime me entuziazëm, pritshmëri të larta dhe funde të bujshme.
Mourinho u largua nga Turqia pa trofe, por me një trashëgimi financiare të rëndë për klubin dhe një histori tjetër që e shton listën e gjatë të aventurave të tij në futbollin evropian.
Komente







