Ky roman nuk mund të quhet se është i realizmit socialist, kur njihen kushtet në të cilat ai u shkrua?
Këtu qëndron edhe paradoksi, sepse romani është i trishtuar dhe tragjik. Krahas kësaj, romani është bazuar mbi ngjarje reale, mbi një teme reale. Madje, edhe në vështrimin emocional, sepse cilido, duke më përfshirë edhe mua, është kundër shteteve të mëdhenj që mund ta thërrmojnë një vend të vogël. Prandaj edhe unë isha kundër Rusisë, e cila ishte një perandori e vërtetë, kurse Shqipëria ndodhej në pozicionin e vasalit. Pra, gjithçka ishte e natyrshme dhe nuk kishte asgjë që të më priste rrugën. Vetëm një gjë më pengonte, se Hoxha nuk ishte i sinqertë në tërë këtë ngjarje. Nga këndvështrimi historik është ai që kishte të drejtë, por për fat të keq, këtë e bëri për veten e tij dhe jo për interesin e këtij vendi të vogël, të Shqipërisë, apo për princip.
Ju keni kërkuar të shfrytëzoni arkivin, që ishte e palejueshme për ata që janë "të vdekshëm"?
Për përplasjen midis rusëve dhe shqiptarëve ishte e ndaluar të shkruhej, por unë shfrytëzova ambicien e Hoxhës. Gjithmonë kam menduar se drejtuesit komunistë u ngjajnë banditëve, të cilët kanë marrë peng disa persona në një bankë, ndërkohë që komunistët kishin marrë peng një popull të tërë. Punën e parë që bën policia për të shpëtuar pengjet është që banditët të mos qëllojnë, por të ulin armët, prandaj atyre u drejtohen me njerëzillëk, sepse janë të detyruar të sillen kështu.
Gjatë kohës që Enver Hoxha, në kohën e diktaturës se vet, ia kishte drejtuar pistoletën në ballë tërë popullit, dhe e kërcënonte, detyra e një intelektuali në rrethana të tilla ishte të bënte gjithçka ishte e mundur për të shmangur masakrat, po në atë mënyrë si mashtron policia banditët, duke pasur parasysh se me të tillë tipa nuk mund të mbash qëndrim human normal. Kur para vetes ke një gjarpër, atij nuk mund t'ia shpjegosh: ti je një krijesë e egër dhe e rrezikshme, por megjithatë, unë kam besim tek ti. Atë ose duhet ta shmangësh, ose ta dërrmosh dhe jo t'i mbash një fjalim parimor. Unë jam shkrimtar, kurse ai është diktator, bandit dhe asgjë tjetër dhe, përveçse ta mashtroj, me të nuk mund të arrij asgjë tjetër.
A nuk ju ka thirrur gruaja e tij në arkiv?
Më ka thirrur gjoja për të marrë dokumentacionin, sepse ishte drejtoreshë e arkivit, kurse në fakt dëshironte që të takoja Hoxhën. Ajo më tha: "Të pres për të pirë kafe dhe për të të treguar dokumentacionin." Qëndrova pak kohë me të, kur ia behu Hoxha. "Mos ju pengoj? A mund të ulem disa çaste me ju?" E kuptova se tërë kjo ishte e përgatitur, kështu që ai ndenji më shumë se dy orë. Ai ishte një aktor i përsosur, me një mirësjellje prej engjëlli, në atë shkallë që, në ato çaste, çdokush do ndihej fajtor nëse më parë mund të kishte menduar keq për të. Madje, nganjëherë të dukej se ai ka pasur mundësi të bëhej i tillë, ashtu siç dëshironte të tregohej. Ai fliste për gjithçka dhe dëshironte të linte përshtypjen e një njeriu të madh, më tepër si filozof sesa si pushtetar. Hoxha ishte me kulturë.
Ai dinte edhe të qante, të bënte edhe gjeste që nuk ishin aspak në frymën komuniste: vishej në mënyrë të shkëlqyer, mbante borsalinë, u puthte dorën grave nëpër pritje e në përgjithësi sillej sipas zakoneve dhe shijes së botës perëndimore. Kjo i entuziazmonte masat, të cilat thoshin se ai nuk ishte si njerëzit e tjerë që vinin nga vendet e Lindjes, me fytyra të ngrysura, të ngrirë e me kasketa. Gjatë kësaj bisede ai nuk i përmendi asnjëherë as partinë, as marksizëm-leninizmin dhe as parullat e zakonshme, me të cilat ishin mbushur plot fjalimet e tij. Kur përmendi Konferencën e Moskës, e bëri me një përbuzje të madhe. Me të njëjtën neveri foli edhe për fjalët cirilike, për ndërhyrjet e udhëheqësve sovjetikë dhe për mënyrën vulgare sesi hanin e pinin. Hoxha foli për atë botë Lindore, si për diçka përgjithmonë të zhdukur.
Papritur filloi të flasë për Gjirokastrën, qytetin në të cilin të dy kishim lindur, madje edhe në të njëjtën lagje. "Kam dëgjuar se ke shkruar një libër për Gjirokastrën; po ta kisha ditur do të të jepja disa shënime që kam mbajtur, të cilat mund të të vlenin. Ato janë kujtime rreth familjeve të vjetra, zakoneve të tyre, martesave dhe varrimeve." Më trembi kur i dëgjova tëra ato sepse ai po ripërsëriste librin tim… Nëse ekzistonte ndonjë këndvështrim mbi botën, me të cilën nuk kishte asnjë lidhje, ishte këndvështrimi komunist, me të cilin ishte afruar fare rastësisht. Ky ishte viti 1971. Atëherë e kam takuar për të parën dhe të fundit herë.
Shkrimi u publikua sot (5.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)