Kryetari i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen Institucionale Fatmir Xhafaj tha përpara Këshillit të Lartë Gjyqësor se ka informacione se mund të ketë ndikime në KLGJ në promovimi ne gjyqtareve të ndryshëm.

“Më krijohet një perceptim, uroj ta kem të gabuar, nga leximi që iu bëj debateve tuaja që ka ndikime të brendshme brenda sistemit lidhur me vlerësimin dhe promovimeve që u bëhen gjyqtarëve”, tha Fatmir Xhafaj.

Kësaj akuze vetë kreu Këshillit të Lartë Gjyqësor iu përgjigj në një mënyrë të çuditshme!

“Unë di personalisht që jam aq i pavarur sa kur dal nga shpia mendoj të shkoj në punë, kur dal nga puna mendoj të shkoj në shtëpi, dhe nuk mendoj se rrugës kam ndikime me vendimmarrjet e mija, dhe kështu janë edhe anëtarët e tjerë!”, tha Ilir Rusi.

Pavarësisht se në Komision u pranua problematika e ambienteve që mungojnë nëpër gjykata, Fatmir Xhafaj i drejtoj gishtin KLGJ për hartën gjyqësore duke thënë se kjo situatë dihej, madje deputeti veteran i PS gjeti edhe përgjegjësit.

“A ishit ju aty kur u miratua Harta Gjyqësore, dhe nuk e dinte KLGJ që s’ka gjykatë Apeli. Në këndvështrim tim përgjegjësit e parë jeni ju, KLGJ, përgjegjësit e dytë janë qeveria dhe pastaj ne”, tha Xhafaj.

Kreu i KLGJ u pyet edhe për një letër që televizionet më të mëdha në vend i kanë nisur institucionit ku kërkohet që të zbatohet ligji për seancat gjyqësore të transmetohen LIVE.

“Dhe KLGJ ka vlerësuar ,se çdo veprim apo ndërveprim i Gjykatës me publikun dhe mediat, dhe çdo akt i nxjerrë nga ana jonë është në përputhe me kushtetutën”, tha Ilir Rusi.

Rezoluta e Kuvendit për Këshillit e Lartë Gjyqësor u miratua me shumicë, ndërsa ligjvënësit paralajmëruar se prej shtatorit do të nisin një studim të veçantë për stokun e dosjeve në gjykata dhe mundësitë për ndërhyrje parlamentare.