Jup Kazazi,lëvizjet në veri për t'u
ngritur kundër komunizimit

Jup Kazazi,lëvizjet në veri për t'u<br />ngritur kundër komunizimit
 Vijon nga dje/ F. 9 – Telegram tepër urgjent që Zoi Themeli i dërgon Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, në datën 17.09.1946, ku thotë: “Mbramë në ora dy mbas mesit të natës u zbulue në seksion se ku ndodhet Jup Kazazi. Në rrethimin që i bëmë shtëpisë dhe mbasi e pa se neve gjetëm bodrumin ku ishte mëshefur dhe s’kishte shpëtim, vrau vehten. Këtu popullarizohet se e vramë neve”. Në Ministri kanë nënvizuar “se e vramë neve” me shënimin “mirë”. Edhe në këtë rast me mashtrim.

F. 10 – Telegram tepër urgjent Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit prej Fadil Kapisyzit për shefin e Seksionit M. P., në dt. 06.06.1946. Aty shkruhet për informatë se “Mark-gjoni Marku është nisur (në datën 3.6.46) për në Dibër ... Me Markun në Dibër ka shkuarë dhe Jup Kazazi”.

F. 11 – Drejtorisë M. P. prej Zoji Themelit, më 13.06.1945: “Sot në mëngjes forcat t’ona që ishin dërgue për të rrethue Jup Kazazin sa shkojnë në vendin e caktuar përpiqen rrugës me Jupin. U zu i gjallë i vëllaj i Jupit Hamidi ndërsa Jupi dhe nji tjetër mundën të shpëtojnë. Është plagosë një nga ata por s’dihet se kush Jupi ose shoku tjetër. Gjurmimet vazhdojnë”.

Këtu Zoi Themeli gënjen Ministrinë e tij. Nëfakt 5 vëllazërit ishin ndarë: Haliti e Saiti dhe Jupi, Zeneli e Hamidi, pse ishte shumë e rrezikshme lëvizja në grup. Tre vëllezërit i patën zbuluar e rrethuar në një shpellë në Sumë. U zgjua i pari Jupi në orën 4 në mëngjez e sheh kapelet e ushtarakëve. Zgjon vëllezërit dhe menjëherë, pa pas dalë mirë drita, sulmojnë ata duke i zënë të papërgatitur e duke shtënë zbresin nëpër grykën e përroit dhe çajnë rrethimin e trefishtë.

Prej gjuajtjeve të tyre qe plagosur Zeneli me dy plumba. Pas pak orësh ata u ndanë dhe më vonë zbuluan Hamidin, i cili pasi e rrethuan, s’kishte pse të mos dorëzohej. Mbas tri ditësh zbuluan edhe Zenelin, që vëllezërit e kishin mjekuar dhe fshehur. Ai me revole në kokë iu pati thënë se vriste vehten në qoftë se nuk e linin aty, për ta marrë një ditë tjetër, përndryshe me siguri do t’i kapnin të tre.

F. 102 – Shtabi i Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, komisari politik nënkolonel Lefter Kasneci e komandanti nënkolonel Gjeli Argjiri, në dt. 16.06.1945 i çon urgjent Drejtorisë M. P.: “Tash lajmërohemi prej Shkodre se në vazhdim të ndjekjeve të Jup Kazazit u zu edhe i vëllai tjetër Major Zenel Kazazi, kurse Jupi mundi me shpëtue. Vazhdojnë ndjekjet”.

F. 14 – Drejtorisë M. Popullit prej Zoi Themelit, më 29.05.1945, ku thuhet se “nji të arratisun që asht dorzue para disa ditësh” dhe thotë emrin “e kanë lënë të lirë, mbasi mori përsipër të gjurmojë grupin e Jup Kazazit”. (Emrin nuk e jap për trashëgimtarët). Edhe një rast tjetër si ky, që me sa di, u dha rezultat.

F. 15 – Përsëri Drejtorisë M. P. Prej Z. Themelit, më 01/05.1945: “Sot u zu në katundin Bërdicë Halit Kazazi vëllai i Jup Kazazit ish kapiten fashinazist shumë i poshtër. Ky u kap prej forcave të mbrojtjes me ndihmën e popullit”. – Ai ka qenë oficer karriere gjatë pushtimit italian, por jo në atë gjerman. Në fakt Halitin e patën prerë në besë pse mbasi e pranuan ta strehojnë, i dhanë bukë, ra për të fjetur e lajmëruan. Mbasi i zoti i shtëpisë i mori armët, e kapën pa pasur mundësi veprimi. Halitin e patën dënuar me pushkatim.

F. 16 – Për të qeshur e për të qarë, pse tregon që nga frika, forcat e mbrojtjes vriten me njëri-tjetrin. Në dt. 03.05.1945, Zoi Themeli Drejtorisë së Ministrisë së Mbrojtjes: “...për Jup Kazazin u rrethua pylli dhe katundi por nuk u gjet kurgja. Në kohën kur forcat tona bënin rrethimin në mosmarrveshje u përpoqën me njëri tjetrin dhe filluan luftën nërmjet tyre e gjatë kësaj kohe u vra nji partizan”.
F. 17 e 18 – Po prej Z. Themelit, Drejtorisë së tij, datë 01.05.1945 dhe pa datë: “informazione se Jup Kazazi ndodhet në pyll të Maranait në Postribë” dhe se “Jup Kazazi qëndron në malsi të Shkodrës dhe mundësisht në Postribë”.

F. 19 – 9/II/1946. “Cen Elezi banues në Dibër. Ky strehon dhe ndihmon për strehimin e t’arratisurve Fiqri Dines dhe Hysni Demës. Ju jep t’arratisurve në fjalë drejtimet me kalu prej një vendi në një vend tjetrë dhe se këta qenkan në lidhje me Gjon Marka Gjonin dhe me Jup Kazazin”.

F. 33, 58, 69, 125 – Letra të Llesh Marashit – bashkëpunimi e veprimi së bashku me Jupin.

F. 36, 36-1, 37, 37-1 – dt. 25.07.1944. Letra Jup Kazazit në anglisht e përkthim shqip prej Misionit Ushtarak të Aleatëve në Shqipërinë veriore e fillon me “I dashtuni Z. Kazazi” e mbaron me “të fala të përzemërta. Juaji i sinqertë Major R.A.F. Neel”. Përsëri në f. 39, 39-1, dt. 16.12.1943 letër në italisht në emër të Neel prej përkthyesit të tij. F. 106-1 provë tjetër e bashkëpunimit të Jupit me majorin Neel.

F. 34 – Letër e Kol Bib Mirakajt prej Iballet, Pukë me dt. 28.07.1944 drejtuar Jipit e Shevqet Mukës, ku i përgëzon që “kanë shkue në Punë n’emën të Lidhjes”. Ai shpreh keqardhjen që “disa nuk po afrohen simbas merrveshtjes dhe se ai asht për bashkim të përgjithshëm e jo vetëm të kësaj krahine”.

F. 44 – Letër e Mid’hat Frashërit drejtuar Jupit, me 03.11.1944: “I dashur Zoti Jup Kazazi. Me qenë se do të rrini në Malsinat e Shkodrës, ju lutem të keni kujdes të hyni në korespondencë me krenat e fuqive nacionaliste që gjinden në Vlorë e Shijak (e Durrës) ... Këta janë burra që kanë dhënë prova të gjalla për ndjenjat e tyre nacionaliste dhe të cilët mund të paraqiten si grumbull përpara fuqive aleate, kur të zbarkojnë në Shqipëri. Ju urojmë punë të mbarë dhe të vlefshëme për Shqipërinë dhe sukses. – Të fala – Kryetari – Midhat Frashëri”.

F. 47 – Jup Kazazi – raport i Sigurimit kur ai ishte në mal: “Ka njollosjet e zakonëshme e epitetet që ju venin kundërshtarve dhe shpifin, se me krenë të tjerë pregatit terrenin për ardhjen e fashizmit italian merr pjesë e formon Ballin Kombëtar ... Ka lidhje me Lumo Skëndon, Isuf Luzin etj. Del në mal gjoja me luftue fashizmin në lidhje me Dom Zef Shestanin, Zef Palin, Zef Logorecin etj. e bajnë propagandë kundra lëvizjes. Ka marrë pjesë në Lidhjen e Shkodrës, ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet në shtëpinë e Gjon Marka Gjonit. Ka pasë lidhje me Hasan Isufin, Llesh Marashin etj. për të pregatitë kryengritje të reja kundra pushtetit”.

f. 66 – Në një letër që i shkruan Enver Bushati më 17.10.1944 ku edhe e njofton se grupi anglez është kthyer me nëndetëse në Itali, Jupi ka shënuar: “Lajmëron edhe nisjen e Misjonit Ushtarak Anglez që u largue prej Shqipnijet, mbasi nuk e dinte se e kam përcjellë unë:.

f. 67 – Letër pa datë që i shkruan i vëllai Saiti, ku thuhet se “po ju nisë 5 arkë me fishekë”. Për pushkët thotë se beson t’i tërheqin e “me t’i marrë po i nisë”. Në këtë letër del se i paguajnë e nuk i marrin gratis.

F. 127 – Seksionit S. Sh. Shkodër, dt. 6.08.1946: “Informohemi se Jup Kazazi asht ulë nga Dukagjini e asht takue me nji fshatar nga Dragoçi dhe prej këndej asht nisë për Vorfë ku dyshohet se ka shkue nër kto tri shpija, Qerim Baculit, mem Sadrija, Çek Selmani...”.

F. 128 – Informacion Sek. II, me dt. 20.04.46: “Jup Kazazi tue ardhë prej Sumet ka shkue në shtëpinë e Ram Metës, asht takue dhe e kanë përcjellë për në katundin Zhup e dyshohet se ka shkue në shtëpinë e Sadik Zyberit deri në mbramjen e 22-shit e nuk dihet çfarë drejtimi ka marrë. Me 20/04/46 në shtëpinë e halil Hysejnit në Bardhej janë ba lëvizje të shpeshta ku dyshohet se asht ba nji mbledhje. Me 22/04 po ky person asht takue me Tahir Metin nga Mesi, ky person ka pasë lidhje direkt me Jupin dhe kështu dyshohet mos kanë dijeni për lëvizjet e Jupit”.

F. 130 – Shkruar me dorë e pa datë tre informacione: “Jup Kazazi simbas informatavet të sigurta prej tashti gjindet në Sumë dhe rrin në Likaj. – njerzit që mbajnë lidhje me Jupin janë: 1. Zyber Cafi, Kala 2. Dul Osja dhe i biri Muho Dyli nga Myselimi. – Jupi gjindet vet i treti tashti janë: Nexhat Boriçi dhe një farë Abaz.

F. 129 – Dy letra të shkurtra pa datë me nënshkrimin Myzafer, që ka mundësi të jenë të Myzafer Pipës. Hollësira bashkëpunimi nuk di. Myzaferi në ditën që e arrestuan, mbasi pati folur në gjyq si avokat në mbrojtje të priftërinjve, u kthye në shtëpinë ku banonte, te familja Gargjola, e iu tha se do ta arrestojnë e po dilte në mal të bashkohej me Jup Kazazin, por nuk arriti, mbasi Elez Mesi me forva i kishte rrethuar shtëpinë dhe e arrestoi.

Raporti informativ i Mihallaq Ziçishtit komandant i qarkut Mbrojtja e Popullit – Ministria e Brendshme thotë: “...kokat udhëheqëse të kriminelavet që u vranë ose u kapën si Jup Kazazi, Seit Kazazi, Pashuk Biba, Bajraktari i Shoshit, Murat haxhija, Osman Haxhija (udhëheqësit e Postribës):.

Po të analizohen dokumentet e arkivave, del se Jup Kazazi ka lëvizur në të gjithë veriun. Ai përveç Postribës e zonave rreth Shkodrës, ka pasur lidhje e ka shkuar në Malësinë e Madhe, Dukagjin, Pukë, Mirditë, Dibër, nën Shkodër e Lezhës. Nuk del të ketë shkuar në Mat, por ka pasur lidhje dhe Mati ishte një prej krahinave që do të sulmonin Tiranën në ditën e kryengritjes. Janë dokumente me data, të dhëna e takimeme krerët e luftës kundër komunizmit. Pra nuk ishin lëvizje për t’u fshehur, por për të përgatitur kryengritjen e përpiqej t’i bashkonte të gjithë. Lëvizjet, aktiviteti dhe dokumentet provojnë qartë përpjekjen për kryengritje të përgjithshme.
Gjithashtu me shumë lëvizje dalin edhe Gjonmarkajt.

Letra e Mid’hat Frashërit, para se të iknin, provon se ai i kishte rekomanduar lidhje në Vlorë edhe në Durrës e Shijak. Nëpërmjet Abas Ermenjit kanë qenë krijuar lidhjet në Skrapar e Vlorë e kjo provohet prej letrës së F. Dines të përmendur më lart e mua ma ka thënë vetë prof. Ermenji. Gjithashtu ka pasur lidhje e bashkëpunim edhe me Gjonmarkajt, Mirakajt e Dinejt.

Priftërinjtë, sikurse edhe deputetët nuk kanë pasur të bënin absolutisht me kryengritjen. Ata vetëm po flisnin ndonjë fjalë kundër të pafeve dhe është e vërtetë se disa prej tyre që Jupi i kishte miq, kanë diskutuar edhe për krijimin e një partie kristiane, si të veprohej e Jupin do ta kishin aleat e bashkëpunëtor. Ai ishte shumë i kënaqur të kishte një parti të tillë aleate. Udhëzimet e Vatikanit ishin që kisha të mos përzihej në politikë, por disa priftërinj ishin dakord që të aktivizonin persona të aftë e me influencë dhe të vepronin në mënyrë paqësore. Edhe kjo mbetej për më vonë kur të gjykohej momenti i përshtatshëm. Kjo është një e vërtetë që më duket se nuk dihet.

Jupi ka pasur miqësi të vërtetë me disa prej priftërinjve që edhe e kanë ndihmuar të strehohej në kohën e pushtimit italian, gjerman dhe për më tepër gjatë terroritkomunist, por indirekt, kur ishte shumë e rrezikshme. Për këtë jam i sigurt pse e di prej Zenelit e Hamidit për bisedimet e kontaktet që ka pasur Jupi me ta.

Të dy vëllezërit kanë ndenjur edhe me disa priftërinj në burg. Komunizmi, pra komitetet e partisë e Sigurimi me udhëzime prej lart, pra prej diktatorit, vendosi të eliminojë klerin, kështu që arrestuan shumicën e dënuan elitën e tyre me vdekje. Arritën të fusin deri armët pas altarit. Fadil Paçrami nxjerr edhe priftërinj si luftëtarë të kryengritjes, por këto qenë akuza false për të dënuar me vdekje shumprej tyre, sikurse edhe deputetët.

Mjafton të lexohet libri i tij “Dështime e komplote” dhe artikujt në gazetë të nesërmen e gjyqeve, ku shtrembëronte çka thuhej, për të justifikuar dënimet me vdekje si kriminelë të sa e sa personaliteteve e patriotëve.

Fillimi i kryengritjes ishte organizuar mjaft mirë. Ishte planifikuar e vendosur të sulmohej Shkodra më 21 janar 1946 në mbledhjen e 80 krerëve në Vukatanë nën kryesinë e Jupit, por sulmi i një kolone ushtarake në Beltojë para kohe prej hasan isufit, bëri të organizohen e të përforcojnë mbrojtjen e Shkodrës.

Akti qe para kohe dhe i vetmuar. Menjëherë filloi terrori  dhe morën vesh për kryengritjen. Ky qe dështimi i parë.
Në librin studim të Uran Butkës “Kryengritjet e para Kundërkomuniste” shkruhet për përgatitjen që në janar 1946 se “...qyteti do të ngrihej nga brenda, por do të mësyhej menjëherë edhe nga jashtë prej kryengritësve të katundeve e krahinave përreth” (në fakt ishte më përpara nga jashtë e pastaj menjëherë qyteti): Postriba, Ana e Malit, Guri i Zi, Oblika, Beltoja, Rranzat, Ragami, Sheldija, Dukagjini etj.

Për organizimin e saj me nismën e Jup Kazazit, u mblodhën në Vukatanë përfaqësuesit e këtyre katundeve e krahinave dhe vendosën që në datën 21 janar të sulmonin Shkodrën. Shtoj se mbledhja në Vukatanë pati 80 përfaqësues. Kolë Ashiku, komandant i 9 katundeve deponon: “...më erdhi një letër nga Jup Kazazi dhe Hasan Isufi. Ata më shkruanin se kishin krijuar lidhje me Mark Gjon Markun, i cili kishte komunikuar edhe me të tjerët për të pregatitur kryengritjen.

Mati, Dibra, Lura e Luma ishin caktue me sulmue Tiranën, ndërsa prej urës së Mbretit e përpjetë do të mësyhej Shkodra. Hasani më shkruante se ai vetë do të mësynte nga ana e Bahçallëkut, Halit Kazazi nga Tepja, Jupi me Pashukun nga Ura e mesit, mua më caktuan si objektiv dhe prefekturën. Por do të ngrihej edhe qyteti...”. Dokumenti është i vërtetë, pse nuk ishte rasti që të mblidhnin akuza për dënimin e Jupit, Mark Gjon Markut, Hasan Isufit, Halit Kazazit etj.

Dalin bashkëveprime e kontakte me njerëz me shumë influencë e që sillnin numër të konsideruar luftëtarësh, si Sulçe Beg Bushati, mik i ngushtë i familjes e me lidhje familjare dhe miku tjetër Xhemal Beg Mlika në Lezhë, Kol Ashiku, Ded Shabani etj. Lezha kishte rolin e vet në marrjen e Shkodrës. Del se Jupi ka ndenjur më shumë në Postribë, ku ka pasur shumë miq.
Me shumë rëndësi e për t’u studiuar janë edhe dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror e sidomos raportet që sekretari i Komitetit të Qarkut PKSH të Shkodrës Spiro Pano e Bilal Parruca i çojnë Komitetit Qendror, Koçi Xoxes etj., e anasjelltas, që kam arritur të gjej unë. Aty dalin edhe udhëzimet e veprimet për diskriminimin në opinion të klerit e sidomos të dënuarve me vdekje, të deputetëve Kol Prela etj., e deri për sabotimin e varrimit të Ipeshkvit.

Dokumentet janë në AQSH-APSTR, Fondi 14, viti 1946.
1) Dosja 50, f. 72/1, nr. 503/1 – 13.09.1946.

Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën: Komitetit Qendror të PKSH Tiranë
“Në vijim të shkresës s’onë Nr. 503, dt. 9.9.1946, ju japim këto njoftime të reja rreth goditjes s’ilegalëve afër kazermave t’ona. Si del sot dhe në bazë të informatave të fundit, numri i atyre që kanë marrë pjesë në aksion nuk ka qenë 50 por gati 300 vetë nga katundet e komuneve Postribë e Gur’ i zi. Udhëheqësi i aksionit del Jup Kazazi dhe rreth tij një pjesë e mirë kulakësh, tipa kapadaijsh, tregtarësh të tatuar, oficerash të Zogut etj. Këta nuk ishin të gjithë të armatosur.

Nga sa njoftohem këtyre situatave u është paraqitur situata e përmbysur këtu, sikur gjoja greku hyri në Shqipëri, anglezi zbarkoi në Durrës e kështu nuk mbetej tjetër veçse të hynin në Shkodër ... ditët e fundit informohemi se të tilla aksjone do të bëhen gjoja në Lesh, Koplik e gjekët ... Ne tashti kemi marrë masat e para dhe goditjet tona vazhdojnë si në qytet si në fshat; njëkohësisht vazhdon demaskimi i kriminelit Jup Kazazi dhe dëmi që ju erdhi fshatarëve nga ky aventurjer. Është mirë që operacioni i rreptë kundra krerëve e bajraktarëve të Dukagjinit (e miqëve të tyre) të fillojë sa më parë e të paralizohet Shllaku i cili përbën një krah për Postribën.

Njëkohësisht vazhdojnë masat në qytet e periferi duke patur kujdes që të goditen pronarët, tragtarët e tatuar, ish oficerat e Zogut se sa masa e varfër. Bazat t’ona janë të dobëta këtu, fshatarët e mesëm dhe pasanikë janë të lidhur me Jupin dhe këta kanë me vehte dhe fshatarë të varfër injorantë e të lëkundur ... P. Komitetin Qarkor të Partisë (Spiro Pano).
2) Dosja 62/1, f. 70, nr. 10/12 Res. 3/10/46

Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën: Komitetit Qendror të P.K.Sh. Tiranë

I. Raksioni dhe ne. – Nga Proçesi që zhvillohet, sot del se reaksioni është përpjekur për një organizim më të mirë dhe për njëveprim më të gjerë se ai i 9 shtatorit. Si duket, ilegalët, në kombinim me miqtë e tyre nëpër qendrat, mateshin të bënin aksione të kombinuar në Shkodër, Lesh, Koplik e Shën Pal pas 15 shtatorit duke vazhduar njëkohësisht veprimtarinë e tyre në Dukagjin. Mobilizimi shpejtoi veprimin e Postribës dhe masat e marruna nga ne, pas këtij veprimi, i çrregulluan planet e tyre.

Tashti del se reaksioni (koka e të cilit në qarkun tonë është kleri dhe prapa tij Int. Servis-i) ka marrë lidhje me elementin parì të së kaluarës, me njerëz me influencë, të prekur nga reformat, pronarë, bajraktarë, kapadainj, ish oficera të Zogut etj. dhe nëpërmjet këtyreve është munduar të ngrejë fshatarët e mesëm e të varfër akoma kundër nesh. Duke hedhur parullën se situata po përmbyset, ky Pushtet i ka ditët të shkurtra, Englezët po zbarkojnë, Grekët sulmuan në Jug etj. Ky element parì mundi të gënjejë fshatarët e Postribës e të Gurit të Zi e t’i hedhin kundra nesh. Përveç kësaj demagogjije, reaksioni ka përfituar dhe nga influenca që ushtrojnë Kazazët me shokë në fshatrat e Shkodrës po ashtu dhe nga mungesa e një pune tonë serioze në këto fshatra...

Kleri. – Punon në heshtje dhe në mënyrë shumë konspirative ... Ne kemi filluar një demaskim sistematik kundra gjithë atyre klerikëve që duan ta bëjnë kishën vatrë reaksioni (në bazë të udhëzimeve që patëm nga lartë), që hedhin parulla kundra nesh dhe që mundohen ta ftohin fshatarin t’onë nga pushteti. Bashkë me demaskimin kemi marrë edhe masa ... dhe  mendojmë të godasim akoma ata priftërinj ose klerik që nuk heshtin.

Organizata u udhëzua në lidhje me demaskimin e gjithë atyre klerikëve katolik e musulman (mbasi na del se edhe disa hoxhallarë kanë punuar kundra nesh të nxitur nga Kazazi me shokë) që heshin parulla, që flasin kundra pushtetit e që mundohen të na sabotojnë punën.

Qyteti. - ... Goditjet e Mbrojtjes këtu në qytet kanë dhënë gjer diku rezultatet të mira (shumica e të arrestuarve implikohen) po akoma sot nuk kemi arritur të zbulojmë kokën drejtonjëse të këtij organizimi. Proçeset vazhdojnë, merren masa të rrepta, po rezistenca që ndeshim është e madhe. Ka raste që proceset vazhdojnë 4-5 ditë rrjesht (ndoshta edhe më tepër) pa mbritur në një përundim ... Organizata është mobilizuar e tëra në mënyrë që ... të demaskojë përpjekjen e reaksionit, poshtërsinë e këtyre veprimeve (duke i lidhur me situatën e sotme të vendit t’onë dhe me dashurin ndaj Atdheut Popullor) të demaskojë Riza Danin, Kol Prelëm dhe shokët e tyre, të shtojë informacionin dhe të skjaroojë opinionin e popullit për goditjet t’ona, në mënyrë që këto goditje të aprovohen nga vetë masa”.
P. Komitetin Qarkor të Partisë (Spiro Pano).
3) Dosja 62/1, Fl. 77, Nr. 10/14, 2/11/1946

Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën: Komitetit Qendror të Partis K. Shqiptare Tiranë
“... 1. Proçesi i ngjarjeve pas “Postribës”, shfrytëzimi dhe detyrat t’ona. – Ndërsa përpara ngjarjes së Postribës vërehesh një aktivitet i gjerë i reaksionit (aktivitet ilegalësh në Pukë, Dukagjin, Malsi të Lezhës e Koplik-Kelmend, aktivitet klerikësh e bajraktarësh, ...aktivitet kapadainjësh dhe intelektualësh në qytet etj.) vërehet një mpirje e tij dhe një tërheqje. Armiqt u goditën rënd në Dukagjin...
Në qendër, me vrasjen e Jupit, të Seitit, me vrasjen e njërit dhe kapjen e tjetrit të vllezërve Hardalli, me dorzimin e disa të tjerëve (Shefqet Muka, Xhemal Naipit, Musa Gjylbegajt etj), me arrestimin e një pjese të mirë të atyrve që janë implikuar në këtë proçes (Dom Nikoll Deda – prifti i Jubanit, Myzafer Pipa, Paulin Palaj, Pjetër Palaj, Guljelm Suma e të tjerë) vazhdon tashti një pastrim i mirë i gjithë atyrve që kanë lëvizur dhe kanë punuar kundra, përpara ngjarjes së 9 shtatorit. Janë bërë në qark përmbi 270 arrestime, por këto arrestime janë me vend (vetëm fare pak mund të jenë pak fajtor) dhe kjo tregon se Mbrojtja ka ditur të godasi drejtë e organizata ka mundur të informojë gjer diku mirë...”.

P. Komitetin Qarkor të Partisë (Spiro Pano).
Pra duan “të pastrojnë” ata që i dinë kundërshtarë para kryengritjes, siç edhe kanë bërë.
Domethënës është dokumenti: Dosja 50, Fl. 55, Nr. 233, 24/03/1946, ku Spiro Pano i shkruan Koçi Xoxes: “...Mark Gjon Markaj me pas dhjetë të arratisur ka hyrë në mëhallën Nder Shetiroshit ... Ka thënë që Rusija e pat e mbaroji, asht formue me ne Qeverija Shqiptare me të cilën kemi lidhje, Ballistat Zogistat po përgatiten për kryengritje, mbrenda dy ose tre muajve fillon lufta e përgjithëshme. Partija Komuniste nuk ka ma forca me dërgue në Mirditë. Na jemi me Anglo Amerikanët...”.



Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, përurohet vepra e Mid’hat Frashërit. Vëllimi i dhjetë sjell të gjitha përkthimet e bëra prej tij

Dita e Pavarësisë, përurohet vepra e Mid’hat Frashërit. Vëllimi i dhjetë sjell të gjitha përkthimet e bëra prej tij