TIRANE- Me gjithë premtimet e qeverisë së majtë në pushtet, 4 të vrarët nga armët e Gardës, që po protestonin kundër qeverisë Berisha, megjithëse ishin me duar në xhepa dhe protesta po shpërndahej, ende bëjnë apel për drejtësi.

Ndërkohë që për Aleks Nikën ende s’kanë përfunduar hetimet e është vrasje pa autor, ndërsa pritet ndoshta dhe një “trimërim” i Llallës për të thirrur Berishën si person që ka dijeni përderisa zbardhi skenarin me çadra pistoletë dhe thika me helm dhe për ta pyetur, për Ziver Veizin, Hekuran Dedën e Faik Myrtajn janë dënuar fajtorët Ndrea Prendi e Agim Llupo, pa marrë parasysh ekspertizën e FBI që pritet të rivitalizohet tashmë që 3 ekspertë janë këtu. Ndërsa Gjykata e Lartë ka “harruar” për 2 vite dosjen 21 janari.

*Pyetje pergjigje te formuluara nga gazetaret per ta bere sa me te lehte shpjegimin e ceshtjes
 
Dosja e 21 janarit ku u vranë katër demonstrues të pafajshëm të opozitës ka ngecur këtu e dy vite në Gjykatën e Lartë dhe askush nuk denjon ta prekë. Po përgatitet pushimi i çështjes...?
Dosja e “21 Janarit”, dje mbushi plot dy vite që është hedhur në short dhe ende nuk dihet asgjë për fatin e saj. Me gjithë kohën që ka kaluar, por edhe ndjeshmërinë e kësaj çështjeje të lidhur me demonstratën e 21 janarit, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues, Gjykata e Lartë s’ka caktuar ende një datë për të çelur procesin gjyqësor.

Burimet bëjnë me dije se dosja me të pandehurit ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendi, ish-shoferin e tij Margarit Kume, dhe ish-komandantin e njësisë speciale Agim Llupo, ndodhet në dhomë këshillimi, që do thotë se prej 28 tetor 2013, gjyqtarët e Kolegjit Penal që janë përcaktuar me short, ende po mendohen se çdo bëjnë me këtë çështje, do caktojnë një datë për të shqyrtuar rekursin e Prokurorisë, apo s’do ta kalojnë fare për gjykim.
 
Cilët janë gjyqtarët që e kanë në dorë dosjen e “21 janarit”...?
Kjo dosje e nxehtë, është në dorë të relatorit të saj Edmond Islamaj, dhe anëtarëve Guxim Zenelaj, Tom Ndrea, Artan Zeneli dhe Shkëlzen Selimi. Zyrtarisht kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori deklaroi në shkurt 2015 se dosja do të gjykohet brenda 6 muajve, por mesa duket kjo deklaratë e kryetarit nuk u mor parasysh nga trupa gjyqësore, që ka kompetencat për të vendosur mbi datat e gjykimit të dosjes.

Ish-komandanti i Gardës Ndrea Prendi u dënua me një vit burgim për akuzën e “vrasjes nga pakujdesia” të demonstruesit Faik Myrtaj, ndërkohë që Agim Llupo u dënua me 3 vite për të njëjtën akuzë, për vrasjen e Ziver Veizit. Për të dyja shkallët e gjyqësorit, Prokuroria nuk mundi të bindte se zyrtarët e Gardës i kishin vrarë ata me dashje të drejtpërdrejtë, pasi nuk arriti të sjellë dot një motiv.

Po ashtu, për plagosjen e shumë të tjerëve, gjykatat u shprehën se nuk u gjetën predha të qitura nga armët e tyre. Ndërkohë që kanë mbetur pa autorë e Prokuroria nuk ka gjetur ende që nga 21 janari i 2011-s, se kush janë të dyshuarit e vrasjes së demonstruesve Hekuran Deda e Aleks Nika. Duke e zhytur këtë çështje në mister.
 
Çfarë ndodhi konkretisht më 21 janar, dhe si reagoi shteti?
Opozita paralajmëroi një protestë të madhe në bulevardin qendror të kryeqytetit kundër qeverisë Berisha. Më 21 janar u protestua, pati konfrontime, dhe në momentin kur turma po shpërndahej, Garda qëlloi mbi ata që kishin mbetur, duke lënë të vrarë njëri pas tjetrit, në vende të ndryshme protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda që ishte afër gazetarit Fatos Mahmutaj, që u plagos në dorë e tani është në azil politik si dhe më larg akoma Aleks Nikën.

Në fillim Berisha reagoi duke thënë se ishte skenar nga ‘horri i bulevardit’ për presidentin Topi, cilësoi ‘lavire bulevardi’ ish-kryeprokuroren Ina Rama, akuzoi opozitën se kishte bërë skenar për grusht shteti me çadra pistoletë, thika me helm e se demonstruesit ishin vrarë nga afër nga opozita. Madje kërcënoi se për prekjen e institucioneve do vriteshin dhe 300 demonstrues.

Nga ana tjetër nuk lejoi asnjë ekspertim, të plagosurit nga Garda qëndruan brenda rrethimit të kryeministrisë, u mblodhën gëzhojat ndërsa komandanti i gardës Prendi u shfaq me sy të mavijosur, u akuza opozita, por thuhet se u godit nga badigardi i Berishës.
 
Po prokuroria si veproi...?
Prokuroria lëshoi 6 urdhërarreste, por Berisha urdhëroi kreun e policisë Burgaj të mos i zbatonte, duke e argumentuar më pas se Ina Rama kërkoi arrestimin e zinxhirit komandues të Gardës në kulmin e tentativës për grusht shteti. Urdhrat që në atë kohë u refuzuan të zbatohen e që hapën një luftë të paprecedentë mes dy institucioneve, aq sa ish-Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në daljen e saj publike dy-tri ditë pas demonstratës, jo vetëm që bëri apel për ekspertizë drejtuar SHBA, por pranoi se ekzekutimi i urdhër-ndalimeve do kishte ndihmuar për hetimet.

Lufta mes Prokurorisë dhe Policisë në atë kohë zgjati rreth dy javë, kur gardistët, mes tyre edhe ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, u vetëdorëzuan në Policinë e Tiranës. Po atëherë ishin bërë të gjitha “pastrimet” e vendit të ngjarjes që nga heqja e gëzhojave, serverëve e kamerave të sigurisë, duke fshehur skenën e vrasjeve.
 
Ndërkohë ishte ekspertiza e FBI që përcaktoi se nga kush ishte vrarë Faik Myrtaj...?
Pas kërkesës së ish-kryeprokurores Ina Rama, FBI dërgoi urgjent rezultatin e ekspertizës së kamerave të sigurisë dhe serverëve ku u vërtetua se ato janë fshirë. Nga ana tjetër ekspertiza e Byrosë Federale të Hetimit (FBI), zbuloi se nga pistoleta personale e llojit “BERETA” që kishte në përdorim Prendi ka gjetur vdekjen fieraku Faik Myrtaj.

Gjithashtu përveç plumbit që i solli vdekjen Myrtajt, Prendi ka qëlluar edhe 10 plumba te tjerë në drejtim të demonstruesve. Ndërsa vetë Llupo ka qëlluar me 13 plumba luftarak në drejtim të demonstruesve para ndërtesës së kryeministrisë, duke vrarë dy protestuesit e tjerë. Kurse për Aleks Nikën nuk është përcaktuar asnjë autor dhe çështja është e hapur.

Margarit Kume i njohur si ish-shoferi i komandantit Prendi, i akuzuar për fshehjen e provave, pasi kishte ndërruar tytën e pistoletës së Prendit me pistoletën e tij janë tërhequr akuzat nga prokuroria.
 
Prokuroria në fillim të vitit ka kërkuar rishikimin e provave të gardistëve për rihapjen e dosjes “21 janari”. Sa ka mundësi të thirret Berisha me cilësinë e personit që ka dijeni...?
Familjarët e viktimave janë të zhgënjyer nga pritja, ndërsa akuza e Gjykata e Lartë kërkojnë ende kohë për t’u dhënë drejtim çështjeve. Ata kërcënojnë me dërgimin e dosjes në gjykatën e Strasburgut. Nga të 4 viktimat e 21 janarit vetëm vrasja e Aleks Nikës është ende e pazbardhur dhe po hetohet në Prokurorinë e Tiranës, gjë që ngjall shpresat e rikthimit të çështjes.

Ndërsa në muajt e parë të këtij viti kryeprokurori Adriatik Llalla ka mbledhur grupin hetimor të Policisë, ku pjesëmarrës ishte vetë Llalla, kreu i policisë së Tiranës atëherë Ardian Çipa, prokurori  Petrit Fusha, drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme Adnand Xholi si dhe drejtori i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit.

Qëllimi i kësaj analize është rishikimi i provave dhe dëshmive të gardistëve që janë pyetur lidhur me ngjarjen e 21 janarit 2011 e më konkretisht vrasjen e shtetasit Aleks Nika nga Lezha.

Ndërkohë burimet brenda prokurorisë bëjnë me dije se nuk përjashtohet mundësia që të thirret dhe ish-kryeministri Sali Berisha për të dëshmuar me cilësinë e personit që ka dijeni, referuar dhe akuzave të tij se ishte skenar grushti shteti.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)