Ky vëzhgim i yni do të zërë vetëm pak rreshta sepse tema i intereson vetëm kategorisë së gazetarëve. Sot A1Report publikoi përpara mediave të tjera pamjet e operacionit të bërë nga policia e Fushë-Krujës kundër një bande që trafikonte tritol. Merita është e redaksisë sonë që arriti të gjejë pamjet para konkurrentëve, një garë që ndodh çdo ditë në të gjitha redaksitë e botës. Në të gjitha kohërat një gazetar synon të ketë pamje para të tjerëve, por rregullat profesionale mes gazetarëve shqiptarë mesa duket nuk vlejnë dhe kështu tre TV xheloze të skupit ( NEWS24, ABC dhe OraNews) ndërmorën një sulm befasues politik kundër Ministrisë së Brendshme duke e akuzuar për “informacion selektiv”
Një sulm qesharak dhe i padëgjuar më parë në botën e informacionit.
Këtu nuk ka shumë për të shtuar. Në këtë pikë mund të bëjmë vetëm një pyetje: Nëse policia “furnizoi” pamjet në A1Report, kush ia dha dje ABC dokumentin e plotë të policisë përmes të cilit akuzohet deputeti Mark Frroku se ka fshehur në makinën e tij një trafikant droge? Kush ja dha News24 pamjet e atentatorit të babait të Sajmir Tahirit që largohej me biçikletë? Me çfarë parash Armand Shkullaku ka blerë supervilën e tij milionere? Si u financua (dhe nga kush) operacioni për blerjen e News24? Si lindi ABC dhe vetë Oranews? Sa dhjetëra mijë euro para publike merr ne muaj nga OSHEE Ylli Rakipi? Etj. etj.
Ndoshta, pas dekriminalizimit të politikës, ka ardhur momenti i dekriminalizimit të medias.
Shqipëria edhe sot e kësaj dite është vendi në Evropë me praninë më të lartë të mediave në raport me popullsinë: 35 gazeta kombëtare, mbi 100 televizione, 150 radio dhe qindra website, nuk gjejnë asnjë shpjegim logjik në përmasat financiare të këtij tregu. Disa televizione bëjnë investime në përmasa të paimagjinueshme në vende si Italia apo Franca, ndërsa këtu askush nuk habitet. Prej vitesh flitet për domosdoshmërinë për të bërë transparencë mbi origjinën e financimeve në media, problem që prej kohësh shqetëson Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, por që deri tani nuk ka vënë në lëvizje asnje politikan shqiptar.
Ndoshta ka ardhur vërtetë momenti që mes shumë reformave për modernizimin e Shtetit, që qeveria e Edi Ramës ka vendosur të ndërmarrë, të nisë një mbi transparencën në media. Nëse duhet të shërohet shoqëria shqiptare dhe politika shqiptare duke izoluar pjesën kriminale nga ajo e ndershmja , është e domosdoshme të përfshihen në këtë operacion edhe gazeta, televizione dhe faqe web që janë vendimtarë për formimin e opinionit publik.
Dallimi nuk qëndron mes mediave opozitare apo qeveritare, sepse kushdo duhet të jetë i lirë të mbështesë apo kritikojë një qeveri. E rëndësishme është se kush financon vërtetë mediat dhe të zbulohet nëse denoncimet dhe pozicionet që ndërmarrin janë të frymëzuara nga interesa të paligjshme, por për ta kuptuar ka vetëm një mënyrë: shkuarja në origjinë të kapitaleve që i kanë krijuar.(c.b.)