PRISHTINË, 14 Mars/ATSH/.- Demarkacioni i kufirit Kosovë- Mali i Zi, që cënon territore të mëdha të zonës së Rugovës, është bërë shqetësimi i dytë, pas zhvillimit ekonomik, për biznesmenin dhe deputetin e PDK-së, Ramiz Kelmendin.
Sipas KosovaPress, Kelmendi kërkon nga shteti që të veprojë shpejt ndaj kësaj problematike, e cila tashmë ka nxitur debat dhe reagime te komuniteti.
"Institucionet e Kosovës të përkujdesen më shumë dhe të mos lejojnë që këto debate të bëhen shqetësuese, por të hapin procedurat ligjore për vendosjen e këtij kufiri në vendin e duhur, ku ne mendojmë që ka qenë dhe që duhet të jetë", thotë ai në një intervistë për TV 'Dukagjini'.
Gjykata e arbitrazhit mund të jetë zgjidhja që do të kënaqte të dyja palët, sipas Kelmendit, i cili kujton se edhe Mali i Zi edhe Kosova kanë disa kushte nga BE-ja se si duhet të sillen në fqinjësi.
"Besoj se Gjykata e Arbitrazhit e ndanë në mënyrë profesionale këtë çështje dhe i plotëson kërkesat e qytetarëve të dy palëve", thotë Kelemendi. Kelmendi më tej shton se komunitetit duhet t'i jepet garancia se çështja do të zgjidhet drejt, e jo t'i kërkohet durim kur nuk ka afate të përcaktuara.
Ramiz Kelmendi, edhe pse partia e tij është në qeverisje, jo rrallë kërkon nga Qeveria veprime konkrete në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe çështjes së demarkacionit kufitar në zonën e Rugovës./m.m/












