Kadareja i lexuar nga te huajt
lokalja e universalja në veprën e tij

Kadareja i lexuar nga te huajt<br />lokalja e universalja në veprën e tij
Nga Buzuku tek shkrimi i veprave të letërsisë, në retrospektivën e kujtesës, qëndron përpjekja për të dokumentuar dijen për shqiptarët. Rëndesa e kësaj dije autentike, dëshmohet prej Buzukut, pikërisht në Kolofon, cituar në këtë fjali të shkruar prej tij. ‘Gjithë atyne t arbëneshëve gji ta marrënë me e xgjedhunë e me xanë’ Ndërsa Kadare në shekullin e XX-të do të shkruante romanet e Shqipërisë së përjetshme, duke u kthyer pas në historinë e Shqiptarëve. 

Të lexosh Kadarenë si shkrimtar, kupton se temat që ai përzgjedh dhe koha që ai risjell në letërsi, i takon çështjeve të identitetit të shqiptarëve në historinë e tyre. Shqipëria historike do të bëhej cikli i romaneve që e krijuan shkrimtarin . Këto romane nuk janë vetëm letërsi, por një dëshmi e Shqipërisë, një dëshmi për historinë e saj. M. Druan, sekretar i akademisë së Francës dhe A. Plantey, do ta shikonin me këtë vështrim veprën e Shqipërisë së Kadaresë, i cili i ka bërë një shërbim jo vetëm letërsisë botërore por vendit të tij veçanërisht.

Kadare do të mund të projektonte librat e Shqipërisë historike pikërisht në ‘post Age of liberation’. Ai krijon bllokun e romaneve të Shqipërisë, në kohën kur vendi gërryhet nga revolucioni. Ai ndërton tempullin e letërsisë universale dhe bëhet shërbestar dhe murg i saj duke shkruar veprat e Shqipërisë së përjetshme.
 
Ndërsa propaganda krijon histori masive, krijon psikozën kolektive të masave Kadare hedh baza të tjera, pasi me vetëdijen më të lartë ka kuptuar lëvizjen rrethore të kohës, qarkun e saj ciklik. Presioni politik asgjësues është i pafuqishëm përballë gjenisë krijuese të shkrimtarit!

Lokalja dhe universalja në veprën e Kadaresë
Gjithmonë dëshira për ti lexuar shkrimtarët, ka qenë prirja e lexuesve kudo qofshin ata në cepat ndritur apo të harruar të botës, pavarësisht gjuhëve dhe origjinave të tyre. Lexuesi, qoftë ky i zakonshëm apo i specializuar, kur është përballur me vepra të mrekullueshme të letërsisë, ka mbajtur përgjithmonë fuqinë e bukurisë të saj. Bota njerëzore e mbushur me psiqikë, shpirt dhe mendime ka vendosur kështu shkëmbimin e saj me banesën e përhershme të njeriut, planetin.

Gjuha me të cilën është endur njeriu në tekste, mbushur me fjalë, thurur prej shkronjash, shndërrohet në gjuhën e universit ku kufijtë e gjuhëve shemben sikur të mos kenë ekzistuar, e të krijohet bindja se fuqia e krijimit të letërsisë të ketë sfiduar shumë-gjuhësinë e kufizuar. Përmes Letërsisë njeriu e ka shembur kullën e mbylljes së vetvetes në moskuptim. Ai bëhet i përbotshëm, sepse vetmia mbushet me të tjerë, dhe kështu njeriu bëhet universal.

Nga Buzuku tek shkrimi i veprave të letërsisë, në retrospektivën e kujtesës, qëndron përpjekja për të dokumentuar dijen për shqiptarët. Rëndesa e kësaj dije autentike, dëshmohet prej Buzukut, pikërisht në Kolofon, cituar në këtë fjali të shkruar prej tij. ‘Gjithë atyne t arbëneshëve gji ta marrënë me e xgjedhunë e me xanë’ Ndërsa Kadare në shekullin e XX-të do të shkruante romanet e Shqipërisë së përjetshme, duke u kthyer pas në historinë e Shqiptarëve. 

Të lexosh Kadarenë si shkrimtar, kupton se temat që ai përzgjedh dhe koha që ai risjell në letërsi, i takon çështjeve të identitetit të shqiptarëve në historinë e tyre. Shqipëria historike do të bëhej cikli i romaneve që e krijuan shkrimtarin . Këto romane nuk janë vetëm letërsi, por një dëshmi e Shqipërisë, një dëshmi për historinë e saj. M. Druan, sekretar i akademisë së Francës dhe A. Plantey, do ta shikonin me këtë vështrim veprën e Shqipërisë së Kadaresë, i cili i ka bërë një shërbim jo vetëm letërsisë botërore por vendit të tij veçanërisht.

Kadare do të mund të projektonte librat e Shqipërisë historike pikërisht në ‘post Age of liberation’. Ai krijon bllokun e romaneve të Shqipërisë, në kohën kur vendi gërryhet nga revolucioni. Ai ndërton tempullin e letërsisë universale dhe bëhet shërbestar dhe murg i saj duke shkruar veprat e Shqipërisë së përjetshme. 

Ndërsa propaganda krijon histori masive, krijon psikozën kolektive të masave Kadare hedh baza të tjera, pasi me vetëdijen më të lartë ka kuptuar lëvizjen rrethore të kohës, qarkun e saj ciklik. Presioni politik asgjësues është i pafuqishëm përballë gjenisë krijuese të shkrimtarit!

Kadare është një interpretues suprem i psikologjisë dhe fizionomisë së dhunës. Një shqiptar që ka jetuar nën regjimin e Enver Hoxhës, ndoshta të diktatorit komunist më të egër të kohëve tona, dhe ndërkohë ka një vend të nderuar në letërsinë botërore. Si Kafka, Kadare ka dhuratën e të shkruarit të parabolave të një peshe të madhe me tonet më të ndritura. Kështu, Peter Morgan e hap kërkimin e tij në historinë shqiptare nga antikiteti në modernitet në hapësirë dhe thellësi dhe me përpikëri në detaje. Dhe përmes analizave të tij letrare janë sjellë qasjet në gjuhën angleze, prej së cilave lexuesi por edhe Albanologët në përgjithësi do të mësojnë shumë ....

Nëse tek Katedralja e Parisit, Hygoi i gjëmon kambanave të Katedrales për të zgjuar Francën me Kuazimodon, gungaçin e dërmuar nga errësira e një Evrope që bie në mesjetën e frikshme, një greminë kjo e rënies së humanitetit në gijotinën e krimit të asgjësimit të lirisë dhe njerëzve, kur në pik të errësirës Evropa e kombeve përjeton inkuizicionin, në anën tjetër pikërisht në zemër të Ballkanit të shekullit të XX vepra letrare e Kadaresë në tërësinë e saj gjëmon mesjetën e vonë, në stinën e ngrirë të një dimri lindor sa Siberik po aq edhe aziatik, tipik i një rreziku ku qytetërimi i lashtë Ilirik, Bellum Illyricum sacrum , po shuhej në tërësinë e tij, e banorët e hershëm, racat e gadishullit, me gjithë autoktoninë e identitetit dhe territoreve po vendoseshin në bashkësi të reja krejtësisht artificiale, me dhunë! Duket sikur romanet e Kadaresë të kenë fillin brenda vargjeve diku në poezitë e tij, ose sikur një frazë diku në novelë të jetë fillimi i një libri të ri në prozë.

Ai ka botuar ndërkohë poezitë dhe vëllimet e para. “Ëndërrime’, në vitin 1957 dhe ‘Shekulli im’, në vitin 1961. Child Harold, poezia meditative, e përfshirë tek Ëndërrime, kumton zërin e bardit anglez në udhëtimin drejt botës që i paraprin ikjeve prej shoqërive dhe mjediseve të cilat do të kenë trazuar shpirtin dhe mendimin e poetëve, si në një arrati drejt lirisë të shekullit të XX-të.

Ndërsa poezia Koha, përfshirë tek Shekulli im të kthen tek lëvizja e saj ciklike, rrethore. Koha ndalon tek Laookonti, ajo mbart aty brenda edhe poezinë Kështjella e Hamletit në Dnaimarkë, dhe Mundjen e ballkanasve nga Turqit në fushën e Kosovës 1389. Të gjitha këto poezi përfshihen tek ‘ Motive me Diell’, ku edhe poezia Mall, aq e përmendësuar nga brezat që kanë lexuar Kadarenë, shfaqet si një bukuri e krijimit të meditimit të çastit dhe krejt çasteve të përjetuara prej qenies që ka përthithur kaq shumë ndjeshmëri dhe harrim njëkohësisht. 

Në vitin 1979, është botuar dhe përmbledhja e poezive të Kadaresë të cilat ishin botuar në vëllime të ndryshme prej vitit 1957. Ndërkohë Kadare ka botuar romanet, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, (1963), Kronikë në gur, (1971) Dasma dhe Nëntori i një kryeqyteti. Ura me tri harqe, dhe Emblema e dikurshme janë botuar si novela të shkurtra në vëllimin me tregime, ndërkohë që është publikuar eseja, Autobiografi e popullit tim në vargje. 

Pikërisht në këtë përudhë, kur tradita synohej të shembej, Kadare i kthehet asaj. Ai krijon kështu Shqipërinë e përjetshme, me romanet: Kështjella, Pashallëqet e mëdha, Sjellësi i fatkeqësive, Komisioni i festës, Prilli i thyer, Kush e solli Doruntinën, Ura me tre harqe, Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, dhe Pallatin i ëndrrave . Ai krijon Shqipërinë e përjetshme pikërisht në kohën kur vendi gërryhet nga revolucioni. Koha e veprave të Shqipërisë historike ka një qark të sajin, një cikël të një lëvizje rrethore. Në këtë lëvizje rrethore vijnë blloku i veprave të lartpërmendura, të cilat bëhen arkitrau i ngrehinës të projektuar prej shkrimtarit. 

Veprat e Kadaresë kishin pushtuar botën që në fillim të tyre. Që pas kohës së shkrimit dhe publikimit të parë të tyre në gjuhën shqipe. Frëngjishtja dhe më pas Anglishtja dhe Gjermanishtja do të kishin Gjeneralin në vitet 1970- frëngjisht, 1971-anglisht, dhe 1973- gjermanisht.

Kadare më vonë kujton se ‘nuk i jam shmangur dot tundimit për ta përfytyruar veten përballë një auditori kozmik, duke u rekur të jap një raport për njerëzimin dhe rruzullin tokësor.

Shqipëria përmes magjisë së shkrimtarit ka hyrë në historinë e përjetshme, - do të shprehet Henri Amovarox, Akademia Franceze.

Kadare e ka bërë këtë vend të vogël, pikën gjeometrike të gjithë kontradiktave dhe ngjarjeve të shekullit- shkruan,G. Banderier.
‘secili prej nesh është një kopje kohore dhe e vdekshme e arketipit njerëzor. Koha është shëmbëlltyra e përjetësisë. Përjetësia është bota e arketipave.’- do të thosha duke parapëlqyer të citoja Borgesin me këtë rast.

Ndërsa nga burimet e ATSH-së dt 15 Mars 1988, tek radio Zëri i Amerikës, do të shkruante se, Kadare me Kronikën në Gur pëlqehet më shumë se Markezi.
Kadare ëndërron si bashkëvendësit por shkruan për të gjithë, do të përcaktonte Jean Christophe Caselli në Paris. Ndërsa Kadare do të thoshte për veten, është e tmerrshme të jesh shkrimtar i mirënjohur në një vend të vogël! 

Nga Migjeni, Lasgushi dhe Petro Marko tek KADARE - Letrat moderne shqipe dëshmi e një kthese të shumëpritur
“Don Kishoti e ka të pranishëm tragjizmin e brendshëm që na bën ta duam. Secili nga ne, në një mënyrë,pjesërisht është edhe Don Kishot” - Lasgush Poradeci
‘Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit’ - Migjeni

Francine Prose, shkrimtare Amerikane dhe kolumuniste e ‘The New York Times’, Presidente e PEN Qendrës Amerikane, kishte nisur një udhëtim drejt Shqipërisë në pranverën e vitit 2009. Shkrimtarja amerikane e cila e njihte botën shqiptare të letrave prej leximeve të Kadaresë dhe shtypit ndërkombëtar me çështjen e Kosovës që ende trondiste botën intelektuale përtej Atlantikut, u shpreh: ‘Unë e lexoj Shqipërinë si shkrimtare, dhe kështu lexoj edhe mjedisin në të cilin gjej vazhdimisht fantazma, ku në tryezën e darkës janë ulur njëkohësisht xhelatët dhe viktimat e tyre, por në art, në letërsi kjo ulje më trishton, më dhemb! Këtë nuk mundem ta kuptoj.’ 

E solla këtë parantezë të nga kujtesa e një kohe jo të largët, për të ndaluar pikërisht tek ajo që do të më rikthente edhe një herë tek leximi i Migjenit, Lasgushit, Markos, Kadaresë, disa vite më pas. Dikur, kur në shkolla në mësohej letërsia, sigurisht e ideologjizuar. Migjeni dhe Lasgushi të skajuar në mënyra të ndryshme endeshin në kujtesën time, dhe sa herë, në vitet 90 i kthehesha duke shfletuar ‘Veprën Letrare 5, të Mitrush Kutelit, e cila sapo kishte dalë nga shtypi në Dhjetor të viti 1990 nga Shtëpia Botuese ‘Naim Frashëri’. Ndërkohë I.Kadare, në të njëjtën periudhë kishte artikuluar refleksionin e tij si shkrimtar për Lasgushin dhe kishte botuar, ‘Ardhja e Migjenit në letrat Shqipe’.

‘Vallja e Yjeve’, botimi i vitit 1933, një prej 500 kopjeve të botuara në Rumani prej Shoqërisë së shqiptarëve të Bukureshtit, ishin një dhuratë e çmuar e cila mbahej në raftin e librave të familjes. Po ashtu i çmuar ishte edhe një prej 500 kopjeve të para të Migjenit, ‘Vargjet e Lira’, botuar për herë të parë në vitin 1936, kur autori i veprës ishte mësues në Pukë, dhe kishte financuar vetë botimin e librit, pasi kishte bërë të gjitha procedurat përfshi edhe korrektimin e tekstit letrar, pasi Komisioni për shqyrtimin e librave në Ministrinë e Kulturës Popullore kishte dhënë pëlqimin për qarkullimin e vargjeve të Lira të Migjenit. 

Në parathënien për L. Poradecin, në tekstin që Kadare shkruan me rastin e botimit të Lasgushit nga Onufri në vitin 1998, mes të tjerash Kadare shkruan: ‘vajtja e Lasgushit në shtëpinë e tij në Pogradec, në të njëjtën kohë ishte ‘daljeje e tij nga vendi’, ishte dalje jashtë kohës, jashtë sistemit të rëndomtë të të menduarit’ 
Kadare shkruan se: ‘këtij poeti të mallkuar shqiptar i duhet vetëm edhe një hap që të mbërrijë dhe kalojë kufijtë e jetës, që të shkelë në shkretëtirën danteske’ ( Don Kishoti tek Shqiptarët, Ali Aliu)

Në bisedat me të I. Kadare kujton ‘më pas e pyeta se vërtet kishte harruar në ç’regjim jetonim, apo ishte një trill? Ai më vështroi gjithë zemërim: e kisha harruar vërtet’ –tha, ‘poetit i lejohet çdo gjë’. Lasgushi kishte vetëdijen e thellë, dhe njëkohësisht do të sakrifikohej deri në fund në emër të artit, e kështu ai nuk pranoi asnjë kompromis tjetër. Në këtë vetëdije ai kishte bindjen e tij se:’ një poet i cili arrin të shkruajë dhjetë poezi të mira, me të vërtetë është gjeni. Mbase edhe një poezi e vetme, në qoftë se e shënon shekullin, mjafton për një autor’

Ishte koha kur në Shqipëri dënoheshin shkrimtarët , kur librat zhdukeshin nga qarkullimi sikur ti kishte përpirë lubia e një zjarri të përbindshëm, gjuha e së cilës ishte e gjitha helm. Për partinë shtet raca e shkrimtarëve ishte e rrezikshme. Për dështakët dhe të patalentuarit, ndëshkimi i shkrimtarëve ishte një gjellë e preferuar për të kënaqur grykësinë e injorancës duke i siguruar vetes një rrugë ku mund të gjallonin pa hijen e rëndë të së talentuarve. Për xhelozët ishte një mundësi rehabilitimi e egos.

Petro Marko, do të shpallej në vazhdën e reprezaljeve një armik i radhës! Vepra e tij do të dënohej si autori i saj. Ai nuk do të kishte më asnjë libër, emri i tij do të shuhej me vijën e kuqe. Në histori nuk do të kishte vend për të, e aq më tepër në Letërsi!

Marko, i cili mbetet një nga kthesat mëdha të letërsisë shqipe drejt romanit modern, do të dënohej politikisht në Shqipërinë e absurdit! Dikur në periudhën e luftës, në Valenca Petro Marko kishte qenë në të njëjtin takim shkrimtarësh Ndërkombëtarë ku ishte Heminguej dhe Neruda. Por ndryshe prej tyre me kthimin në Shqipëri ai do i takonte ‘brezit të humbur’, duke u ndaluar përfundimisht.

Romanet e tij, Nata e Ustikës, Qyteti i fundit, Hasta la vista, dhe Një emër në katër rrugë, do të dilnin nga qarkullimi. Shkrimtari nuk do të botonte më asnjë vepër letrare, dhe do të dërgohej andej këndej shkollave si arsimtar. Në çdo rast burokratë meskinë do të shënonin sjelljet e tij në kartën e perfomancës, një lloj karakteristike ku të bie në sy zelli për ta denigruar, fyer, shpallur të paaftë, deri sa partia shtet dhe drejtuesit e lartë kërkonin një shnjerëzim të tij deri sa jeta e shkrimtarit modern të letrave shqipe të shndërrohej në një varrosje për së gjalli për shkrimtarin.

‘një shkrimtar kurrë nuk arrin të shkruajë më shumë se pesëdhjetë për qind të veprave që ka ëndërruar ose planifikuar. Unë ende nuk kam shkruar as pesë për qind’- shkruan Marko tek Intervistë me vetveten.

Dallan Shapllo gjatë mbledhjes për Petro Markos do të shprehej, ‘ Qyteti i fundit’ i pari roman modern shqiptar!’ 

Qyteti i fundit, Njëqind vjet vetmi dhe Kronikë në gur
Markez do të niste udhëtimin me nënën në Aracataca në vitin 1952, dhe duke hyrë në botën e një fëmijërie magjike nën hijen e gjyshit, ku elementët magjikë misticizmi dhe realizmi do të sillnin në letërsinë botërore një kryevepër të saj, ‘Njëqind vjet vetmi!

Tema e luftës tashmë e trajtuar nga autorët e shekullit të XX në letërsinë botërore ishte një fushë e cila për autorët shqiptarë mbetej gjithmonë e minuar, së cilës duhej ti afroheshe me kujdes, ashtu si i afrohen demontuesit një zone të rrezikshme. 

‘Qyteti i fundit’ dhe ‘Gjenerali i Ushtrisë së vdekur’, duket sikur të jenë romanet që kanë bërë kthesën e madhe në letërsinë shqipe. Me luftën e dytë botërore në sfond, tashmë të përfunduar, me një kapitullim të Fashizmit, në fillim të shekullit të Lirisë, një grup ushtarësh të gjallë dhe të vdekur presin të kthehen në vendet e tyre. Tek Marko, pritja vendoset në Portin e Durrësit, dhe ushtarët e një ushtrie pushtuese tashmë të humbur janë njëkohësisht as të gjallë e as të vdekur. Tek Kadare, ushtria e vdekur ka mbetur në tokën shqiptare, dhe pritja lidhet me një gjendje të pezullt të gjetjes së eshtrave të tyre, që do të mbyllen në arka druri për tu kthyer me avion. 

Lufta ka viktimat e saj! Ajo është fundi i qenies humane. Humbja e lirisë është e tmerrshme. Dashuria nuk ekziston! Tek të dy romanet mjedisi është tepër i rëndësishëm. Ai i takon një gjeografike të caktuar. Kjo hapësirë gjeografike është Shqipëria, në të cilën vazhdimisht kanë kaluar ushtri të huaja, në të cilën vazhdimisht është luftuar. Në këtë mjedis vendasve u është dashur gjithmonë të rezistojnë dhe të përballen me pasojat e luftës, e cila mbart në kujtesën e saj ngjarje të rënda dhe të hidhura.

Përdhunimet nuk janë të jashtëzakonshme në një luftë, dhunimi i civilëve që përbën krim kundër njerëzimit, është një nga ngjarjet që kanë ndodhur gjithmonë, gjithkund. Ushtritë për ë cilat ata shkruajnë janë përgjithmonë dhunuese të lirisë së popujve në hapësirat territoriale të së cilëve ata mbërrijnë bashkë me krimet e tyre që i bartin si një gjëmë të përhershme. 
Shnjerëzimi i karaktereve të ndërtuara në këto dy vepra letrare është një tregues i përgjithësimeve të parimeve universale mbi të cilat është shkruar letërsia jo vetëm lokale por edhe botërore. Lufta është fundi i gjithçkaje, ajo ka viktimat e saj. Paqja nuk ekziston ndërsa dashuria nuk mund të shpëtojë askënd.

‘Qyteti i fundit’ dhe Gjenerali libra të një periudhe të njëjtë, ( 60-63) duket sikur të jenë kthesë e shumëpritur në letërsinë shqipe dhe veçanërisht për romanin shqiptar. Ndërsa tek Qyteti, fill pas kapitullimit, një ushtri e gjallë largohet nga porti i Durrësit, tek Gjenerali, një ushtri e varrosur pret të gjendet, të mbyllet në arka me nëmura për tu kthyer e vdekur në vendin e vet. 

Duket sikur ‘Qyteti i fundit’ të jetë filli i Gjeneralit në sagën e tërheqjes të një ushtrie pushtuese nga Shqipëria në fillimin e shekullit të Lirisë, të asaj që bota në historinë e saj moderne do të përcaktonte ashtu si e kemi thënë me lart; the age of liberation’.

Përfundime:
Romanet e Shqipërisë së përjetshme letërsi universale nga gjuha shqipe 
Kadare ashtu si e thamë më lart, shkruan brenda disa viteve librat e Shqipërisë së përjetshme. Duke shkruar këto libra të historisë së Shqipërisë së përjetshme, ai vazhdon atë që pa frikë do ta quaja shkolla e nacionalizmit të letërsisë shqipe. 

Ndërsa hebrenjtë pas holokaustit dhe armenët e pas gjenocidit, i kthehen etnisë së tyre duke e përdorur këtë argument historik në rilindjen e etnisë së tyre, me bllokun e romaneve të lartpërmendura Kadare ndërton etninë e Shqipërisë së përjetshme. Kjo etni është boshti i Shqipërisë historike.

Lindja e cila kishte përfshirë nën autoritetin e saj politik gjysmën e Evropës, duke nisur nga muri i Berlinit deri në Moskë, në BRSS, dhe Ballkani me një artificë ku përfshinte etnitë dhe shtetet, duke lënë mënjanë gjysmën e Shqipërisë dhe Greqinë, ishin po aq të rrezikshme sa Perandoria Osmane. 

Me anti-otomanizmin në të vërtetë ai i rikthehet identitetit të etnisë kombëtare në periudhën kur internacionalizmi ishte bërë parimi i bllokut lindor të shteteve ku identiteti tkurrej e rrudhej prej perandorisë komuniste e cila degjeneroi në diktaturë të egër.

Ai heq paralele midis perandorisë otomane dhe perandorisë komuniste. Sipas tij, të dyja perandoritë vijë nga lindja, dhe popujt e lindjes janë vazhdimisht në përballje me rrezikun dhunës, gjenocidit, shpërbërjes, shuarjes. 

Ai sjell frymën kundër asimilimit të identiteteve në periudhën e perandorisë komuniste. Ngjarjet që ai i vendos në historinë e Perandorisë osmane na udhëheqin në kohën e shkrimit të veprave. Ka një dy-kohësi të habitshme. Një të kohës në të cilën vendos ngjarjet dhe një të kohës në të cilën shkruhen veprat.

Këto romane historikë njëkohësisht janë romane të letërsisë botërore. Të përkthyera në shumë gjuhë të botës, këto romane kanë tërhequr vëmendjen e botës letrare të shekullit të XX. 

Kompozicioni i tyre, përshkrimi i mjedisit, alegoria, kodet e fshehta të leximit, kanë bërë që kritika botërore ti qaset Kadaresë, duke zbuluar përmes mjeshtërisë së autorit, dëshmi të historisë qindravjeçare të Evropës së ndarë më dysh, midis lindjes dhe perëndimit prej një kohe të largët, në periudhën e dy perandorive të lindjes, së cilat në rënien e tyre do të sillnin edhe luftërat botërore. Në fakt luftërat kishin nisur pikërisht në këtë rajon përgjithmonë të tronditur.

Shqipëria e mjedisit të Ballkanit modern të shekullit të XX-të me rrënjët në qytetërimin e hershëm Ilirik, është arkeologjia e shtratit arketip, të mbushur me vepra të letërsisë botërore. Gadishulli është bërë përjetuesi dhe dëshmuesi i ngjarjeve universale. Ati i tragjedisë, Eskili ka jetuar këtu së bashku me dramat e humbura. Këtij humbësi të madh vetë Kadare i ka kushtuar një ese si një rrugë për ti kumtuar botës së shekullit të ftohtë rënien e qytetërimit në një verbërim izolues. 

Kadare si pararendësit e tij letrarë, shkruan veprat e Ballkanit modern të perandorive lindore ku nën sundimin e tyre janë shformuar, rrezikuar të shuhen etni dhe kombe dhe popuj. 

Akademia Franceze dhe përfaqësuesit zyrtarë të saj janë shprehur, se Shqipëria përmes magjisë së stilit ka hyrë në historinë e përjetshme. Shqipëria historike është një vlerë e pamohueshme në romanet e Kadaresë. 

Duke kapërcyer rajonin e Ballkanit, duke u bërë pjesë e tërësisë evropiane, duke iu bashkëngjitur letërsisë botërore Kadare padyshim mbetet shkrimtari universal, ku letërsia mbetet atdheu i tij i përhershëm pavarësisht gjuhës dhe origjinave, ku lokalja, e cila e gjendet në themel të veprave të tij si peshë e rëndesës, ka fuqinë ta shndërrojë letërsinë e tij në një letërsi universale, duke mos dëmtuar as njërën as tjetrën. Ekuilibri midis lokales dhe universales duket sikur të jetë shkrirë në lëndën që mban peshën e arkitraut të ngrehinës së totalit në veprën letrare të Kadaresë.

Letërsia që do të krijohej në Evropë, nga Mesdheu në veri të saj dhe nga lindja në perëndim do të mbetej një pasuri e jashtëzakonshme për kulturën e Evropës. Në të gjitha kohët shkrimtarët e Evropës, Homeri, Eskili, Virgjili, Ovidi, Dante, Servantes, Shekspiri, Hygoi, Gëte, Dostojevski, Kafka, Kamy, Kadare, do të mbeten përgjithmonë një pasuri e saj.

Që në fillim, ideja se Kadare kishte projektuar librat e Shqipërisë historike pikërisht në ‘post Age of liberation’, me bllokun e romaneve të Shqipërisë, në kohën kur vendi gërryhet nga revolucioni, u bë çështja dhe teza ime kryesore e këtij studimi. Mendimi se ai ndërtoi tempullin e letërsisë universale duke shkruar veprat e Shqipërisë së përjetshme, më bënte të besoja se ai me vetëdije u shndërrua në një shërbestar apo murg të saj.


Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Peqin/ Përshtatën magazinën për kultivimin e kanabisit, në pranga pronari dhe drejtori i OSHEE

Peqin/ Përshtatën magazinën për kultivimin e kanabisit, në pranga pronari dhe drejtori i OSHEE