Kadare: Pushkatimi i poetëve,
revanshi, urrejtja fyejnë kujtimin e tyre

Kadare: Pushkatimi i poetëve,<br />revanshi, urrejtja fyejnë kujtimin e tyre
Sa herë që në takime ndërkombëtare shkrimtarësh, ku flitej për terrorin komunist, ka rënë fjala për dy poetët e rinj shqiptarë, Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën, të pushkatuar në verën e vitit 1977, është gjendur gjithmonë dikush që ka kërkuar fjalën për sqarim.

Në të gjitha rastet, duke kërkuar ndjesë për dëgjimin ndoshta gabim, njeriu ka kërkuar të dijë, nëse data e pushkatimit ka qenë vërtet korriku i vitit 1977, apo ka pasur ndonjë keqkuptim përkthimi. Përgjigjja i ka lënë shtang gjithë dëgjuesit. Është e vërtetë se më 1977, askund në botën komuniste nuk pushkatoheshin më poetët, por në Shqipëri kjo ndodhte. disa kilometra larg qytetit të vogël të Librazhdit. Atje pasi i shkuan në plumb, ashtu në pranga siç ishin, i rrokullisën në gropën e hapur, mbi të cilën, pas hedhjes së baltës, nuk vunë as gjurmë as shenjë, në mënyrë që të mos i gjente dot askush.

Dhe pikërisht në Shqipëri, natën e 17 korrikut 1977, dy poetët shqiptarë, të lidhur me pranga, i çuan në një rrah të shkretë të quajtur “Përroi i Firarit”, Ky është epilogu i librit tronditës të Sadik Bejkos me titullin prej balade: “Vilsoni dhe Genci”.
Libri “Vilsoni dhe Genci” i Sadik Bejkos, nuk është një libër që kërkon revansh. Ai kërkon në radhë të parë kujtesë. Dufi i revanshit është i pandarë nga prodhimi i urrejtjes. Mirëpo pikërisht revanshi dhe urrejtja do ta fyenin më së shumti kujtimin e dy poetëve martirë. Ata jetuan për tjetër gjë dhe shpresuan në tjetër gjë. Por në qoftë se urrejtja do ta fyente kujtimin e tyre, kujtesa e munguar do të ishte edhe më e padurueshme.

Ajo do t’i rrëzonte ata për së dyti, madje më egërsisht se ç’i rrëzuan plumbat atje te “Përroi i Firarit”. Ndaj librat si ky, ndaj memoriali i tyre në vendlindje, ndaj memoriali i madh për viktimat e komunizmit, ai që ende po vonon, janë të domosdoshëm e shëlbues për këtë vend. Komunizmi ka rënë në Shqipëri, por jo pluhuri dhe duhma e tij. Vezët e gjarprit janë ende kudo. Ato vazhdojnë të pjellin mashtrim, dhunë psikike e sidomos urrejtje. Ato janë shpërndarë në partitë e majta e të djathta, në të voglat e të mëdhatë. Ato rrinë syçelët pr t’i siguruar mbrojtjen historike diktaturës së rrëzuar. Ato nxitin një kritikë të sipërfaqshme, shpeshherë në nivel vjershurinash e artistësh, për të hequr vëmendjen nga ajo që përbënte thelbin e sistemit: krimin e mirëfilltë.

Provoni të prekni dosjet delikate të tij. Provoni të kërkoni seriozisht dhe jo sa për të larë gojën të fshehtat e ndryra me shtatë palë çelësa nëpër arkiva. Provoni të flisni për famëkeqin “Fond të Partisë”, miliona dollarët e depozituara në banka të huaja prej regjimit komunist, të cilin asnjë nga qeveritë postkomuniste nuk guxon ta kërkojë. Provoni, pra, të prekni tabu të tilla dhe ju do të gjendeni befas nën breshëritë e një sulmi të pandërprerë, të palodhshëm, që vazhdon me muaj, me stinë e disa herë me vite. Vezët e gjarprit, për këtë janë programuar: të përtëritin helmin e tij.

E pavarësisht nga këto, koha e tyre ka kaluar. Në rrugëtimin e tij drejt përparimit dhe Evropës, populli shqiptar, bashkë me dëshmitë e rënda, do të tregojë, në radhë të parë, letrat e tij të fisnikërisë. E midis këtyre letrave dy djem nga Bërzhezhda, dy poetë, dy njerëz që kërkuan të bënin art në kohën që kërkohej egërsi, do të jenë të përhershëm e të paharrueshëm.


24 Shtator 2006
* Parathënia e librit “Vilsoni dhe Genci” për dy poetët e vrarë gjatë diktaturës komuniste 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

SHBA-ja rikthen shitjen e armëve në Arabinë Saudite, përmbyset politika tre-vjeçare e presionit

SHBA-ja rikthen shitjen e armëve në Arabinë Saudite, përmbyset politika tre-vjeçare e presionit