Kë konsideron të kapur nga mafia
Partia Demokratike dhe Basha?

Ato që kemi dëgjuar nga Lulzim Basha dje apo Sali Berisha sot, në fakt janë deklarata të cilat shprehin qartë panikun që ka një pjesë e politikës shqiptare, një pjesë e segmenteve të korruptuara të pallatit të drejtësisë për një reformë e cila jo vetëm do të përmirësojë ndjeshëm mënyrën e funksionimit të institucioneve të shtetit të së drejtës në Shqipëri, por shpresojmë fort se do të përmirësojë kredibilitetin e këtyre institucioneve, në radhë të parë para qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi.

Por mbi të gjitha do ti krijojë mundësi Shqipërisë për të vazhduar rrugëtimin Europian, për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim dhe për të hapur një kapitull të ri që mund të shërbeje edhe si model për vendet e tjera të rajonit.

Është e çuditshme se si vazhdohet me flet rrufe, me shuma të majme 60-70-80 mijë euro që paguhen lobistë, shkrime, për herë të parë në 27 vite, kemi një fushatë të orkestruar ndaj ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj përfaqësuesve të vendeve mike të Shqipërisë këtu, dhe për herë të parë një politikan shqiptar si Lulzim Basha guxon jo thjeshtë të krahasojë Shqipërinë me situatën e vështirë me një vend mik, siç është Maqedonia, por duke thënë edhe se situata në Shqipëri na qenkësh 10 apo 15 herë më e keqe se ajo në Maqedoni.

Nuk e di kujt i referohet Lulzim Basha për Maqedoninë. Cilit prej sivëllezërve të tij, apo sivëllezërit e Sali Berishës, i referohet për situatën në Maqedoni? Atyre që thërrasin njerëzit në rrugë me parulla antishqiptare, anti-NATO, anti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, anti Bashkimi Europian? Atyre që kanë tre muaj që duan ti portretizojnë shqiptarët si punëtorët sezonalë dhe si një rrezik për bashkëjetesën paqësore dhe demokratike të vendit fqinj?

Kë konsideron të kapur nga mafia, partia Demokratike dhe Lulzim Basha? Përfaqësuesen e lartë të politikës së jashtme të Bashkimit Europian? Që kemi dëgjuar nga ai e të gjithë propogandistët e tij, teknologët e tij politikë e mediatikë të na thonë se na qenkësh komuniste.

Po Johannes Hahn, që është nga familja politike e partisë ku Sali Berisha dhe Lulzim Basha militojnë? Edhe ky është i kapur nga ne? Edhe ky është komunist? Po rezoluta e qartë e partive Popullore? Po qarkorja e qartë që qarkullon mes gjithë drejtuesve të partive Popullore për Lulzim Bashën? E ngjashme me karantinën për Sali Berishën në ‘97 dhe ‘98. Edhe kjo është produkt i kanabisit? I mafies qeveritare? I lobimit të qarqeve antishqiptare?

Të gjitha këto janë broçkulla, të gjitha këto janë aq broçkulla, sa që për herë të parë pas 27 viteve si ministër i Jashtëm marrë pyetje nga gazetarë ndërkombëtarë në lidhje me rrymat anti-europiane në politikën shqiptare. Dhe në fakt këto rryma anti-europiane në politikën shqiptare nuk kanë pse të përvijohen si në vende të tjera fqinje. Por po përvijohen nga rezistenca, nga tendosja siç thotë shumë bukur Sigmar Gabriel, për të mos kryer reforma që kanë lidhje me sundimin e së drejtës në ekonomi, për të favorizuar status-quo, për të favorizuar përqendrimin e të mirave publike në një grusht njerëzish të politikës, të biznesit, të medias, të gjyqesorit, për të mos lejuar për të dalë nga ky qerthull vicioz dhe për të mos lejuar ekonominë për të marrë frymën që duhet të marrë.

Prandaj është shumë e rëndësishme, dhe e shfrytëzova këtë podium sot, këtë sallë të nderuar, jo thjesht për të përshëndetur qëndrimin e qartë që vjen nga Bashkimi Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për reformat e shtet-ndërtimit demokratik në Shqipëri, për reformën në drejtësi, për nevojën për një dialog politik, për t’i ofruar qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi qetësi, zgjedhje të drejta dhe të ndershme. As për t’u përfshirë në një politikë asfiksuese, e ngjashme me kamikazët, të cilët marrin peng avionin dhe nuk duan as të negociojnë, por përkundrazi thonë ikni dhe nga kulla e vrojtimit deri sa të ulim ne avionin. Nuk ka rëndësi se si do ta ulim ne këtë avion.

Cila është sot përgjigjia për gjithë komunitetin ndërkombëtar që një zëri kërkon që Shqipëria të shkojmë drejt zgjedhjeve të 18 Qershorit, në respekt të Kushtetutës, në respekt të parimeve të sanksionuara në këtë kushtetutë – që ndiqen nga e gjithë bota demokratike, në respekt të vendimit të një Presidenti Republike që në fakt nuk është zgjedhja e kësaj mazhorance, nuk është zgjedhja e Partisë Socialiste, është zgjedhja e atyre që sot janë në çadër, në respekt të stabilitetit të vendit, në respekt të klimës më të mirë politike dhe rezonimit më të mirë që vetë Shqipëria është në gjendje ta japë për shqiptarë të tjerë në rajon.

Duke filluar nga takimi i djeshëm, me ministrin e jashtëm të Kosovës por edhe nga kontaktet me shqiptarët në rajon, të gjithë e shohin Shqipërinë me këtë sy. Si do t’i përgjigjemi ne të dashur miq, investimit politik, financiar e njerëzor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian? Dy vitet e fundit Tiranën e kanë vizituar si asnjëherë më parë personalitete të rëndësishme, të gjithë kanë ardhur me të njëjtin mesazh, mesazhi kyç ka lidhje me reformën në drejtësi, ka lidhje me krijimin e një faqeje të re në historinë e demokracisë sonë të brishtë, një reformë që do ketë ndikim të drejtpërdrejt tek punësimi, tek mirëqenia, tek siguria, tek stabiliteti më i madh i vendit, Një reformë e cila do të përcaktojë në fakt jo thjesht pesë apo dhjetë vitet e ardhshme, por fatin e gjeneratës së re dhe pozicionin e Shqipërisë në raport me vendet e tjera fqinje.

Cilët janë këta që kërkojnë të marrin peng këtë vend, që kërkojnë të përcaktojnë rregulla të tjera të lojës? Ku e gjejnë këtë legjitimitet?

Prandaj të nderuar kolegë, është shumë e rëndësishme që ky parlament, kjo sallë të jetë më e qartë se kurrë në komunikimin dhe mesazhet që duhet të komunikojë për opinionin publik por edhe për partnerët e miqtë ndërkombëtarë, sepse për fat të keq partia demokratike, dikur parti e madhe, sot duket si asnjëherë më tepër peng i influencave anti europiane, peng i influencave të gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar, por edhe një pjese të saj të korruptuar, të cilët nuk kërkojnë një Shqipëri më të mirë, nuk duan siç duket një Shqipëri më të drejtë, dhe duan të marrin peng Partinë Socialiste dhe këtë koalicion nga pjesëmarrja dhe ballafaqimi me arritjet e këtyre katër viteve por edhe me atë se çka do të vijë më pas.

*Fjala e mbajtur sot në seancën plenare nga ministri Ditmir Bushati

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Ushtroi dhunë ndaj gruas, shpallet në kërkim 37-vjeçari

Kukës/ Ushtroi dhunë ndaj gruas, shpallet në kërkim 37-vjeçari