Kërcënimi i Konit, Tahiri në
Prokurori: Kontribut për shtetin
Arkiv/Të gjitha lajmet për Shullazin

Kërcënimi i Konit, Tahiri në<br />Prokurori: Kontribut për shtetin<br />Arkiv/Të gjitha lajmet për Shullazin
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka dëshmuar për rreth një orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me kërcënimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni nga i arrestuari Emiliano Shullazi. 

Tahiri u shpreh për mediat se dha kontributin e tij për një shtet më të fortë. Sipas tij, përpara ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë. 
 
 "Dhashë kontribut për një shtet më të fortë. Në vazhdim të kontributit tim për të bërë shtet më të fortë. Jam i bindur se si kontributi im dhe i juaj e çdo qytetari e kujtdo në politikë edhe atyre që e kanë të vështirë të paraqiten edhe kur vrasin e vjedhin, ndihmon që të kemi një Shqipëri të drejtë, drejtësia të vlejë njëlloj, qytetarët të jenë të barabartë dhe jo ca të dorës së parë e ca të dorës së dytë. Kjo është arsyeja pse duhet reforma në drejtësi, politikanë që respektojnë ligjin, arsyeja pse reforma i jep zgjidhje të gjithë përpjekjes dhe aspiratës së shqiptarëve për të pasur drejtësinë që duan", u shpreh Tahiri.
 
Tahiri iu përgjigj interesit të medias edhe për akuzat e ish-kryeministrit Berisha për lidhje të tij me Shullazin. 

"Kush më ka përfolur? Unë jam mësuar me akuzat e Saliut dhe vetëm më bëjnë më të fortë, nuk jam si Saliu që vret njerëz si në gërdec dhe 21 janar dhe nuk paraqitet në prokurori, e konceptoj detyrën ndryshe dhe do luftoj deri ditën e fundit", tha ai.

I pyetur nëse i ka mbetur peng si ish-ministër i Brendshëm që nuk arrestoi dot Kelmend Balilin, Tahiri u përgjigj se gjatë ushtrimit të detyrës së tij Balili u shpall në kërkim dhe nuk ka ku t'i shpëtojë drejtësisë. 
 
"Nuk më ka ngelur asnjë peng, Balili në kohën që ushtroja unë detyrën nga person drejtues u bë person në kërkim dhe kjo është arritje e madhe, arrestohet nesër apo pas një viti është çështje e policisë. Ai u bë person në kërkim dhe që ka titullin mbi kokë për t'u ballafaquar me drejtësinë", tha Tahiri. 

Edhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka dëshmuar përpara Prokurorisë së Krimeve të Rënda lidhur me kërcënimin e Konit. Ajo theksoi se drejtësisë duhet t'i përgjigjen të gjithë.  

Tahiri dhe Nikolla në Prokurori
Dy funksionarë të lartë të qeverisë “Rama”, ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolli dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, janë marrë në pyetje paraditen e kësaj të premte, për çështjen e kërcënimit të pedagogut dhe rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni.
 
Tahiri u thirr për të dëshmuar në lidhje me masat dhe mënyrën së si është vënë në dijeni për kërcënimin e Mynyr Konit dhe Dhori Kules në prill të 2016.
 
Edhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, është thirrur për të dhënë deklarime për çështjen e Emiljano Shullazit.
 
Shoqërimi e më pas arrestimi i Emiljano Shullazit në prill të vitit 2016 shënoi një përplasje mes Policisë dhe Prokurorisë. Kjo pasi rasti i kërcënimit të rektorëve Dhori Kule e Mynyr Koni u bë publik nga ish-kryeministri Sali Berisha, pasi dy të dëmtuarit nuk kishin bërë kallëzim.
 
Ndërsa Policia e shoqëroi Shullazin për ta marrë në pyetje në lidhje me kërcënimin e rektorëve dhe po përgatitej ta linte të lirë, dy oficerë të Krimeve të Rënda paraqitën dorazi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës urdhërarrestin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
 
Kanosja ndaj dy profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule, ndodhi në kohën e zgjedhjeve për organet drejtuese në universitete. 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)