Kryeministri Edi Rama thotë se me monitorimin e rrugëve me kamera inteligjente do të rritet niveli i parandalimit të ngjarjeve kriminale. Rama mori shembull skemat tipike të atentateve, kur autorët pasi ekzekutojnë, largohen pa lënë gjurmë dhe djegin mjetet e përdorura në krime. Sipas tij, sistemi do të sinjalizojë në kohë reale se ku ndodhet makina.
Kryeministri tha po ashtu se policët do të pajisen me kamera trupi të cilat do të jenë të lidhura me qendrën e Komandës dhe Kontrollit të projektit Smart City. Edhe makinat me detyrime të papaguara do të detektohen nga sistemi inteligjent.
“Jo vetëm në shkolla, por edhe në të gjitha rrugët e vendit dhe komunitete. Sistemi informon në kohë reale për rrezikun, jo thjesht të ruajë një informacion që pastaj duhet të marrë duke hapur sistemin e duke nxjerrë informacionin kur fakti ka ndodhur. Nëse një thikë del nga xhepi, në cilindo vend publik, jo vetëm në shkolla, por edhe në rrugë, sistemi jep informacion në qendrën e monitorimit. Mund të jetë krejtësisht e parrezikshme, por mund të jetë edhe e rrezikshme,. Nëse një person në kërkim ka shumë mundësi të fshihet, sistemi e bën pothuajse të pamundur që në momentin e reagimit policia të mos dijë nga të drejtohet. Historia e makina që kryejnë akte krimi dhe pastaj gjenden të djegura, nuk mund të ndodhin më për shkak se sistemi e sheh makinën para se makina të ndalet. Informon se ku gjendet. Sistemi informon qendrën kur një makinë që nuk ka paguar detyrimet del nga parkimi dhe futet në rrugë. E kombinuar edhe me një element tjetër që kamerat e trupit do jenë të lidhura me qendrën dhe do jetë e pamundur që të bëhen lodra, isha deri këtu, shkova deri aty. Do bëjë që problemi i raportit etik mes punonjësit të policisë dhe një qytetari në makinë apo në rrugë, të adresohet në mënyrë sistemike. Jo se s’do ndodhë më asgjë, se kjo nuk ka ndodhur askund, por niveli i parandalimit do ritet në mënyrë eksponenciale, niveli i rreziqeve do ulet dhe zbulueshmëria e shkeljeve do rritet”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Smart City/ 20 shkolla në Tiranë pajisen me kamera inteligjente, sinjalizim në kohë reale për incidente dhe sende të ndaluara











