Këlcyrë, Muhameti: Do ankimoj 
vendimin e KQZ, unë jam fitues

Këlcyrë, Muhameti: Do ankimoj <br />vendimin e KQZ, unë jam fitues
TIRANE- Kandidati i çregjistruar për Bashkinë e Këlcyrës, Gentian Muhameti mohon të këtë pasur të shkuar penale dhe akuzon Partinë Demokratike se përmes emrit të tij, po bën shfaqje, duke u hequr sikur po dekriminalizon kandidatët. Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Muhameti shpjegon se ai ka dorëzuar një dëshmi origjinale penaliteti të marrë në Itali, dhe mohon që ai të këtë ndryshuar emrin në mënyrë që të zhdukte gjurmët penale.

Ai akuzon se PD e përdori atë për një taktikë politike, pasi në të vërtetë ajo mbështet kandidatin e pavarur për këtë bashki, Bujar Fezga. Nga ana tjetër, Muhameti shpjegon se ai do ta ankimojë vendimin e KQZ-së për çregjistrimin e tij, dhe është i bindur se është fitues.

Z. Muhameti, sa të vërteta janë akuzat se ju keni probleme penale në Itali, dhe për të shpëtuar prej tyre në dëshminë e penalitetit keni  ndryshuar emrin tuaj?
Pretendimi i Partisë Demokratike është se unë nuk kam dhënë deklarime të vullnetshme të gjendjes time penale, por unë kam depozituar një dëshmi penaliteti. Ka pasur dyshime për këtë dëshmi të tërhequr në Itali dhe për këtë është verifikuar pastërtia e saj në ambasadën italiane. Atje duket se kjo ka dalë e pastër, por këtë fakt, PD-ja nuk e ka përmendur në seancën e zhvilluar në KQZ kur kërkoi çregjistrimin.

Pra, përjashtoni mundësinë që ju keni ndryshuar emrin tuaj?

Nuk ka asnjë gjë të vërtetë në këtë akuzë. Nuk e kam ndryshuar emrin tim dhe nuk kam probleme penale.
Do ta ankimoni vendimin e KQZ-së?
Po, do ta ankimojmë dhe vazhdoj të jem në garë. Po presim që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të zbardhë vendimin dhe pastaj do ta ankimojmë në Kolegjin Zgjedhor.

A është e vërtetë që keni refuzuar të jepni shenjat e gishtave pranë Partisë Demokratike për të dëshmuar pastërtinë tuaj penale?
Pse t’i jap shenjat e gishtave? Në Botën e Tretë jemi këtu? Mbi çfarë baze ligjore duhet t’i jap unë ato? Unë kam dorëzuar një dëshmi penaliteti dhe ajo është origjinale dhe provë e pastërtisë sime penale.

Pse mendoni se ju bëhen gjithë këto akuza pikërisht juve?
Për shou politik. Për të më përjashtuar gjasme në emër të dekriminalizimit. Për të bërë një shembull, që ja, ne po përjashtojmë personat me precedentë penalë.

Pse ju bëhet pikërisht juve kjo gjë, mund të kishte qenë dikush tjetër?
E para, sepse bashkia e Këlcyrës është periferike. E dyta në këtë mënyrë vendi nuk ju ngelej bosh si në bashkinë e Kurbinit. Kandidati tjetër, gjasme i pavarur, Bujar Fezga mbështetet nga PD-ja. Ai kërkoi të dilte në emër të opozitës, i propozuar nga Balli Kombëtar, dhe pasi unë u propozova nga PD, ai doli pavarur. Tani që PD më tërheq mua, e djathta nuk ka asnjë problem, se vendi nuk u ngel bosh. Pra, PD në të vërtetë po garon me Fezgën në këto zgjedhje.

A po vijoni të bëni fushatë?
Po, jam i gatshëm të vijoj garën, sepse jam fitues. Po të kisha probleme penale nuk do t’i kisha hyrë kaq thellë kësaj çështjeje, sepse dihet që do vinte koha që do të na verifikohej veprimtaria penale.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ilir Metaj: Turizmi 2024?...Karvani do të ecë përpara

Ilir Metaj: Turizmi 2024?...Karvani do të ecë përpara