'Kakofoni kompetencash, Pr/ligji për zonat e mbrojtura i zhvesh nga mbrojtja' Shqiptarja.com zbardh debatin e plotë në Komision mes ekspertëve e deputetëve! PS e tërheq për rishikim

'Kakofoni kompetencash, Pr/ligji për zonat e mbrojtura i zhvesh nga mbrojtja' Shqiptarja.com zbardh debatin e plotë në Komision mes ekspertëve e deputetëve! PS e tërheq për rishikim

Tirane- Partia Socialiste pranoi të tërheqë për rishikim draftin aktual për ndryshimin e pr/ligjit për zonat e mbrotjura pas presionit në rritje të organizatave ne mbrojtje të mjedisit, të cilat e shohin nismën një tentativë për t’i shkatërruar këto zona.

Vendimi u njoftua në seancën dëgjimore të komisionit parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese të 7 shkurtit 2024, kur po mbahej dëgjesa me përfaqësues të organizatave mjedisore.

Drafti aktual lejon shfrytëzimin për zhvillimin ekonomik, pra hapje biznesi, të komunitetit që jeton aty. Ndryshe nga qëllimi që ka ligji 2017 për të mbrojtur këto zona, ekspertët dhe përfaqësues të shoqërisë civile mjedisore ngrenë zërin pasi ndryshimet e draftuara në këtë moment nuk i mbrojnë por i zhveshin ato nga mbrojtja. Ato i druhen llojit të aktivitetit ekonomik që nesër mund të kërkohet brenda këtyre zonave, të cilat mund ta cënojnë deri në në atë pikë që nuk mund të kthehemi më mbrapsht

Drafti aktual thonë ata, shkel direktivat e BE-së, po kërkohet të kalohet shpejt dhe ngrenë zërin se nuk duhet të ripërsëritet gabimi i mëparshëm i rizonimit ku më pas u detyrua për shkak të pafuqisë për të kontrolluar territorin e ndryshimeve që kishin ndodhur të linim pjesë të zonave të mbrojtura jashtë.

Ekspertët janë gjithashtu kundër dhënies për menaxhim bashkive të 20% të zonës së mbrojtur, duke e quajtur një 'term abstrakt' në këtë fushë pasi deri tani kanë treguar që nuk kanë kapacitet për ti menaxhuar si duhet.

Pr/ligji i iniciuar nga 12 deputetë socialistë u paraqit në kuvend më 20 nëntor 2023. Kërkesa për amendimet u bë nga bashkitë, me argumentin se u rrit të ardhurat vjelja e tarifave të ndryshme nëpër këto zona.

Ermelinda Mahmutaj, lektore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për metodat e studimit të bimësisë të së drejtës mjedisore dhe drejtore ekzekutive e qendrës Eden flet për një draft jo profesional të shkruar keq, që shkakton kakofoni institucionale. Madje ka tejkalon kompetencat e Këshillit të Ministrave.

Debati i plotë

Shqiptarja.com sjell debatin e plotë dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.

Genti Kromidha nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri: Ndryshimet e propozuara prekin frymën e ligjit për zonat e mbrojtura. Tentojnë të ndryshojnë këtë fokus nga një ligj për ruajtjen e vlerave natyrore në një ligj që lejon zhvillimin duke cënuar këto vlera.

Tre janë cështjet kyçe që prekin frymën e ligjit; Neni 7 që propozon ndryshimin e nenit 9 të ligjit ekzistues që përcakton qëllimet përse krijohen zonat e mbrojtura. Në pr/ligj hiqet pika ç e ligjit ekzistues ku thuhet përjashtimi nga përdorimi dhe zënia me aktivitete intensive njerëzore. Më e rëndësishmja është pika D që thotë se zonat e mbrojtura krijohen për të vlerësuar mundësitë për ndërhyrje për infrastrukturë rrugore, naftës e gazit. Zonat e mbrojtura krijohen për të evituar këto ndërhyrje.

Shqetësim është nenin 9 që kërkon heqjen e nenit 13 për zonimin. Zonimi është instrumenti më i rëndësishëm, për zhvillim të qëndrueshëm të komuniteteve lokale e aktivitete që nuk cënojnë vlerat natyrore. Heqja e këtij koncepti prek tërësisht menaxhimin e zonave të mbrojtura.
Në nenin 6 lejon bashkive të marrin 20% të zonave të mbrojtura në menaxhim. Shumica e bashkive nuk i kanë kapacitetet njerëzore e financiare për ti menaxhuar. Patën dështim në menaxhimin e pyjeve. Prej 2016 bashkitë menaxhojnë pyjet e shumica prej tyre nuk po arrijnë ti menaxhojnë si duhet. Do të ishte gabim tjetër nëse do vijojmë ti japim territore pa i forcuar. 

Ermelinda Mahmutaj: Pr/ligji kemi kundërshtimet në dy parimet e tij, atë të përshtatshmërisë dhe fleksibilitetit. Konceptet nga IUCN (The International Union for Conservation of Nature) përdoren me qëllim për të ruajtur e forcuar kategoritë e zonave të mbrojtura por në pr/ligjin e propozuar nga keqintepretim apo moskuptim të qartë të këtij parimi që propozohet në kundërshtim me këtë funksion.

Një element që donim të theksonim është se pr/ligji i ri ka paqartësi në përcaktimin e kompetencave dhe shpërndarjen e kompetencave për menaxhimin e administrimin e zonave të mbrojtura. Shembull më specifik që mund të marrim është dhe Këshilli i Ministrave. Këshillit të Ministrave i jepin kompetenca të vazhdueshme deri dhe teknike, pavarësisht se është një organ kolegjial shumë i lartë. Duhet të themi ky pr/ligj tejkalon kompetencat e Këshillit të Ministrave. Shpesh herë kompetencat nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Shpesh herë e kundërshtojnë njëra tjetrën në nene të ndryshme. Ndonjëherë kompetencat që jepen me projektligj një institucioni shfuqizojnë kompetencat që janë ende në fuqi në ligjin ekzistues. Edhe nga kjo pikëpamje ligji është prematur. Pra, nuk ka bërë një analizë të mirë institucionale dhe kompetencash në Shqipëri dhe krijon kakofoni institucionale që do ta ketë shumë të vështirë menaxhimin dhe administrimin në formën e propozuar. Nuk dihet kush është kush dhe çfarë bën çfarë.

Sa i takon zonimit dhe 20% të zonave të administruar nga bashkia pr/ligji i propozuar anashkalon plotësisht të drejtat që ka bashkia për menaxhimin e zonave të mbrojtura me ligjin aktual. Nuk është bërë një analizë pse bashkia nuk po gëzon këto të drejta dhe ku qëndron ngërçi. Për shkak të këtyre paqartësive nuk duhet të nxitojmë në krijimin e ligji që themi është premature sa i takon qëllimit

Theksi shpesh në pr/ligj zhvendoset tek përtifimi dhe zhvillimi ekonomik. Një element që nuk i mungon ligjit aktual të zonave të mbrojtura por në pr/ligjin e propozuar theksohet më së shumti aq sa tenton të shfuqizojë komplet zonat e mbrojtura dhe ti zhveshë ato nga roli dhe funksioni e tyre

Llojet dhe objektat e zonave të mbrojtura nuk janë shpikje shqipare por janë të përcaktuara dhe njohura botërisht. Që të tjetërsojmë dhe krijojmë kategorira për Shqipërinë në nxitim e sipër nuk më duket zgjedhje e zgjuar e shkon komplet ndesh me objektivin e zonave të mbrojtura.

 Pavarësisht sa i vakët është paraqitur pr/ligji e sa jo profesional është shkruar dhe gjuha jo teknike që është  përdorur qoftë nga pikëpamja ligjore dhe e fushës së mjedisit është për tu vlerësuar që propozimi thekson fort se nuk synon ndryshimin e qëllimit dhe funksionit të zonave të mbrojtura, por mënyra si është prezantuar ama tregon të kundërtën.

Në këtë fazë bashkitë mund të dobësohen më shumë. Mund të sjellë një kakofoni të panevojshme. Ndoshta propozimi i një draft ligji që mund të rregullohet në forma të tjera jo me adresim ligjor mund të ishte mënyra më e mirë. Ndoshta një tryezë ndërinstuituiconale. Ligji aktual sigurisht ka vend për përmirësim, megjithatë me aprovimin e pr/ligjit aktual jo vetëm që nuk I afrohet por i largohet shumë më shumë direktivave të BE-së e të gjithë do i vendosin në situatë të vështirë zbatimi.

Për këtë pr/ligj ka interes shumë të madh jo vetëm nga shoqëria civile mjedisore por dhe organizata të ndryshme që punojnë në vend dhe biznese e grupe interesi. Do të donim të realizonte dhe një dëgjesë tjetër dhe një dëgjesë publike ku të gjithë aktorët të jenë bashkë në një tryezë ndërveprimi dhe koordinimi.

Arben Pëllumbi: Një gjë e kam merak. Jam takuar me përfaqësues të të gjitha ambasadave përfshirë dhe ato të BE-së. A mund të më tregoni se cilën direktivë të BE-së, në cilin nen apo rresht po e shkelim, se po krijojmë një zhurmë. Na tregoni cila shkon kundër direktivës

Ermelinda Mahmutaj: Shkon, ua themi me bindje

Arben Pëllumbi: Na tregoni në cilin resht shkelet direktiva BE-së. Qëllimi nuk është ndryshimi i thelbit të ligjit për zonat e mbrojtura por të zgjidhim problematikat që na vijnë nga kryetarët e bashkive. Sa i takon direktivave ju lutem duhet të jemi më preciz.

Ermelinda Mahmutaj: Paketa Mjedisore e kapitullit 27 është paketa e dytë pas bujqësisë më teknike dhe e madhe e BE-së. Duhet të dini që janë më shumë se 1 direktivë. Nëse ju na jepni kohë ne ua bëjmë analizën. Nuk janë 2 - 3 pika. Pr/ligji është i propozuar është më shumë se i përgjithshëm dhe nuk ka asnjë gjë të qartë që ne mund ta marrim nen për nen. Sa i takon dëgjesave publike. Platforma juaj njoftime.al 21 nëntor - 21 dhjetor ka pasur probleme teknike.

Arben Pëllumbi: Edhe ne vetë jemi të bindur tashmë që ka nevojë për një rishikim. Unë vetëm nuk jam dakord me 20% për ndarje të territorit. Jam dakord që bashkitë të marrin të ardhura nga zonat e mbrojtura por jo në formën e territorit se besoj se dy entitete që kontrollojnë të njëjtën gjë i prishin punë njëri-tjetrit. Por propozimi që ka ardhur është ky. Po presim mendimin e Këshillit të Ministrave, por kjo nuk është finalja. Mund të themi që nuk është qëllimi të ndryshojmë thelbin e pr/ligjit për zonat e mbrojtura”. Ne bëmë Vjosën park kombëtar por brenda saj duhet të rregullojmë disa mekanizma se ata banorët që jetojnë në Vjosë të mos u nxihet jeta të mos zhvillojnë dot një aktivitet të jetës së tyre të përditshme apo zonave të tjera që po na shpopullohen.

Mihallaq Qirjo, - profesor i asociuar në fakultetin e Shkencave të Natyrës, dhe drejtues i Qendrës Burimore të Mjedisit: Shpejtësia e sjelljes së diskutimit në tavolinë është shqetësim. Disa nga sugjerimet që jepen janë sui generis. 20% e territorit është absurd në menaxhimin e zonave të mbrojtura. Shqetësimi jonë është shpejtësia me të cilin po bëhet dhe nuk na lë mundësi të diskutojmë teknikisht. Elementi I dytë që e bën shoqërinë civile për zonat e mbrojtura ka të bëjë me një proces që ka ndodhur 1 -2 vjet më përpara me zonimin. Edhe atëherë vlerësuam se për nga shpejtësia që ndodhi la disa zona jashtë zonave të mbrojtura dhe ato nuk duhej të ishin lënë. Ne gjykojmë se në atë pjesë të zonave të mbrojtura që ka rëndësi të veçantë do të cënonin integritetin e tyre.

Nuk jam në favor të këtyre ndryshimeve ligjore është se ligji ekzistues i 2017 i jep mundësi reale. Kontributi që ka dhënë niveli vendor për zonat e mbrojtura deri tani lë për të dëshiruar. Kur niveli vendor nuk ka bërë deri tani shkon në kundërshtim me kërkesën e tyre për të administruar më shumë. Ndryshimet që propozohen tani krijojnë një precedent shumë të rrezikshëm për zonat e mbrojtura. Nëse vlerësohet se një zonë e mbrojtur nuk plotëson objektivat që ka mund të ndryshojë kategorizimin, kjo mund të na çojë drejt një rasti hipotetik që nëse nuk realizohen objektivat e konservimit për një zonë të mbrojtur mund të kalojnë një kategori më të ulët që lejon më shumë ndërhyrje në zona të mbrojtura. Duke parë tipin e aktiviteteve që niveli vendor mund të bëjë në këtë 20% që ju jepet gjykoj se deri tani nuk kemi ezauruar aq sa duhet dhe sic duhet llojin e aktiviteteve që pushteti vendor mund të bëjë. Deri tani pushteti vendor ka aktivitete ekonomik që mund të harmonizohet më mirë dhe nuk është shfrytëzuar aq sa duhet. Frika që ekziston tek ne është lloji i aktivitetit ekonomik që nesër mund të kërkohet mund të cënojë integritetin e zonës së mbrojtur, cënon popullatat. Nuk është në eliminimin e aktiviteteve të zonës së mbrojtur. Gjykojmë se ajo çka ligji i vjetër ofronte nuk është shfrytëzuar me eficencë dhe ndoshta mund të krijojë precedentë që të ketë aktivitete që mund të kenë ndikime me të vërtetë negative në mjedis. Nuk po i futem 20% në zonën e mbrojtur se është krejt absurd. Po e marr të mirëqënë se po reflektohet në këtë pjesë. Cdo cënim I zonave të mbrojtura është cënim i vlerave kombëtare

Ne e kemi të vështirë për të dhënë se cilën direktivë shkel sepse nuk është bërë asnjë lloj vlerësimi për habitatet e natyrave 2000. Nëse do të ishte bërë një vlerësim i tillë, kur ti jepej e drejta e administrimit nga pushteti vendorm ne mund ti thonim habitatet që kërcënohen nga një aktivitet prej njësive vendore.

Pr/ligji është shumë I përgjithshëm. Direktiva e habitateve është një nga direktivat që cënohet shumë në këtë rast. Ne në Shqipëri nuk kemi një inventar të natyra 2000 që BE kërkon ta kemi dhe nuk dimë  se në cilët habitate natyra 2000 potenciale ndoshta një bashki do të kërkojë të krijojë aktivitet që nuk lejohen në nivelin e BE-së. Administrimi i zonave të mbrojtura duhet të jetë shumë I kujdesshëm. Gjykoj se po kërkojnë një të drejtë për ta administruar pa pasur përgjegjësinë e obligimeve që i lindin atyre. Kam qenë i përfshirë në vlerësimin e kapitalit natyror gjatë vitit 2023 në Pogradec e Selenicë dhe dy bashkitë e tjera dhe ato nuk kanë kapacitete për të vlerësuar çfarë kapitali natyror kanë aktualisht jo më ta adminstrojnë siç duhet. Nuk duam të biem në kurthin e interesave të vogla për zhvillimeve projektesh brenda zonave të mbrojtura të cilat mund ta cënojnë në atë moment që nuk mund të kthehemi më mbrapsht. Kjo ndodhi në procesin e mëparshëm të rizonimit ku u detyruam për shkak të pafuqisë për të kontrolluar territorin e ndryshimeve që kishin ndodhur të linim pjesë të zonave të mbrojtura jashtë. Kjo mund të jetë precedent për të ardhmen.

Fadil Nasufi: Pa dyshim që ka një keqkuptim publik të iniciuar me fillimin e diskutimit të këtij pr/ligji. Unë bie dakord që drafti ka defekte në teknikën legjislative apo gjuhës profesionale dhe kërkon ekspertizë. Unë jam I hapur me kolegët që të bëjmë reflektimet e duhura sipas rekomandimeve dhe qasjeve që kërkon ligji për të pasur unison me direktivat evropiane dhe IUCN. Nuk duam të sjellim përkeqësim të zbatimit të ligjit të zonave të mbrojtura, por është një ligj që i ka ardhur koha. Ka një logjistikë e qasje të shanseve të rejaqë kanë ardhur për të mos I trajtuar si zona conservative por si zona të hapura për të bërë një amendim të ligjeve që plotësojnë nevojat dhe qëllimet. E thashë që ka nevojë të përpunohet dhe të saktësohen termat. Duhet të themi që ligji nuk është në kundërshtim me parimin e IUCN  dhe nuk cënon objektivin e biodiversitetit. Nuk duam të ulim nivelin e mbrojtjes as të krijojmë hapësira për të krijuar impakte negative në zonat e mbrojtura. Nuk kemi si qëllim të prekim hartën e zonave të mbrojtura. Unë I bashkohem shqetësimit që draft ligji duhet të përpunohet dhe reflektohet ndaj shqetësimeve tuaja dhe nuk jemi të nxituar në draftimin e pr/ligjit. Do të kemi një kalendar tjetër dëgjesash dhe aktorëve të interesuar për këtë pr/ligj. Por duhet të biem dakord që ligji 2017 ka nevojë për amendim dhe të përafrohet me direktivat e BE-së. Do të reflektojmë jo me ngut por jo të mbajmë peng

 

 

( Kliko ketu per te lexuar dokumentin e plote)

 

( Kliko ketu per te lexuar dokumentin e plote)

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Siri: 09/02/2024 08:41

    Po pra,t'a bëjmë gjithë Shqipërinë si Tirana?!..vetëm beton edhe Hane pa fund?!..Po shtoni mbjelljen e pemëve sidomos në Tiranë,Zgjerojeni Kurorën e Gjelbëre sip. E Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, rreth e rrotull,e sidomos edhe aty poshtë Digës së Liqenit Artificial,midis Pishinave e Rr së Kosovarëve!Bëni një Giardino(Lulishte) si ato të Reale Palazzo në Caserta apo Versajës!, që duke dalë shëtitje mbi Digën e Liqenit Artificial të Duket si një Xhevahir e Oaz Bukurie..!

    Përgjigju
  • Iris: 09/02/2024 03:11

    Deputetet qe kane propozuar kete ndryshim ligji jane me ngrohte,me bute e me rehat ne xhepat e oligarkeve e /investitoreve strategjike/, se sa nje kangur i vogel ne xhepin e nenes se tij!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!