Sekret gjithë kabineti i ministrave deri ditën e hënë, kur publikisht të prezantohet stafi nga çdo ministër respektiv. Interesi i medias për të zbuluar se kush janë emrat e shefave të kabinetit dhe zëdhënësve apo këshilltarëve për media siç do të quhen tashmë, është përballur me një “bllokade”. “Ditën e hënë do të lançohet stafi”, kjo është përgjigjia që është marrë kur ministrat janë pyetur se kush janë emrat e dy posteve jo pak të rëndësishëm në kabinet.
Në zbatim të Kodit të Etikës, ditën e hënë çdo ministër do të publikojë emrat e stafit politik, duke sjellë edhe një risi në përzgjedhjen e zëdhënësve. “Ata nuk do të jenë siç sot janë rëndom zëdhënësat. Ne kemi krijuar një profil tjetër dhe ky profil do të jetë profili i Endri Fugës.
Nuk do të ketë zëdhënës që të lexoj deklarata, do kemi një tjetër profil”, kështu është shprehur një prej ministrave kur u kontaktua nga gazeta “Shqiptarja.com”. Po të njëjtën strategji kanë ndjekur edhe ministrat e LSI, të cilët i janë përgjigjur me heshtje pyetjes se kush do të jetë shefi i kabinetit dhe zëdhënësi.
Deri pasditën e djeshme, ministrat e LSI ende nuk kishin vendosur se kush do të jetë kabineti i tyre. Por mesa duket kjo ishte përgjigjia për të shmbagur gazetarin, pasi ditën e hënë ata do të shkojnë në ministri me një staf. Klejda Gjosha, ministria e Integrimit do ta vendos javës që vjen se kush do të jetë shefi i kabinetit dhe këshilltarja për median në ministrinë që ajo do të drejtoj.
Emrat
Megjithëse ministrat kanë qenë diskret në dhënien e emrave, një pjesë e tyre është zbuluar nga gazeta “Shqiptarja.com”. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ka marrë si zëdhënës (Këshilltar për Median) Renato Kalemin me profesion gazetar. Sipas burimeve tona, si Drejtor për Rininë është vendosur Leart Kola. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani do të emërojë si zëdhënës të ministrisë së tij, Ard Kolën, gazetarin e Ekonomisë në të përditshmen “Shqip”, ndërsa si shef kabineti ka zgjedhur Spiro Brumbullin, ekspert dhe drejtor i një prej bankave private. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka marrë si shef kabineti Bashkim Shehun, i cili ka qenë Shef i Kabinetit të ish ministrit të Brendshëm Neritan Ceka, ndërsa si këshilltare për median mendohet se do të marrë Rovena Moçkën, gazetaren e politikës në Top Channel. Ministër i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ka marrë si zëdhënës gazetarin Dardan Malaj, ndërsa si shef kabineti do të firmos për Koli Bele, me profesion jurist. Mendohet që Gjiknuri të marrë si zëvendësministër ish ministrin e Ekonomisë në kohën e Nanos, Viktor Doda. Gjon Radovani me profesion arkitekt do të emërohet si zëvendësministër në minstrinë që drejtohet nga Eglantina Gjermeni.
Zëdhënësi e kësaj ministrie do të jetë Ervin Peçi, gazetari i Vizion Plusit. Elisa Spiropali do të jetë zëvendëseministre në ministrinë e Jashtme që do të drejtohet nga Ditmir Bushati. Ndërsa për Këshilltare për Median, Elian Zotka. Arbër Mazniku do të jetë zëvendësministër në ministrinë e Arsimit dhe Sportit që do të drejtohet nga Lindita Nikolli. Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Administrimit të Ujërave Edmond Panariti ka marrë si shef kabineti Gerion Ibrahimin, ish- Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, ajo e Integrimit Klajda Gjosha, dhe ai i Mjedisit Lefter Koka ende nuk e ka bërë përzgjedhjen e këtyre dy posteve të rëndësishme. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja do të mbajë si këshilltare me median Alisa Demollari, e cila dhe sot mban postin e zëdhënëses së kësaj ministrie.
Demollari është e vetmja zëdhënëse që i mbijetoi ndryshimeve në ministri. Ndërsa Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka marrë si këshilltar për median Emiliano Aleksin, drejtor i informacionit në LSI-së. Ndërsa si Sekretar të Përgjithshëm të Kuvendit Petrit Serjani, ish prokurorin e Përgjithshëm. Si shef kabineti ka marrë avokatin e tij, Gëzim Veleshnja, ndërsa si Këshilltar për Politikën e Jashtme në Parlament do të jetë Ralf Gjoni.
Kabineti i ministrave
Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj
Këshilltar për median, Renato Kalemi
Drejtor i Rinisë, Leart Kola
Shef Kabineti, ?
Ministër i Financave, Shkëlqim Cani
Shef Kabineti, Spiro Brumbulli
Këshilltar për median, Ard Kola
MInistër i Brendshëm, Saimir Tahiri
Shef Kabineti, Bashkim Shehu
Këshilltar për median, Rovena Moçka
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni
Zëvendësministër, Gjon Radovani (arkitekt)
Këshilltar për median, Ervin Peçi
Ministër i Energjisë dhe Industrisë, Damian GjiknuriShef Kabineti, Koli Bele
Këshilltar për median, Dardan Malaj
Ministër i Jashtëm, Ditmir Bushati (PS)
Këshilltar për median, Elia Zotka
Zëvendës ministër, Elisa Spiropali
Ministër i Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla
Zëvendësministër, Arbër Mazniku
Shef Kabineti , ?
Këshilltar për median, ?
Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti
Shef Kabineti, Gerion Ibrahimi
Këshilltar për median, ?
Kryetar i Kuvendit, Ilir Meta
Shef Kabineti, Gëzim Veleshnja
Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit, Petrit Serjani
Këshilltar për media, Emiliano Aleksi
Këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë, Ralf Gjoni
Ministër i Shëndetësisë, Ilir Beqja
Shef Kabineti, ?
Këshilltar për median konfirmohet, Alisa Demollari
Shkrimi u publikua sot (15.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)