Këndi i Ekspertit/ Si kalohet pa pagesë pronësia e tokës së marrë me Ligjin nr. 7501

Këndi i Ekspertit/ Si kalohet pa pagesë pronësia e tokës së marrë me Ligjin nr. 7501

Eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj te Këndi i Ekspertit

Pas një ndërprerje ka filluar sërish në Report TV emisioni “Këndi i ekspertit”, i drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli. Si çdo të hënë edhe në këtë javë ka qenë i ftuar në këtë emision eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj. Eksperti ka sqaruar udhëzimet e fundit që po aplikohen për regjistrimin e pronave në hipoteka, por edhe për kalimin e pronësisë brenda familjes. Begaj ka sqaruar se si duhet të bëhet procedura dhe rastet kur nuk paguhet taksë për të kaluar titullin e pronës brenda një personi tjetër të familjes.

Në datën 30.07.2018 ka dalë një udhëzim nga Ministria e Financave për të gjitha hipotekat dhe tashmë është në zbatim. Ç’është ky udhëzim dhe ku janë të favorizuar qytetarët?
Ne kemi prekur të gjitha temat e pronave në përgjithësi, por në muajin shtator, siç e kemi paralajmëruar, u bë një ndryshim për sa i përket tatimit të kalimit të pronësisë nga një individ te tjetri ose brenda familjes. Për këtë, Ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim, ku sqaron dhe udhëzon të gjitha hipotekat e Republikës ndryshimin e procedurës së kalimit të pronës brenda familjes për tokat bujqësore dhe risia e këtij udhëzimi, që nuk ka qenë trajtuar më parë, është kalimi i pronësisë nga një individ te tjetri kur bëhet shkëmbim pronash. Po sqaroj këtë pjesën e dytë, d.m.th. në qoftë se unë kam një apartament dhe ti ke një tokë bujqësore dhe ne duam të bëjmë shkëmbim pronash, nëse deri para muajit shtator nuk tatoheshim, por thjesht bëhej shkëmbimi vetëm me një akt noterial, tani ligji ka ndryshuar. Pra, kjo kontratë do të tatohet. Tatimin 15 % do ta paguajë ai që ka pronën ose vlerën më të madhe. Ky quhet tatim mbi kalimin e pronësisë. Ky udhëzim ka filluar të zbatohet që në muajin shtator, në të gjitha hipotekat. Kemi dhe pjesë tjetër të udhëzimit, që është kalimi i pronësisë brenda familjes sepse kemi rastet e trashëgimisë, d.m.th. kur një familjar humb jetën dhe prona e tij duhet të kalojë te familjarët e tjerë. Udhëzimi për këto raste mendohet që të fillojë zbatimin në muajin janar.

Të flasim për Ligjin nr. 7501. Çfarë ka ndodhur?
Në qoftë se babai dëshironte t’i dhuronte djalit një tokë apo një pjesë toke, në certifikatën e tokës ishte vetëm emri i kryefamiljarit dhe në momentin e dhurimit ai ishte i detyruar që të paguante tatimin prej 15%. Tani, me udhëzimin e ri, ky tatim brenda familjes është hequr. Ky është lajm i mirë. Tani thjesht me një deklaratë noteriale bëhet akti i dhurimit, por duhet të kemi parasysh se nuk është kështu për të gjitha rastet. Bëhet fjalë vetëm për ata që kanë qenë brenda listës në çastin kur janë furnizuar me tokë, në korrik 1991 – korrik 1992. Sepse mund të ndodhë që një person të ketë qenë jashtë certifikatës familjare më përpara dhe në këtë rast ai trajtohet ndryshe. Nëse kjo është një tokë e falur nga shteti, personi është në trungun familjar, por është jashtë certifikatës familjare në çastin e faljes së tokës.

Këto janë ndryshimet e reja që kanë ndodhur në këto muaj. Gjithashtu presim edhe disa ndryshime të tjera, si p.sh. hipotekat të bashkohen me ALUIZNI-n dhe ky bashkim mund të sjellë edhe një risi, d.m.th. që njerëzit të mos sorollaten, por shërbimin e duhur ta marrin brenda një institucioni. Presim që brenda muajit tetor këto dy institucione të bashkohen me njëra-tjetrën. Kështu që qytetarët aplikimin do ta bëjnë në një sportel të vetëm. Qytetarët nuk është e nevojshme që të shkojnë pastaj në të dy institucionet, por thjesht do të aplikojnë në një sportel dhe po aty do të marrin edhe certifikatën.

Flas nga njësia administrative e Kasharit. Jam banor autokton i fshatit Mazrek. Unë jam trajtuar me Ligjin nr. 7501, në vitin 1991. Kam formularin nr. 6. Kam certifikatë familjare që kam qenë banor i fshatit. Nuk më është plotësuar tapia e pronës që nga viti 1991 deri më 1997. Kam shkuar në të gjitha dikasteret përkatëse dhe nuk kam gjetur asnjë zgjidhje. Si duhet të veproj?
Nga të gjitha dokumentet që duhen, si akti i marrjes së tokës në pronësi, lista e trojeve etj., zotëria ka marrë vetëm formularin nr. 6. Ky është një dokument bazik që është pjesë e Ligjit nr. 7501. Zotëria duhet të drejtohet në qendrën administrative të Kasharit, së bashku me një certifikatë familjare të vitit 1991 të cilën do ta tërheqë nga gjendja civile, së bashku me formularin nr. 6 që ai zotëron, në qoftë se ka edhe gentplane të bëra ose plane rilevimi nga topografët e mëparshëm ose mund t’i bëjë edhe tani. Me të gjitha këto dokumente duhet të bëjë kërkesën që t’i jepet tapia sepse ai e ka tokën si gjendje, por nuk ka dokumentacionin që e njeh si pronar. Qendra administrative është e detyruar që ta sistemojë dhe ta përcjellë pranë bashkisë së madhe, e cila ka detyrimin ligjor. Ministri i Bujqësisë ka thënë që, për tokat bujqësore është lënë edhe një afat që ato të sistemohen. Zotëria duhet të shkojë sa më shpejt pranë qendrës së tij administrative, që të dorëzojë dokumentacionin e duhur. Është detyrë e qendrës administrative që të vazhdojë me regjistrimin. Nëse ai është banor autokton normalisht që toka është e tij, është vetëm çështje procedurash.

Jam qytetare e Tiranës që prej vitit 1954. Kam dokumentet e hipotekës që nga viti 1989 e deri më sot. Banoj në Njësinë Administrative nr. 6. Tani më thonë që duhet të pajisem me dokumente në Njësinë Administrative të Kasharit. Përse kur unë dhe babai im kemi 100 vite në Tiranë?
Në këtë rast kemi të bëjmë me ndarjen e zonave kadastrale. Shumë qytetarë nuk e kuptojnë sepse ky është një term për specialistët. Do të thotë që rruga që ndan pjesën e Kasharit, pra që e merr Kashari dhe pjesën që e merr Tirana. D.m.th. rruga që lidh ish-Kombinatin Ushqimor me KMY-në ndan të dyja këto zona kadastrale. Këtu ka vepruar me hartë edhe qyteti i Tiranës edhe Kashari. Dhe përfundimisht është lënë që pajisjen me certifikata ta bëjë Njësia Administrative e Kasharit. Normalisht që zonja dokumentet i ka në Njësinë Administrative nr. 6 në Kombinat sepse aty gjendet gjendja civile, por pronën e ka në komunën e Kasharit. Zonja është e detyruar që dokumentet e pronës t’i dorëzojë në qendrën administrative të Kasharit dhe certifikatën e pronës do ta marrë po aty. D.m.th. pjesa e KMY-së dhe vetë KMY-ja është pjesë e Kasharit. Pra, ka shumë qytetarë që dokumentet e gjendjes civile i marrin në qytet, ndërsa shtëpinë e kanë në zonën kadastrale të fshatit. Nëse zonja ende është e paqartë, siç pretendon, unë e mirëpres në studion ligjore “Bylis” së bashku me dokumentet që zotëron, të cilat do t’i studiojnë specialistët përkatës dhe zonja të sqarohet përfundimisht.

Jam nga Peqini. Kam marrë tokë sipas Ligjit nr. 7501. Si mund t’ua jap unë fëmijëve të mi këtë tokë?
Siç e thashë edhe në fillim, ka dalë një udhëzim i ri për tokat bujqësore, për kalimin e tyre brenda familjes. Zotëria është kryefamiljari. Procedura është shumë e thjeshtë. Ata do të paraqiten te një zyrë noteriale. Duhet bërë edhe një plan rilevimi që ta ndajë pasurinë nga pjesa tjetër, nëse do ta ndajë më vete. Në qoftë se do ta lërë brenda certifikatës, mund ta dhurojë brenda familjes dhe mund të rrijë brenda trungut. Me një deklaratë, duke u bazuar edhe te certifikata e vitit 1991, ku vërtetohet që personit që i dhurohet toka ka qenë pjesë e familjes. Nuk do të tatohet kalimi i pronësisë me vlerën 15%. Thjesht do të bëhet një akt noterial te noteri që personi merr pjesën e vet sepse normalisht këtë tokë shteti ua ka dhuruar personave që nga 1 vjeç e sipër dhe ka qenë tokë e falur nga shteti. Por që certifikatat e pronësisë të mos mbusheshin me shumë emra, shkruhej vetëm emri i kryefamiljarit në tapi. Dokumentet që do të paguhen janë akti noterial dhe kontrata në hipotekë. Këto janë normalisht dokumente të detyrueshme për t’u paguar për çdo kalim pronësie.

Flas nga Elbasani. Në vitin 1991 kam marrë një magazinë në qytetin e Elbasanit. Është bërë matja fizike e saj. Kur është matur për herë të dytë, pas 10 vitesh, sipërfaqja e saj doli më e madhe, rreth 15 m2 dhe gjeometri hoqi një pjesë brenda ndërtesës që e zotëroj po unë, por që nuk kam dokument për të. Jam i paqartë. Si duhet të veproj?
Ky është një problem që rregullohet. Ju duhet të bëni një kërkesë për korrigjimin e sipërfaqes së magazinës sipas faktit, pranë hipotekës së Elbasanit. Duhet të dorëzoni gjithashtu edhe një plan rilevimi, me të cilin evidentohet sipërfaqja më e madhe se sa origjina që ju keni marrë. Specialistët e hipotekës do t’ju japin udhëzimet se si do të veproni më tej për korrigjimin e kësaj teprice që ju ta keni përsëri me dokument ligjor.

Flas nga Tirana. Jemi në kushtet që disponojmë një tokë në qytetin e Fierit, të dhuruar verbalisht, pa asnjë dokument, nga xhaxhallarët. Toka figuron e trashëguar nga gjyshi. Nuk disponojmë asnjë lloj dokumenti. Toka është në përdorimin tonë. Nuk dimë se si duhet të veprojmë që të pajisemi me dokumentet e duhura.
Atëherë, kjo tokë që ju keni dhe që pretendoni se jua kanë dhuruar xhaxhallarët, rrjedh si trashëgimi e gjyshit tuaj, ku normalisht trashëgimtar është edhe babai juaj. Duhet të ndiqni procedurat standarde pranë Komisionit të Kthimit të Pronave, me qëllim që të bëhet kthimi i pronës në origjinë dhe pastaj ju të merrni pjesën që ju takon. Xhaxhallarët tuaj, meqenëse babai juaj nuk jeton më, duhet të bëjnë një dosje pranë Komisionit të Kthimit të Pronave dhe pastaj, me marrjen e një dokumenti ligjor, pranë një zyre noteriale duhet që t’ju dhurojnë pjesën që juve ju takon ligjërisht. Atëherë ju do të njiheni si pronare. Por, patjetër duhet të vijoni procedurat pranë Komisionit të Kthimit të Pronave. Në qoftë se ju jeni larguar nga fshati përpara vitit 1991 nuk jeni përfituese e tokës nga Ligji nr. 7501, por janë xhaxhallarët tuaj që jetojnë në fshat. Pastaj se çfarë ata ju dhurojnë juve, është tjetër problem. Këtë çështje duhet ta sqaroni fillimisht brenda fisit. Xhaxhallarët kanë të drejtë ligjore që tokën ta marrin nga Ligji nr. 7501 sepse jua jep ligji dhe janë edhe në tokën e babait të tyre. Kjo varet nga marrëdhëniet që keni ju, që ata t’ju dhurojnë nga pjesa e babait tuaj. Këto janë marrëdhënie të brendshme të familjes dhe që zgjidhen me marrëveshje.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emanuela: 12/05/2019 20:02

    Mirëmbrëma.. Un jam nji vajz 32 vjeçare babai ime në vitin 1991 me ka pas në certifikatën e tij familjar.. Në ato vite babai im ka mar tokën sipas ligjit 7501... Un për tani jetoi në Gjermani.. Babai im më ka braktisur që kur isha 2 vjeçe.. Tani ka dhe 2 fëmijë tjerë... 30 vjeçar e 25 vjeç.. Un dua të dij kam pjes tek ajo tok? Meqë unë në atë kohë isha tek certifikata e tij?

    Përgjigju
  • Bledar: 23/01/2019 21:17

    Kam nevoje per nje sqarim.kam bere shtepine ne token e bukes qe ma dha babai im.kam 5 vjet qe nuk bej dot tapine e shtepi se sepse babai in nuk ka paguar taksat e tokave nga 2006 e siper.ne jemi 6 veta pjesetar dhe flitet per tokat e tjera qe mua Sme interesojne.si tja bej qe te paguaj vetem pjesen e tokes ku kam bere shtepine qe te bej tapine ???une jetoj ne itali.po shtepine e kemi bere me nje sakrifice te madhe.bledari nga kavaja

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Rama për protestën para takimit në Londër: Të nxitur nga të verbërit në Tiranë! Ish-ministrja e Brendshme quajti shqiptarët pushtues

Rama për protestën para takimit në Londër: Të nxitur nga të verbërit në Tiranë! Ish-ministrja e Brendshme quajti shqiptarët pushtues