VLORE- Kalaja e Kaninës prej majit të vitit të kaluar është në rikonstruksion, i cili përfshin ndërhyrje restauruese dhe konservuese. Aktualisht, ka përfunduar puna në murin rrethues, si dhe janë realizuar ndërhyrje gjeologjike në zonat problematike. Arkeologu dhe menaxheri i projektit, Syrja Lela, ka theksuar se punimet pritet të përfundojë në mesin e muajit qershor.
“Besoj e mbyllim për 3 muaj projektin. Kemi ndërhyrë në muret e kalasë dhe kullën që kishte dëmtime të shumta si dhe në rrugët me kalldrëm”, tha ai.
Gjithashtu ështe vendosur info-point dhe janë bërë ndërhyrje të tjera në funksion të zhvillimit të turizmit dhe rritjes së numrit të vizitorëve në fshatin Kaninë.
Gjatë punimeve janë zbuluar edhe objekte me vlera të rëndësishme arkeologjike. Zbulimet tregojnë se kalaja ka gjurmë te periudhes ilire, duke vijuar me antikitetin e vonë, periudhën byzantine dhe atë osmane. Ndersa gjate Luftës se Parë Botërore në këtë zonë ka qenë i vendosur një garnizon i ushtrisë italiane. Deri më tani nuk ka pasur studime të thelluara, por këto gjetje dëshmojnë rëndësinë e madhe historike të Kalasë së Kaninës.
“U zbulua një banesë e periudhës otomane, që në thellësi të bodrumit shkon në 3, 5 metra. Ndërsa gjatë luftës këtu ka qenë një garnison ushtarak italian dhe ne kemi gjetur nje pllakade që i kushtohet Mbretit Viktor Emanuel”.
Vlera e këtij investimi arrin në 1.9 milion euro dhe përfshin jo vetëm Kalanë e Kaninës, por edhe Kalanë e Borshit dhe shpellën e Spillesë, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e turizmit kulturor.
Komente












