40-vjeçarI Nuri Xhafaj nga Kruja është arrestuar në flagrancë në Fushë Gjormë të Kurbinit, pasi u kap në vendin ku ishin kultivuar 1820 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Operacioni i koduar “Vigjilenca 2” u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në kuadër të kontrolleve antikanabis në qarkun Lezhë. Gjatë ndërhyrjes, policia gjeti dhe asgjësoi me djegie të gjitha bimët narkotike.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim 54 vjeçari Agron Kasmi, banues në Fushë Milot, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari.
Si prova materiale u sekuestruan dy automjete, një celular dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit. Policia bën me dije se kontrollet antikanabis vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Lezhë.
Njoftimi i plotë i policisë
"Finalizohet operacioni i koduar “Vigjilenca 2”, goditet 1 rast i kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Fushë Gjormë. Kapet në flagrancë në vendin ku ishin kultivuar bimët narkotike dhe vihet në pranga 1 shtetas. Punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tij.
Në vijim të kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut Lezhë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar dhe në punën operative, finalizuan operacionin e koduar “Vigjilenca 2”.
Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Fushë Gjormë, u gjetën 1820 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Shërbimet e Policisë kapën në flagrancë në vendin ku ishin kultivuar bimët narkotike dhe arrestuan shtetasin N. Xh., 40 vjeç, banues në Krujë, i dyshuar për kultivimim e këtyre bimëve.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. K., 54 vjeç, banues në Fushë Milot, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, 1 celular dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e këtij rasti.
Vijojnë kontrollet antikanabis në të gjithë tërritorin e qarkut. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme"
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente







