Jup Kastrati në optikën e
mbesës dhe nipit

Jup Kastrati në optikën e<br />mbesës dhe nipit
E para dhuratë ishte një orë dore, e para për mua, ditën kur mbusha 5 vjeç. Me atë rast mësova se nocioni abstrakt i kohës, që nuk preket, shihet, hahet apo pihet, por që vetëm ndihet dhe pësohet, (kështu m’u tha), ky nocion abstrakt pra, qenka i matshëm.

Gjyshi ma mësoi edhe se si. Dhe përderisa e thoshte ai, ishte pa diskutim shumë e vërtetë. Të kishin kujdes të gjithë ata që më drejtoheshin në vazhdim, sepse do flisnin me një njeri të rritur, që di orën. Që ia ka treguar gjysh Kastrati. Kur një njeri që sfidon skajet e kohës të bën përkufizimin e saj, ti, pasi ke mësuar ta matësh kohën me terma konvencionalë, shtyhesh ta përfytyrosh me të tjerë. Të matësh kohën përtej jetës së një njeriu. Ta shohësh kohën në dimensionet e saj historike. Përtej jetës së një të vdekshmi. Ta matësh me ditë si kjo, kur ai akoma ËSHTË. Edhe të tjerave të këtij lloji që do të pasojnë.

E dyta dhuratë
Një botim i hershëm, i madh, i ilustruar, në italisht, i “Pinnocchios” së Carlo Colodit. Me një goditje të vetme m’u dha një katapultë e imagjinatës ( fantazia ime nuk do të ishte më e njëjta), një ide e vlerës që një libër i vjetër ka (nderimi deri në absurd për librin), dhe fillimi i rrugëtimit në një gjuhë të huaj përmes librave. Asnjë nga këto atribute nuk m’u shqit më. Nuk m’u shqit më kurrë dimensioni libër.

E ai sigurohej rregullisht që libri të mos shndërrohej thjesht në një dekorim mural në sytë e mi që e rrëshqisnin shikimin përditë mbi bibliotekën, apo në ndonjë trill estetik ekzotik. Vidhte kohë nga koha e vet për të hipur në shkallët e rafteve të larta e për të shpluhurosur librat më të duhur, më fantazinxitësit, më të magjishmit. (Nuk kam arritur të harroj më asnjë nga ata libra, sidomos edhe për faktin se më ishte kërkuar një listë e saktë e tyre nga gjyshi që në klasën e katërt, shifër që e di që e ka përmendur me krenari në ditar, se le ta themi.. e kam përgjuar.) Kur mblidhej një numër i konsiderueshëm i librave që më kishte taksur, i vendosnim bashkë stivë mbi tavolinë. Ata mbiquheshin “stiva e librave të palexuar”.

Procedura ishte kjo: një nga një ata transferoheshin në anën tjetër të tavolinës, për të formuar “stivën e librave të lexuar”. E kur kjo e dyta të bëhej më e madhe se e para, ne do të ishim fitimtarë. Çështja ishte, sa fitimtare mund të ishe me atë bibliotekë të pafund? Ku gjithmonë, gjithmonë do të kishte domosdo diçka të palexuar? E sfida jote personale që nuk ndalet me aq, se me kalimin e kohës shtrihet ndaj librave të palexuar jo vetëm thjesht të asaj biblioteke. Bëhet sfidë me librat e palexuar në përgjithësi. Vjen edhe behet uri. E unë them se Ai nuk ia doli thjesht të rrënjoste dashuri për librin, që shpesh është çështje luksi. E transformoi në uri për librin, gjë që konsiston në diçka ekzistenciale, instrument mbijetese.

Gjurma
Prej këtij sfondi të përbashkët, besoj vlen edhe për anëtarët e tjerë të familjes, na është zhvilluar qasja, përkatësia jonë ndaj kulturës. Sikur çdo eveniment që cek kulturën, na cek edhe ne personalisht. Sikur çdo libër i ri në treg ka nevoje për recensionin tonë (të pashkruar a botuar ndonjëherë). Çdo ekspozitë për feed-back-un tonë. Çdo panair libri idenë tonë mbi cilësinë. Çdo cilësi në këto sfera adhurimin tonë të pakompromis. Çdo bjerrje në vlera vajtim. Sikur rivajtonim ikjen e gjyshit, sikur e humbnim sërish e sërish.

Ai i përkiste kulturës aq sa ajo i përkiste atij, e në humbje të saj nuk ka veçse humbje të tij.  I tillw u rrënjos ky dimension mendor ndër ne. Një rol që i kemi atribuuar vetes pa medalje, as dafina. Sa herë që çështje imediate të kulturës që duhen konsumuar e bëjnë të domosdoshëm grumbullimin tonë familjar, ne nuk hezitojmë të rrimë edhe deri në 3 të natës. Vetëm pasi është thënë ç’kishte për t’u thënë në kritike letrare, arti, kinematografie, çështje linguistike, fenomene sociale që ato pasojnë, vetëm atëherë pra mund të ikim e të flemë të qetë. Pa diskutim që ne jemi vetëm derivati. Projeksioni i zbehtë i një rituali të magjishëm që shihnim të kryhej nga zoti dhe zonja Kastrati, e që e morëm siç merret një ves. Një model. Një ide. Nga ato që të ngjiten si vulë ngaherë.

Rizbulimi 
Para disa ditësh gjetëm rastësisht në shtëpi, në prag të botimit të vëllimit të dytë të “Historisë së Albanologjisë”, një aparat shkencor “rezervë”, version i përmirësuar, që përmblidhte materialet mbi të tri vëllimet në tw cilat ishte konceptuar vepra monumentale. Konsistonte në 137 faqe te daktilografuara. Vetëm bibliografi! Vetëm aty u ndriçova mbi faktin që unë akoma jam ne proces tw atij që quhet vetëdijesim se kush është në të vërtetë gjyshi im.

Se fjalët që je mësuar të dëgjosh kudo rrotull mbi faktin sesa e mrekullueshme, e lavdërueshme, e pangjashme është puna e tij, vijnë e bëhen e njëjta muzikë për veshët, e organizmi ynë fiton imunitet e bën rezistencë ndaj këtyre fjalëve, e nuk e detyron më trurin të reflektojë mbi procesin. E bukura është të di që në fund të këtij rrugëtimi mendor rizbulimi, introspektiv e retrospektiv, do të dal gjithsesi në përfundimet ‘klishe’ që më parë nuk i duroja: sesa e mrekullueshme, e lavdërueshme, e pangjashme ishte puna e tij!

Shkrimi u publikua sot (20.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan