Ushtria islamike në Irak dhe Siri ka shpërndarë dy video ku paralajmëron një hakmarrje kundër koalicionit, nën apelin e presidentit Obama, të shteteve anti-ISIS. Në video u bëhet apel ekstremistëve: “Vishni rripat me eksploziv.”
 
Në videon e parë, të zbuluar nga media të ndryshme në rajon dhe nga inteligjenca ndërkombëtare, e publikuar dy ditë më parë dhe mbi të cilën ende nuk ka siguri mbi autenticitetin, deklarohet hapur: “Shteti Islamik do të rezistojë pavarësisht komploteve tuaja, armëve që përgatisni dhe municioneve që keni magazinuar.”
 
Më pas, po në këtë video, i bëhet apel xhihadistëve: “Përcaktoni objektivat tuaja, përgatisni autobombat, ngarkesat dhe rripat me eksploziv për të qëlluar ashpër dhe për të vrarë!”
 
Në video, pas thirrjes për atentate, shfaqen imazhet e Obamës, mbretit saudit Abdullah, kryeministrit britanik David Cameron, sekretarit të Shtetit të SHBA, John Kerry dhe të një mbledhjeje të këtyre liderëve, sipas videos, në Gedda.
 
Videoja e dytë, për momentin “offline”, profetizon “Luftën kundër Europës dhe të krishterëve në Siri”. Në videon në fjalë shfaqet dhe një flamur i Al-Qaedas që mbulon ato të SHBA, Izraelit, Britanisë së Madhe , Arabisë Saudite dhe atë të Gjermanisë. Gjithashtu al Arabyia ka zbuluar kërcënime të tjera të ISIS, në Twitter, ndaj Egjiptit. “Përgatituni për një surprizë, shumë shpejt” është mesazhi, i kombinuar dhe me një thirrje për një bashkim në luftë midis komunitetit të Vëllezërve Mysliman në Egjipt dhe Kalifatit Islamik.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)