Të dhënat e fëmijëve të regjistruara nga kamerat inteligjente të “Smart City” në shkollat e Tiranës do të qëndrojnë brenda Shqipërisë dhe nuk do të aksesohen nga kompania që asiston në zbatimin e projektit. Zv.ministrja e Brendshme Anisa Ruseti sqaroi në emisionin 'Studio Live' në Report TV se pamjet ruhen në serverin qendror të Policisë së Shtetit, ndërsa akses në sistem kanë vetëm personat e autorizuar dhe çdo hyrje është e gjurmueshme përmes një kodi individual.
Sipas Rusetit, sistemi është ndërtuar për të minimizuar edhe rrezikun e ndërhyrjeve nga jashtë, pasi funksionon përmes fibrave optike dhe pa akses në internet. Inteligjenca artificiale shërben vetëm për të sinjalizuar në kohë reale situata të mundshme rreziku, ndërsa vendimin nëse duhet ndërhyrë e merr oficeri i sigurisë. Në rast keqpërdorimi të aksesit në sistem, personi përgjegjës përballet me procedura administrative dhe penale.
"“Këto 20 shkolla që e kanë të integruar sistemin Smart City që prodhon alerte në bazë të inteligjencës artificiale do kenë një siguri publike të shtuar në të gjithë perimetrin e shkollës. Ka vetëm një javë që ka filluar implementimi. Testet e para u zhvilluan gjatë kësaj jave me algoritme që identifikonin sjellje të ndryshme.
Po e kalojmë me sukses fazën e testimit. Në të gjitha rastet, ky sistem i vjen në ndihmë burimeve njerëzore. Kamerat mbeten të njëjtat. Sistemi është ai që është inteligjent dhe shfrytëzon inteligjencën artificiale për të reaguar në kohë reale ndaj një situate të caktuar. Personi, oficeri i sigurisë është ai që bën vlerësimin, Adoleshentët kur takohen me njëri tjetrin kanë gjeste më të lëvizshme që në momentin e parë sistemi i sinjalizon si rrezik potencial për një konflikt.
Është oficeri i sigurisë ai që dedekton nëse ka situatë potenciale rreziku. Ky është një projekt i vendimarrjes së qeverisë shqiptare për të rritur sigurinë publike jo vetëm në shkolla por edhe monitorimin e trafikut veror, akustikën, kamerat e trupit që do vendosen në policinë e shtetit dhe shumë aspekte të tjera që lidhen me sigurinë publike. Projekte të tilla po zbatohen në shumë qytete si Londra.
Të dhënat e sistemit aksesohen vetëm nga personat e autorizuar p-ër ta përdorur. Tek shkollat, këtë autorizim e kanë oficerët e sigurisë dhe drejtorët e shkollave. Në rastin e trafikut apo policëve, ccdo akses në Smart City është i gjurmueshëm përmes një kodi që nëse keqpërdoret nga dikush nga stafi do të duhet ti nënshtrohet të gjitha procedurave administrative dhe penale. Izraeli nuk hyn në asnjë vend.
Pamjet e fëmijëve që monitorohen qëndrojnë brenda Shqipërisë. Duhet të ndajmë qartë se cili është operatori që po ndihmon në implementimin e projekjtit dhe përdoruesi i projektit është shteti shqiptar. Të dhënat ruhen vetëm në Policinë e Shtetit, në serverin qendror ku kanë akses vetëm punonjësit. I gjithë projekti kryehet me fibra optike, pa akses në internet që të minimizohet hakerimi apo humbja e të dhënave. Në këtë moment që po e testojmë jemi në përditësim të përditshëm për të siguruar qytetarët që të dhënat e tyre, janë të mbrojtura nga shteti shqiptar" tha Ruseti në Report TV
Lajmi kryesor:
‘Smart City’, 600 kamera në 20 shkolla! Prindërit kërkojnë garanci: Kush i monitoron pamjet?! Zv.ministrja në Report TV: Ruhen në Polici, aksesi është i kontrolluar dhe çdo hyrje gjurmohet





