Kenia mban zi për vdekjen e 148 personave në sulmin e kampusit universitar nga grupi terrorist i Al-Shabab në Garissa, ndërsa mjaft pyetje janë ngritur mbi sigurinë e institucionit.
 
Burimet inteligjente kishin dijeni mbi një sulm të mundshëm terrorist në një shkollë ose në një universitet, por institucionet i kishin neglizhuar këto paralajmërime serioze duke mos rritur nivelin e sigurisë. Ndërkohë, Al-Shabab, grup që vepron në Somali, ka kërcënuar për “një luftë të gjatë dhe të ashpër” kundër Kenias.
 
Dëshmitarët nga ana tjetër e bëjnë këtë masakër akoma më tronditëse me rrëfimet e tyre, ndërsa tregojnë sesi sulmuesit i vrisnin studentët një nga një, e sesi vazhdonin t’a bënin këtë papushim.
 
 Sipas dëshmitarëve që mundën të shpëtonin duke u lyer me gjakun e trupave të vrarë të miqve të tyre e duke u hequr si të vdekur, atentatorët e njihnin shumë mirë kampusin si dhe merrnin udhëzime nëpërmjet telefonit për veprimet e tyre.
 
Mbi 100 persona janë të plagosur e dhjetra në gjendje kritike për jetën, ndërsa trupat e viktimave janë tërhequr nga vendngjarja e priten të kryhen homazhe e ceremoni në nderim të tyre. Deri më tani janë arrestuar 5 persona të dyshuar si bashkëpuntorë të terroristëve që sulmuan kampusin universitar dy ditë më parë.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)