/ATSH-Z.Tosku/- Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër kanë arrestuar shtetasin Alban Ballçiti, 41 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale "Vrasje e mbetur në tentativë", i dënuar me 6 vjet burg në korrik të 2013 nga Gjykata e Apelit Shkodër.

Ndërkohë, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë, kane ndaluar në Ersekë shtetasin në kërkim Ardian Mimini, 53 vjeç , banues në fshatin Qinam, pasi Gjykata e Apelit Korçë e ka denuar me 5 vjet burg për veprën penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit "dhe "Vrasje nga pakujdesia".

Policia e Shtetit bën me dije se në pikën e kalimit Goricë në dalje, nga ana e efektivave të Policisë Kufitare të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Korçë, u kap shtetasi në kërkim Alban Guri, 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit e ka dënuar me 1 vit burg për veprën penale "Vjedhje".

Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës ndaluan shtetasin në kërkim Bilbil Cara, 44 vjeç, banues në fshatin Lusën, pasi Gjykata së Shkallës së Parë Kukës, në prill të 2015, ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprën penale të "Vjedhjes".