Shtetet e Bashkuara dhe Irani përfunduan një raund tjetër bisedimesh indirekte në Katar të mërkurën, por pa shenja të qarta, drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje. Burime të njohura me diskutimet thanë për Reuters, se negociatorët kaluan dy ditë duke u përqendruar në çështje praktike, të cilat sipas tyre ishin zgjidhur kur u njoftua marrëveshja e përkohshme dy javë më parë.

Këto përfshijnë rikthimin e lundrimit detar përmes Ngushticës së Hormuzit dhe zhbllokimin e fondeve iraniane. Ministria e Jashtme e Katarit tha se bisedimet shënuan përparim pozitiv dhe se një raund tjetër pritet të zhvillohet pas ceremonisë mortore të ish liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, javën e ardhshme. Burimet i thanë Reuters se çështja bërthamore nuk u diskutua në Doha.

Kjo pavarësisht se programi bërthamor i Iranit ishte arsyeja kryesore që presidenti Donald Trump, së bashku me Izraelin, ndërmori luftën që në fillim. Megjithatë, Trump tha se po bëhet përparim edhe në këtë drejtim.

"Çarmatimi bërthamor i Iranit po ecën mirë. Kemi pasur takime shumë të mira dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Siç e dini, i goditëm shumë fort për tre netë, por tani po shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin", tha Trump.

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se bisedimet për aktivitetet bërthamore të Iranit do të zhvillohen në një fazë të mëvonshme. Negociatat u zhvilluan përmes ndërmjetësimit të Katarit dhe Pakistanit, të cilët u takuan veçmas me delegacionet amerikane dhe iraniane.

Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës para luftës kalonte rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm, mbetet një çështje kyçe. Megjithëse trafiku detar është rikthyer pjesërisht, ende ka pasiguri lidhur me të ardhmen e kësaj rruge strategjike.

Irani ka deklaruar se kërkon njohje ndërkombëtare të kontrollit të tij mbi Ngushticën e Hormuzit, edhe nëse kjo do të kërkonte përdorimin e forcës.

Komentet e Trump të mërkurën ndihmuan në uljen e çmimeve të naftës në nivelin më të ulët të muajve të fundit. Megjithatë, analistët thonë se situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet e paqëndrueshme, e paparashikueshme dhe jo plotësisht transparente.