Bledar Metaj rrëfen për “Shqiptarja.com” ngjarjen që i ka ndodhur në ambientet e kafe-internet dhe largimin e tij të nesërmen bashkë me gruan dhe dy fëmijët në Finlandën e largët, ku autoritet vendase e kanë vendosur në një kamp. “Prej katër vjetësh unë kam ngritur një biznesin tim në një kafe-internet në katin e parë të pallatit “Aleksandria” në Skelë në Vlorë. Kurse ca të holla kur punova emigrant dhe megjithë të ardhurat e pakta, jetoja bashkë me familjen, gruan dhe dy fëmijët. Një arsye më shumë që nuk u ktheva përsëri në emigracion ishte fakti që prindërit e mi jetonin vetëm në Vlorë. Kam qenë korrekt në shlyerjen e të gjitha detyrimeve, që kërkonte shteti dhe nuk u kisha ndonjë borxh të rinjve që më kërcënuan me jetën” tregon Metaj.
Çfarë ndodhi, z. Metaj?
Si çdo ditë të punës sime edhe atë mbrëmje, isha në ambientet e kafe internet, në pritje të klientëve, që aty janë të shumtë, kryesisht adoleshentë. Rreth orës 20.30, futen një grup të rinjsh, që dukeshin që në pamje të parë se ishin përdorues të alkolit, apo edhe të drogës. Në këto momente nuk kishte asnjë kompjuter bosh, që ata të uleshin, ndaj ju kërkova të dilnin jashtë, dhe kur të lirohej një vend, të përdornin internetin. Lutjes sime ata iu përgjigjën me arrogancë, duke ngritur me dhunë një të ri, që po punonte dhe këtë gjest po e bënin edhe të tjerët, duke krijuar një situatë dhune në ambientin e kafe-internet. Në këto rrethana kërkova largimin e tyre, pasi do të mbyllja lokalin, por ata më kërcënuan, duke më thënë: Do ti thyejmë të gjithë kompjuterat. Rri urtë se do ta pësosh. Më befasoi indiferentizmi i njerëzve që ishin në lokalet pranë.(Kafe –internet është midis dy kafeneve). Kur dëgjova njëri që i tha shokut të tij “shko merr kallashin”, atëherë u detyrova të largohem, duke njoftuar babanë që të shkonte të mbyllte lokalin. Të nesërmen mora fëmijët dhe gruan dhe u nisa për në shtetin më të largët në Finlandë.
Keni vënë në dijeni policinë për këtë ngjarje?
Këtë duhet ta bënin ata që shikonin se çfarë po ndodhte, unë u ndjeva i kërcënuar me jetën dhe u largova. Nuk i njoh të rinjtë, ne jemi ardhës në Vlorë, por sikurse më tha babai, kur shkoi në lokal, gjeti kompjutera të thyer, e kishin kërcënuar edhe atë duke i thënë se “Do t’ia gjejmë anën djalit tënd, Bledit”.Që nga ajo natë lokali është mbyllur, por janë mbyllur në shtëpi edhe dy prindërit e moshuar, pasi edhe ata janë kërcënuar edhe me telefon, duke i thënë: ”Na trego, ku e ke djalin, se do ta pësosh ti”.
Si u larguat dhe pse vendosët të udhëtoni për në Finlandë?
Ngjarjen ia tregova fije për pe bashkëshortes dhe prindërve dhe të gjithë ishim në një mëndje: Të largohesha nga Vlora. Në mëngjes herët bashkë me gruan dhe dy fëmijët e vegjël gjetëm mundësinë dhe u larguam fillimisht drejt një shteti fqinjë, pastaj për në Finlandë.
Jemi vendosur në Kampin e Lappeeranta, na kanë dhënë një apartament të vogël, ku janë edhe familjarë të tjerë nga shumë shtete. Ju tregova historinë autoriteteve të kampit dhe ju kërkova të më marrin në mbrojtje. Jemi të izoluar.
Ka shqiptarë të tjerë aty?
Kam 40 ditë këtu dhe sikurse më thonë jam shqiptari i vetëm mes qindra sirianëve, që kanë ikur nga lufta, ka nga Afrika e shumë vende të tjera. Megjithë përkujdesjen është e dhimbshme për familjen tonë që të qëndrojmë këtu. Fëmijët braktisën shkollën, unë lashë biznesin dhe prindërit e moshuar, u ndamë nga të afërmit. Nuk e di se çfarë rruge do të marrë jeta jonë. Ndjehemi të traumatizuar. Nuk shtyhen ditët kështu, i vihet kryq të ardhmes.
Ndoshta kjo situatë është krijuar për shkak të dozës së alkolit, tashmë është tejkaluar. Mendoni të ktheheni në Vlorë?
Kjo është dëshira jonë të kthehemi, por shteti duhet të na sigurojë jetën. Të jesh në punën tënde, të mos kesh asnjë konflikt e zënkë dhe të vijnë të kërcënojnë me jetën? Kjo e ka emrin pasiguri. Që këndej nga kampi i bëj thirrje kryeministrit Edi Rama: Forco rendin, më siguro jetën mua dhe familjes, më krijo mundësi për të punuar i qetë me biznesin tim.
Shkrimi u publikua sot (09.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)