Pas deklaratave të tij, organi hetimor ka vendosur të lëshojë urdhër-arresti ndaj Shullazit dhe krahut të djathtë të tij Gilmando Dani, nën akuzën e pjesmarrëjes në organizata kriminale. Gjithashtu, sipas burimeve nga prokuroria, ndaj Shullazit Prokuroria e Krimeve të rënda ka edhe dy procedime të tjera per gjobëvënieje.
Sa i përket rastit të kërcënimit, ai pritet të akuzohet për shtrëngim me dhunë ose kanosje, për të ushtruar të drejtën e zgjedhjes, ose për t’u zgjedhur. Burime të policisë dhe organit të akuzës thonë që ka pasur një dakordësi mes këtyre institucioneve për të ndaluar Shullazin dhe Danin, duke marrë shkak nga publikimi i ngjarjes së djeshme. Gilmando Dani, njihet si krahu i djathtë i Shullazit, dhe emri i tij është përmendur në disa ngjarje kriminale në Tiranë. Urdhër-arresti u lëshua pas takimit të kryeprokurorit Adriatik Llalla me kreun e Policisë Haki Cako e kreun e prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha.
Mësohet se Shullazit dhe Danit iu komunikua urdhër-arresti në ambientet e Policisë së Tiranës, ndërsa çështjen e ka marrë në ngarkim Prokuroria e Krimeve të Rënda. Orë më parë se të merrej ky vendim nga prokuroria, Shullazi u shoqërua në Polici, duke mos bërë rezistencë. Sipas burimeve, gjatë marrjes në pyetje Shullazi i ka mohuar deklaratat e Berishës, duke i quajtur ato si mashtrime. Në kuadër të këtyre verifikimeve, forca të shumta policie kanë kryer disa kontrolle policore në disa banesa në rrugën e Kavajës.
Gjatë kontrolleve mësohet të jenë sekuestruar disa aparate telefonike, të cilat do verifikohen nëse kanë dërguar sms kërcënuese ose jo në adresë të profesorit Mynyr Koni.
Akuzat ndaj Shullazit sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë disa:
Gjobëvenie
Shkatërrim prone me eksploziv, (Ne zonen e parkut te autobusave)
Kërcënim
Krijim të grupi të strukturuar kriminal.
Kush eshte Emiljano Shullazi?
Ky nuk është rasti i parë që Emiljano Shullazi përmendet nga ish-kryeministri Berisha për kërcënime. Pak kohë më parë, Shullazi u përmend nga Berisha se kishte kërcënuar në një lokal ish-deputeten e PD Voltana Ademi, sot kryebashkiake e Shkodrës. Sipas Berishës, veç Ademit, Shullazi kërcënoi dhe kreun e opozitës Lulzim Basha, ndaj të cilit në atë periudhë u shtuan masat e sigurisë.
Për kërcënimin e Ademit dhe Bashës, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet, por vetëm disa muaj verifikime dhe hetimet janë pushuar nga prokuroria.
Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ish-deputetja deputetja e PD Voltana Ademi ka deklaruar se ndodhej në ambjentet e një lokali nën shoqërinë e një shoqes së saj, në momentin kur Emiljano Shullazi sipas saj i ka deklaruar: ”…jam Emiljano Shullazi dhe kam një mesazh.I thuaj kryetarit të mos flasë shumë për mua, se do i ketë punët keq. Të mos më përmendë më emrin…”.
Në fakt ky mesazh është “transportuar” menjëherë nga ish-deputetja Ademi në veshin e kreut të PD Lulzim Basha, i cili në 9 janar 2015 urdhëroi të nxirte Arben Ristanin në konferencë shtypi, duke pohuar se kryeopozitari ishte kërcënuar nga Shullazi dhe se ndihej realisht i kërcënuar.
Emiljano Shullazi
Gilamndo Dani
Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)