Zyrat e Kadastrës në Vlorë janë mbyllur përfundimisht mëngjesin e sotëm. Mbyllja vjen pas urdhrit të transferimit total të strukturës drejt Tiranës, vendim ky që ka hasur kundërshti të madhe nga stafi dhe nga qytetarët.
Pavarësisht kundërshtimeve të forta nga punonjësit dhe qytetarët, vendimi ka hyrë në fuqi. Një pjesë e stafit është zhvendosur sot drejt Tiranës, ndërsa një pjesë tjetër është transferuar në Fier. Sipas burimeve, punonjësit që nuk kanë pranuar asnjërën nga këto dy mundësi do të largohen nga puna.
Ndërkohë, në zyra ndodhen ende disa punonjës, të cilët po përgatisin dosjet e fundit për transferimin drejt Tiranës, duke shënuar kështu mbylljen përfundimtare të një prej institucioneve më të rëndësishme për qytetin e Vlorës.
Kryeministri Edi Rama komentoi ditën e djeshme situatën e tensionuar të krijuar në Kadastrën e Vlorës duke thënë se prej kohësh shërbimi ka qenë primitiv ndërsa tashmë është implikuar ai online përmes platformës e-Albania. Rama shtoi se kjo nuk është e vetja drejtori që do të zhvendoset drejt kryeqytetit.
Vendimi për zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës është firmosur më datë 23 janar nga drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës Lorena Goxhobelli. Për stafin ishte urdhër shpërngulja deri në fund të muajit janar.
Protestave të punonjësve iu bashkua dhe nëndrejtori Sokol Shehaj, i cili gjithashtu firmosi një peticion për rrëzimin e vendimit. Peticioni nuk e ndali shpërnguljen, madje solli dhe shkarkimin e tij nga detyra.
Për transferimin reagoi dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ku sqaroi se riorganizimi i institucioneve në Tiranë ka nisur që prej vitit 2021, fillimisht me transferimin e Durrësit dhe Krujës, për të vazhduar me pas me Shkodrën, Kavajën, Kamëz-Vorë dhe Vlorën.
Komente












