Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet, i mbledhur pasditen e së dielës nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta vendosi të shtyjë për të martën 31 mars (ora 12:00), shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Mark Frroku. Vendimi i Këshillit erdhi pas kërkesës procedurale të dy avokatëve, të cilët u shprehën për praninë e Mark Frrokut në mbledhje.
Këshilli i Mandateve u mblodh për të dytën herë brenda pak ditëve për të shqyrtuar kërkesën e organit të akuzës për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Mark Frroku, pasi dyshohet se është përfshirë në një vrasje të kryer në vitin 1999 në Belgjikë.
Kërkesa erdhi pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore belge nxorën urdhërin e arrestit ndërkombëtar, bëri të ditur të shtunën organi i akuzës.
Tre ditë më parë parlamenti miratoi kërkesën e parë për arrestimin e deputeti Mark Frroku, lidhur me çështjen 'Doshi'.
Për këtë çështje, Gjykata e Lartë vendosi të shtunën të lërë në arrest shtëpie deputetin Frroku. I njëjti vendim u mor dje dhe ndaj deputetit Tom Doshi./atsh/