Kryetari i LZHK-së Dashamri Shehi është shprehur kundër lëvizjes së Rithemelimit për të shkaktuar kaos në Kuvend duke mos lejuar zhvillimin normal të seancave plenare. I ftuar në emisionin ‘Kontrast’ në Report Tv, Shehi tha se rruga e zgjedhur është një rrugë pa krye. Sipas Shehit, ky skenar po përsëritet e i shërben vetëm Edi Ramës dhe Sali Berishës.
'Jam që opozita duhet të hyjë në parlament. Ndryshe po humbim disa të drejta të vogla që na kanë mbetur. Berisha thotë se kjo është një rrugë pa kthim. Unë them se kjo është një rrugë pa krye. Kjo nuk na çon në maj, kush e di me ça shtegu tjetër dilet. Është një rrugë e provuar është tashmë e provuar. Ne kemi bërë dy vite këtë punë. Dolëm në bulevard mijëra njerëz dhe sot mbase nuk është kapaciteti që të mbledhim aq shumë njerëz. Kjo është një histori që përsëritet. Kjo rrugë nuk të çon kurrkund. Ne duhet të hymë në parlament, të merremi me betejat parlamentare. Nëse ne refuzojmë një të drejtë që na jep ligji për të folur në parlament them se bëjmë një gabim të madh. I shërben vetëm Edi Ramës dhe Sali Berishës. Këtyre të dyve u duhet se midis Ramës dhe Berishës është një hapësirë bosh. Kemi nevojë të prodhohen ide te reja personazhe të reja. Në një farë mënyre e gjithë kjo situatë i shërben Edi Ramës. Kemi aty çdo ditë aty të njëjtë njerëz.’- tha Shehi.
Nga ana tjetër analisti Lorenc Vangjeli e ka cilësuar aksionin e opozitës si ‘supë burgu’, një menu me detyrim që i ofrohet publikut për ta gëlltitur.
‘Sali Berisha tani po sillet si hipotekë i 17 kullave të ndërtuara mbi truallin e ish-klubit sportiv Partizani dhe hesapet e nesërme që do të hapen në prokurori. Dje mbajti një Kuvend në të cilën për shumë kënd u bë i qartë se autoriteti i Berishës imponon zgjidhje që kalojnë përtej zjarrit të parlamentit. Janë shfaqje e pasojës reflektim i personalitetit të dyfishtë të Berishës. Mirë do të ishte të kishte qenë ndryshe dhe për demokratët dhe socialistët. Kjo është si supa e burgut. Menyja me detyrim që publiku i ofrohet për ta gëlltitur. Përtej saj nuk ka asgjë tjetër.’- tha Vangjeli.
Opozita edhe këtë seancë plenare, e cila zgjati vetëm 14 minuta nuk e kurseu kaosin. Deputetët e Sali Berishës dhe Gazment Bardhit ndezën flakadanë në sallë, tentuan t’i vënë flakën karrigeve dhe u përplasën me Gardën. Flamur Noka u përjashtua nga seanca, ndërsa Edi Paloka tentoi të godasë deputetin socialist Petro Koçin.
Prania e Argita Berishës në Kuvendin e Foltores ku edhe mbajti fjalën e saj, pati shumë reagime pasi kjo shënon daljen e parë të një prej fëmijëve të ish-kryeministrit në një podium politik.
Analisti Lorenc Vangjeli në emisionin ‘Kontrast’ në Report Tv, thotë se dalja e saj në Foltore ka demoralizuar ato demokratë të cilët mendonin se pas largimit të Sali Berishës do të kishte një riorganizim të opozitës.
‘Dalje e Malltezit në Foltore, qoftë edhe nga pikëpamja formale ka demoralizuar dhe demotivuar një shumicë të madhe njerëzish të cilët mendonin, dinin, besonin që me Berishën nuk arrinin dot të ishin fitues në zgjedhjet e 2015, por ky do të ishte momenti që pas largimit të tij të fillonte riorganizim i opozitës sepse deri në këtë moment Berisha ishte mjeti i vetëm për të larguar Bashën nga mazhoranca e partisë së tij, por totalisht i paftë dhe i pamjaftueshëm për të larguar Edi Ramën nga drejtimi i qeverisjes. Nuk kishte asgjë të re! Në këtë rast secili hoqi gishtin që mbante para fytyrës nga i cili fshihej. Thjeshtë pamë shfaqje.’- tha Vangjeli.
Ndërkohë kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, tha se nuk jemi në mbretëri ku mund të trashëgosh pushtetin.
‘Kjo është e parakohshme. Nuk ndodhi asgjë e re të gjithë e dinim. Nuk jemi mbretëri nuk lind me të drejtën hyjnore të trashëgimisë ti duhet ta fitosh në terren atë punë. Për mua kjo është e dorës së dytë për mua. E dorës së parë mendova se do të thuhen disa gjëra të reja nuk u tha asgjë. Kjo më shqetëson.’- tha Shehi.