Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka vijuar aksionin prej muajt shtator për evidentimin në terren të banesave në Bashkinë Himarë me probleme që hasin në dokumentacionin e pronësisë.
Për të lehtësuar komunikimin me qytetarët dhe për t’u dhënë mundësinë të ndjekin ecurinë e trajtimit të banesës së tyre, ASHK publikon periodikisht të dhënat e aksionit në Platformën e Konsultimit në Terren, qe gjendet në faqen zyrtare www.ashk.gov.al. Përmes këtij informacioni, banorët e fshatrave të përfshirë në proces mund të njihen me statusin e banesës dhe dokumentet që mund të mungojnë në dosjen e tyre.
Në rastet kur banesa nuk është verifikuar gjatë aksionit, qytetarët mund të kontaktojnë specialistin e ASHK-së pranë njësisë administrative, grupet e terrenit ose të telefonojnë në linjën e gjelbër 0800 88 11, gjatë periudhës së zhvillimit të aksionit në bashkinë përkatëse.
Përmes kësaj nisme, Kadastra synon të forcojë komunikimin e drejtpërdrejtë me banorët, të lehtësojë informimin mbi dokumentacionin e nevojshëm dhe të mbështesë vijimin e procedurave për trajtimin e banesave informale.
Ndërkohë, gjatë vitit 2026, ASHK ka digjitalizuar 4.2 milionë kartela pasurish dhe ka nisur projektin kombëtar për digjitalizimin dhe gjeoreferimin e 38 mijë hartave dhe planshetave fizike. Sipas të dhënave të institucionit, Regjistrimi Fillestar ka arritur në 95.3% të territorit të vendit, duke përmbushur objektivin e përcaktuar në kuadër të procesit të integrimit europian.
Gjithashtu, vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2026 janë emetuar mbi 28 mijë vendime për legalizimet, një shifër që tejkalon të gjithë volumin e regjistruar gjatë vitit 2025.









Komente
Komento