KS Devolli, skuadra që një vit më parë militonte në kategorinë e dytë, vetëm pas 4 ndeshjesh ka marë kreun në Kategorinë e Parë duke mposhtur kryesuesit e Lushnjes. Ndeshja e cila u luajt në stadiumin Devolli në qytetin e Bilishtit kishte një interesim të madh jo vetëm nga vendasit, por dhe tifogrupi 'Delegatët' e Lushnjes të cilët ishin të pranishëm për të mbështetur skuadrën mike.
Ndeshja filloi mirë për vendasit të cilët humbën disa raste, kryesisht me mesfushorin Fabjan Nallbati, i cili pavarësisht rasteve të humbura ishte një nga lojtarët kyç në fushë për Devollin kurse Arbër Monen e Lushnjës e tradhëtuan nervat, dhe pasi goditi me bërryl Avdillarin u përjashtua me të kuq në fund të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë u vulos gjithçka, Lushnja më cinike dhe me më eksperiencë shfrytëzoi një kundërsulm të cilin Mikel Canka e shfrytëzoi duke shtangur entuziazmin në stadium të vendasve. Por avantazhi i verdhjeshilve do të zgjaste shumë pak. Në minutën e 78' pas një krosimi, braziliani Da Mota barazoi duke rikthyer edhe njëherë atmosferën elektrizuese në stadium e cila mungoi për 15 minuta. Numri 10 i Devollit arriti të shënojë pas një përgjumje në goditje këndi nga lushnjarët. Por heroi i sfidës për vendasit është pikërisht Paolo Ivani. Ai i cili i dha fitoren javën e kaluar Devollit me Elbasanin, këtë radhë në mënyrë të ngjashme shfrytëzoi një rrëmujë nga zona po nga goditja e këndit për ta çuar përsëri topin në rrjetë. Kësaj radhe tifozat blu shpërthejnë në festë. Pesë minuta shtesë por nuk mjaftojnë, Devolli superior në fushë me lojë dhe lojtarë merr kreun për herë të parë në histori në Kategorinë e Parë.
Duket se ekipi juglindor i Stavri Nicës nuk po e konsideron më çudi ngjitjen në Superligë.Madje në stadium i pranishëm ishte dhe presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj i cili duket se edhe ai është tërhequr nga ecuria e mirë e Devolli.t