KAVAJË- Parandalohet një ngjarje në zonën e Golemit e cila mund të përfundonte në një tragjedi. Një 18-vjeçar Genti Nela që punonte si kamerier në lokalin e hotelit 'Flar' në zonën e Malit të Robit, është dhunuar pasi kërkoi pagën e tij.

I riu u dhunua nga dy djemtë dhe dhëndri i pronarit të hotelit, si edhe një shok i tij 20-vjeçar. Xhaxhai i tij, pasi mësoi çfarë kishte ndodhur, u nis i armatosur drejt hotelit për t’u hakmarrë dhe për të vrarë autorët e dhunës.

Policia ndërhyri para se 47-vjeçari të mbërrinte në hotel dhe ndaloi makinën e tij në afërsi të zonës. Brenda një çante shpine u gjet një kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë. Melison Nela, xhaxhai i 18-vjeçarit u arrestua.

Për dhunimin e kamerierit u arrestuan Florian Habilaj, 28 vjeç, djali i pronarit të hotelit, dhe Enold Dragoti, 20 vjeç, ndërsa djali tjetër i pronarit, Arbër Habilaj, 36 vjeç, u shpall në kërkim. Dhëndëri 36-vjeçar i pronarit, po hetohet në gjendje të lirë.

Gjatë kontrolleve policia konstatoi se vendi ku kishte ndodhur konflikti ishte pastruar, ndërsa pajisja ku ruheshin pamjet e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot ishin prerë.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe të Stacionit të Policisë Golem, pas marrjes së njoftimit për një konflikt në një hotel në zonën e Malit të Robit, Golem, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi F. H., së bashku me shtetasit A. F., E. D. dhe M. M., kanë dhunuar shtetasin G. N., 18 vjeç, kamerier në lokalin e hotelit, për shkak të mosdhënies së pagesës për punën e kryer. 18-vjeçari ndodhet në Spitalin e Kavajës, nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë kryerjes së veprimeve, shërbimet e Policisë kanë marrë informacion në rrugë operative se xhaxhai i 18-vjeçarit, shtetasi M. N., 47 vjeç, banues në Kavajë, i armatosur me armë zjarri, ishte nisur drejt hotelit, me qëllim vrasjen e personave që kishin dhunuar nipin e tij. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke ndaluar në afërsi të hotelit automjetin që drejtohej nga ky shtetas. Gjatë kontrollit të automjetit, në një çantë shpine, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri automatik, kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë. Po nga veprimet hetimore rezultoi se vendngjarja ishte pastruar, DVR-ja e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot ishin prerë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. H., 28 vjeç, dhe E. D., 20 vjeç, banues në Kavajë; u shpall në kërkim shtetasi A. F., 36 vjeç; u procedua në gjendje të lirë shtetasi M. M., 36 vjeç, banues në Kavajë. Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit M. N., 47 vjeç, banues në Kavajë", njofton Policia. 

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Hoteli ku ka ndodhur ngjarja

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë