Në mungesë të plotë respekti ndaj pavarësisë së drejtësisë dhe duke pretenduar me arrogancë të kontrollojë vendimmarrjen e GJKKO-së, sot deputeti i Berishës, Belind Këlliçi, ka paralajmëruar se Gjykata e Posaçme do ta shpallë të pafajshëm edhe për herë të njëmbëdhjetë, pasi sipas tij ka fituar tashmë në dhjetë procese të mëparshme. “Më vjen mirë që rekordit tim personal 10 me 0 me pafajësi në GJKKO më jepet mundësia ta bëj 11 me 0”, deklaroi Këlliçi.

Deklaratën e pabesueshme ai e bëri në dalje të Gjykatës së Tiranës, pasi me një vendim të ndërmjetëm, pas dy vitesh seanca dhe shtyrjesh, gjykata shpalli moskompetencën për shqyrtimin e çështjes penale për shpifje dhe fyerje të ngritur nga gazetari Carlo Bollino ndaj Jamarbër Berishës dhe Belind Këlliçit. Mbi një vit pas zgjedhjeve të majit 2025, gjyqtarja ka zbuluar se Belind Këlliçi është bërë deputet dhe, sipas saj, në këto rrethana kompetenca për gjykimin e çështjes i kalon Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Meqenëse shpifjet dhe fyerjet për të cilat ai është marrë i pandehur, janë kryer së bashku me dhëndrin e Berishës, edhe ky i fundit, do të duhet ta ndjekë çështjen në të njëjtën gjykatë.

Vendimi i gjyqtares është i diskutueshëm, pasi shpifjet dhe fyerjet ndaj Bollinos janë bërë publikisht në një kohë kur Belind Këlliçi nuk ishte ende deputet. Pikërisht për këtë arsye, tani i takon GJKKO-së të pranojë ose jo kalimin e çështjes. Nëse e refuzon, do të hapet një konflikt kompetencash që do të zgjidhet nga Gjykata e Lartë. Një çmenduri proceduriale për një rast tepër të qartë shpifjeje dhe fyerjeje, por që ndoshta kërkon pak më shumë kurajë për t’u gjykuar.

Në fakt, nuk është e lehtë për një gjyqtare të përballet me klanin e Berishës. Ata shpifin pa turp, me libër shtëpie, edhe kur janë të pandehur për shpifje. Imagjinoni çfarë personazhesh janë! Ndoshta duhet vërtet kurajo nga gjyqtarët e GJKKO-së për të gjykuar anëtarë të këtij Grupi të Strukturuar Shpifësish. Por nuk kuptohet ndërkohë, çfarë lidhjesh të fshehta mund të ketë Belind Këlliçi që ta paralajmërojë me kaq bindje se edhe një herë tjetër do ta fitojë!

Megjithatë, çështja është shumë e thjeshtë dhe meriton të përsëritet në thelb. Belind Këlliçi dhe Jamarbër Berisha kanë shpifur vazhdimisht ndaj Carlo Bollinos, duke e etiketuar si ''hajdut'', pasi sipas tyre ai është bërë pronar i një toke që pretendohet të ketë qenë në pronësi të Jamarbër Berishës dhe që ky i fundit, sipas versionit të tyre, ia kishte dhuruar “me bujari” Bashkisë së Tiranës me një akt vakëfi për ndërtimin e një shkolle. Sipas tyre, Bollino e ka “vjedhur” atë tokë duke paguar vetëm 1 euro, duke korruptuar kryeministrin, ministrat dhe të tjerë, duke prishur planin rregullues dhe projektin e shkollës, vetëm për të ndërtuar godinën e Report TV.

Ligji i detyron tani dy të pandehurit, Belind Këlliçin dhe Jamarbër Berishën, që të paraqesin në GJKKO provat (nëse i kanë) që vërtetojnë akuzat e tyre. Ky detyrim për të sjellë prova nuk i takon askujt tjetër dhe është e kotë që të kërkojnë ndihmë nga SPAK. Deri më sot, në dy vitet që ka nisur gjyqi, nuk kanë sjellë asnjë copë prove. Për kjo arsye duhej të ishin dënuar prej kohësh, por tani gjyqtarja, me sa duket, ka preferuar të heqë dorë nga sikleti.

Pra, ata ende duhet të faktojnë:

1) Që dhëndri i Berishës, së bashku me familjen e tij, ka qenë pronar me dokumente i tokës mbi të cilën u ndërtua godina e Report TV.

2) Që dhëndri i Berishës ia ka dhuruar tokën Bashkisë së Tiranës me një akt vakëfi, me qëllim që aty të ndërtohej një shkollë.

3) Që Carlo Bollino është bërë pronar i tokës duke paguar vetëm 1 euro (kur në fakt ai është vetëm qiramarrës pas një konkursi publik, ndërkohë që pronari, edhe sot që flasim, është Shteti).

4) Që Carlo Bollino ka korruptuar ministrat dhe kryeministrin për ta përfituar padrejtësisht pronesi e atë tokë.

5) Që Carlo Bollino, në vitin 2019, kur ka aplikuar për ta marrë atë tokë (me qira), ka prishur planin rregullues të Tiranës dhe projektin për ndërtimin e një shkolle.

Pa sjellë këto prova, të cilat duhet të kishin qenë shumë të thjeshta për t’u dorëzuar, nëse vërtet ekzistojnë, Belind Këlliçi dhe Jamarbër Berisha mbeten thjesht dy shpifës dhe fyes, dhe si të tillë duhet të dënohen. Dhe, si atëherë kur ishin përballë Gjykatës Penale të Tiranës, ashtu edhe tani përballë GJKKO-së, nuk kanë ku të shkojnë.

POST SCRIPTUM – Lidhur me “provat e reja” që dhëndri pretendon se ka gjetur, Carlo Bollino sqaron: “Do të mjaftonte që dhëndri i Berishës dhe Belo Kellici të dorëzonin provat e vjetra, duke qenë se deri më sot nuk e kanë bërë. ‘Prova e re’ që ata ekspozojnë me kaq krenari është PDV-ja e viteve 2012–2013, e gjendshme kollaj në arkivat e bashkisë, por që nuk ka asnjë lidhje me këtë rast, pasi bëhet fjalë për një propozim të anuluar nga qeveria që në vitin 2014, pra pesë vite përpara se Report TV të kërkonte marrjen me qira të asaj godine. Gjithsesi, duke qenë se deri në vitin 2015 kryetar i Bashkisë së Tiranës ka qenë Lulzim Basha, ndoshta duhet të pyesin pikërisht atë pse nuk e ka nisur kurrë projektin e shkollës, të paktën sa kohë ajo PDV ishte ende në fuqi.”