TIRANË- PS nuk ia jep autorizimin SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Ky është qëndrimi përfundimtar i socialistëve në raportin e Këshillit të Mandateve që do t’i përcillet për votim kuvendit. Për shumicën socialist SPAK nuk ka arritur të provojë domosdoshmërinë për arrestimin e ish-zv/kryeministre.

Kryeministri Rama e tha qartë se për ligjvënësit socialistë nuk ka asnjë arsye që të ngrenë dorën për burgosjen e Ballukut, ish nr. 2 të qeverisë.

“Që ne të ngremë dorën për të votuar kërkesën për arrest të Belinda Ballukut, duhet të kemi të paktën njërën nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë. Nuk po them prova bindëse, por të paktën njërën nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë”, tha Rama në mbledhjen e grupit të PS.

Në fjalimin e tij gati 1 orë e 20 minuta para deputetëve socialistë Rama tha se me këtë vendim mazhoranca ndihmon vetë drejtësinë.

“Na jep Kushtetua mundësinë që as të mos e humbim nga sytë dhe të kemi mundësi ta ndihmojmë viktimën më të madhe deri më sot të reformës në drejtësi, parimin e prezumimit të pafajësisë. Ky është qëndrim i prerë kundër dhënies së autorizimit për arrest ndaj një deputeteje. Është po kaq i rëndësishëm dhe parimor saç është mbështetja ndaj drejtësisë. Mosdhënia e autorizimit për arrest nuk është trysni por vetëm bërja e detyrës sonë”, tha Rama.

Por pavarësisht këtij vendimi dhe faktit që sipas tij Belinda Balluku nuk po hetohet as për vjedhje dhe as për korrupsion por për shkelje të barazisë në tendera, kreu i qeverisë e kishte pa ekuivok thirrjen ndaj SPAK.  Rama u shpreh para deputetëve socialistë se SPAK nuk pengohet në hetimin ndaj Ballukut, duke thënë se jo vetëm që duhet të përballet në gjyq me akuzën për shkelje të pabarazisë në tender, por Prokurorisë i tha që të shterojë çdo pistë që mund të çojë te korrupsioni.

“Nuk kam ndërmend dhe nuk më lejohet t'i mbaj pishën asnjë personi. Nuk kam jo e jo ndërmend ta shpall të pafajshme, apo të shkel për të vijën e kuqe dhe që vlen për të gjithë njësoj, duke e marrë në mbrojtje nga drejtësia......Le ta hetojnë deri në fund Belinda Ballukun. La ta ulin në gjyq për shkelje të barazisë në tendera të bërë para 6 viteve, por të mos fyejnë inteligjencën tonë dhe të na thonë që ajo prish provat. Pastaj gjykata të vendosë si ta shoh atë arsyeshme, është plotësisht pushtet i pavarur. Ky është qëndrimi jonë, pikë”, vijoi kryeministri.

Në fund edhe vetë Ballukut ia bërë të qartë se nga tani e tutje është vetëm. Rama u shpreh se nuk ka ndërmend ta shkelë vijën e kuqe në raport me drejtësinë as për rastin e ish-numrit 2 të qeverisë, duke thënë se nuk e "kam as të mundur, por as të lejuar, qoftë nga ligji dhe nga zakoni që t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori".

“I uroj fatin që meriton cilido qoftë fati i saj në betejën ligjore që do të ketë në krah vetëm avokatët e saj”, theksoi Rama.

Rama i bëri një bilanc të gjatë punës transformuese siç tha ai të Ballukut në 7 vite si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë por edhe suksesin e saj të madh elektoral, teksa e konfirmoi siu drejtuese politike të PS në Qarkun e Fierit. Ai kritikoi ashpër SPAK dhe GJKKO-në për turravrapin absurd siç i quajti veprimet për masat e sigurisë ndërsa sikletin ku kjo çështje e futi mazhorancën që ai drejton e shpreh kështu: “Për të legjitimuar një kërkesë ekstreme të arrestit me burg pa gjyq na vënë në pozitën absurde ne, shumicën socialiste që i kemi dhënë shpirtin betejës për reformën në drejtësi por i kemi vënë në dispozicion dhe lëkurën drejtësisë së pavarur.”

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:19
Rama: Në këtë betejë, Balluku ka në krah vetëm avokatët e saj! Ia refuzova tre herë dorëheqjen sepse GJKKO u kuturis

 

Kryeministri Edi Rama thotë se ia refuzoi tre herë kërkesën për dorëheqje Belinda Ballukut, pasi sipas tij GJKKO u kuturis (me apo padashje) dhe ndërhyri në kompetencat e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Rama tha se vetëm PS-ja është garante e drejtësisë, duke theksuar se Belinda Balluku në betejën me drejtësinë do te këtë në krah vetëm avokatët e saj.

“Ne dhe vetëm ne jemi garantët e pavarësisë së drejtësisë, edhe sot me mënyrën si po i qasemi kërkesës për të autorizuar arrestimin e një deputeteje, ne po e provojmë katërçipërisht edhe këtë. Fola gjatë deri këtu, por as ju dhe askush që ka arritur të dëgjojë ato që kam thënë deri tani, nuk keni dëgjuar asnjë llaf që të lëndoj autoritetin e prokurorit, që të hedhë poshtë motivin e hetimit, që të bëj avokatinë e ballukut për çështjen, e lërë të angazhojë këtë fuqi të madhe që merr para të madh e të vogël, për t’i vendosur përballë prokurorëve një mur me presion, zero. Sepse unë e respektoj pavarësinë e prokurorit. Belinda në këtë betejë ligjore do ketë në krah vetëm avokatët e saj, i kërkoj ndjesë për refuzimin e 3 kërkesave për dorëheqje. I kam refuzuar vetëm sepse drejtësia, pushteti i pavarur gjyqësor u kuturis pa ose me dashje, këtë do ta mësojmë dhe të jeni të sigurt që po e mësova do t’ua tregoj, në territorin e pavarësisë së pushtetit të pavarur ekzekutiv dhe legjislativ. Pushteti këtu buron nga vota e popullit dhe kjo për mua ishte dhe do të jetë e patolerushme sa të jem unë në këtë detyrë”, tha Rama.

Ora 12:09
‘I zgjedhuri nga populli nuk është trofe për SPAK’, Rama: Kur të vijnë për të kërkuar arrestimin e deputetit, të vijnë me prova, jo me incizime me dy gra

 

Kryeministri Edi Rama tha se në kurriz të votës së shqiptarëve, sistemi i drejtësisë nuk mund të shtëpisë nëpër pazar si triumf  në emër të drejtësisë.

“Më shumë të burgosur pas gjyqe të cilët hanë e pinë me paratë e taksapaguesve ndërkohë që mund të jenë atje komplet të pafajshëm. Jetojnë në kurriz të të tjerëve, sesa të burgosur me gjyq. Hajde ta fusim se na ka ardhur një muhabet. Ku jemi këtu? Çfarë është një njeri i zgjedhur nga populli, kokë për tu marrë si trofe në pjatën e pazarit dhe për tu shëtitur në Pazar në emër të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit pasi është zhgaravitur? Ra grup i strukturuar kriminal për Ilir Beqajn, Për Ilir Beqaj, s’kam folur ndonjëherë për të për të respektuar vijën e kuqe. Po tani që ka një vendim pasi u ngrit e ul si grup i strukturuar kriminal, tani s’paska pasur një grup të strukturuar. Këtu prokurori kërkon e gjykatësi vrapon. Në emrin tonë jo. Me votën tonë, jo. Herë tjetër kur të vijë në kuvend jo imunitetin, nuk ka imunitet në Shqipëri ndaj hetimit, ndaj përgjimit, ndaj procesit penal për askënd nga ne që jemi këtu. Ne të ngremë dorën për të çuar në burg një deputet me këto argumente, çfarë jemi ne, bashkautor në krijimin e popullit të të paraburgosur në Shqipëri. Kur të vijnë herën tjetër, duhet të vijnë të armatosur me prova, si erdhën në 2 rastet e mëparshme. Ti vish kuvendit me një procesverbal e incizim qesharak me një grua e dy gra? Duke na vënë në pozitë absurde që i kemi dhënë shpirtin betejën reformës në drejtësi, u kemi vënë në dispozicion dhe lëkurën drejtësisë së pavarur. Bëni c’keni për të bërë. Dinjiteti i parlamentit nuk ka dalë në pazarin e gjësë së gjallë”, tha Rama.

Ora 12:08
‘Balluku’, Rama: Qëndrim i prerë kundër autorizimit për arrest! Po kryejmë thjesht detyrën

 

Kryeministri Rama theksoi me forcë se qëndrimi i PS për rrëzimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut është qëndrim i prerë.

“E di shumë mirë që do të thonë prapë, por ky është një qëndrim i prerë kundër dhënies së autorizimit për arrest të një deputeteje dhe është po aq parimor e i domosdoshëm sot sa ç’është një qëndirm paralel i prerë në mbështetje të drejtësisë për të hetuar, gjykuar e vendosur e patrysnuar nga pushteti ekzekutiv. Mosdhënia e autorizimit për arrest është thjesht kryerja e detyrës sonë. Le ta hetojnë deri në fund Belinda Ballukun, le ta ulin në gjyq për akuzën e pabarazisë në tendera, por mos të fyejnë inteligjencën tonë duke thënë se rrezikon të prishë provat. Sot që është thjesht deputete, as që bëhet fjalë. Ajo është kryekëput kërkesë që lidhet me rolin e ministrës, pastaj gjykata të vendosë si ta shohë të arsyeshme, është plotësisht e pavarur. Ky është pozicioni ynë, pikë.”, tha Rama.

Ora 12:02
Balluku kërcënoi dëshmitarët? Rama: Prokurorët e SPAK emocional, si kërkohet koka e një të zgjedhuri me muhabet telefoni

 

Kryeministri Edi Rama thotë se SPAK ka vepruar në mënyrë emocionale sa i takon rastit të Belinda Ballukut, duke çuar në Kuvend kërkesën për arrestimin e saj pasi Kushtetuesja vendosi pezullimin e vendimit të GJKKO për pezullimin e saj nga detyra. Rama thotë se SPAK solli si provë të re një inicizim mes një të pandehure dhe një bashkëbisedueseje ku pretendohet se Balluku e ka kërcënuar të ndryshojë dëshminë. Rama tha se kjo nuk ishte një provë e re, por SPAK e nxori pas vendimit të kushtetueses, duke thënë se erdhi në Kuvend dhe kërkoi kokën e një zgjedhuri me muhabete telefoni.

“Paraqitja e një incizimi mes një të pandehuri dhe një bashkëbiseduese, ku e pandehura sipas prokurorit na qenkësh kërcënuar. Nuk përmendet asgjëkundi në atë bisedë Belinda, ministrja, titullarja apo ndonjë gjë që duket si ndonjë kërcenim real. Unë vetë as nuk e kam dëgjuar as nuk kam ndërmend ta dëgjoj apo të lexoj proces verbalin, pro drejtësia ka detyrën e vet ti përdorë, që e paska shtyrë prokurorin të marrë të gjithë atë të përpjetë dhe të vijë të kërkoj arrestimin e një deputeteje, e cila është prindi i vetëm i një vajze minorene. Nuk po marr fare as për bazë faktin që kërcënimin prokurori e kishte, edhe përpara se sa ta pezullonte ministren. Ndërkohë që e nxori vetëm kur ra masa e pezullimit, duke e përdorur si rrethanë rëndësuese për të kërkuar me çdo kusht arrestin në një turra vrap i cili më shumë se sa një hap logjik i një procedure ku shfaqet një e dhënë e re, ngjan me një reagim emocional ndaj rrëzimit të masës së pezullimit nga Kushtetuesja. Nuk po them fare që një thënie e një të pandehur në të njëjti procedim nuk ka vlerën e të dëshmisë dhe nuk mund të konsiderohen si provë. S’po e quaj, e zë se e pandehuri i thotë bashkëbisedueses, Balluku më ka lidhur pas karriges, më ka vënë në fyt një thikë që kishte edhe disa pika gjaku të tharë dhe më ka thënë do të të vras, po nuk the kështu,  apo nuk bërë ashtu. Po e marr që prokororët, kanë sjellë këtë. A ka njeri të ma tregojë si mund të vihet në kuvendin e Shqipërisë me një muhabet të tillë telefoni pa bërë asnjë ballafaqim, pa bërë asnjë kryqëzim dëshmish, pa bërë asnjë verifikim kur, ku ndodhi kjo. Sado në mënyrë të tmerrshme të përshkruhet në një bisedë telefonike mes dy grash, ose burrash, aq më tepër një i pandehur me një tjetër. Si u marrka prapa hekurave kaq kollaj, se folën dy veta në telefon dhe kjo është provë e re, që nuk është as e re, dhe kur mendohet se vuhet me këtë kollajllëk në Kuvend për të kërkuar kokën e një të zgjedhuri, mbasi është bërë gjithçka për t’ia futur 7 pashë jo nën dhe, por në llum”, tha Rama.  

Ora 11:51
Rama: Prezumimi i pafajësisë, viktima më e madhe e reformës në drejtësi, morën me kamion arkivin e ministrisë dhe e futën në dosje

 

Kryeministri Edi Rama tha se viktima më e madhe e reformës në drejtësi, është parimi i prezumimit të pafajësisë. Ndër të tjera Rama tha se 16 mijë faqet dosje për Ballukun, janë arkiv i Ministrisë së Infrastrukturës.

“Arrest pa gjyq, asgjë më shumë dhe asgjë më pak, dhe kështu na jep Kushtetua mundësinë që as të mos e humbim nga sytë dhe as të kemi mundësi ta ndihmojmë viktimën më të madhe deri më sot të reformës në drejtësi, parimin e prezumimit të pafajësisë. Që ne të ngremë dorën për të votuar kërkesën për arrest të Belinda Ballukut, duhet të kemi të paktën njërën nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë. Nuk po them prova bindëse, por të paktën njërën nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë.

Po them një nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë më parë në kujtesën time që prej reformën në drejtësi kemi votuar për 2 arreste, një për shkeljen të përsëritur të vendimit të gjykatës tjetri për plot të zeza, korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie. Në këtë rast s’kemi asgjë nga këto. Ndërkohë kam dhe një problem tjetër. Materiali shumë voluminoz që e shoqëron kërkesën sic u tha dhe nga prokurori 16 mijë faqe, është tregues i dobësisë së madhe që ka kërkesa. Ato 16mijë faqe janë një kolpo e bukur propagandistike për t’i çuar fjalë të eturve për drejtësi që janë 16 mijë faqe me vjedhje. Janë tundime, prokurime, vendime, arkiva e ministrisë së Infrastrukturës nga drejtimi i Ballukut e marrë me kamion dhe e futur ë dosje. Dosje që nëse përbën provë për diçka, është prova më e fortë e madhe dhe serioze të ministrisë. Të tjerat janë dokrra. Për të isha në këshill unë do i ktheja mbrapsht i një qaje joserioze. Për mua ofenduese por mbase ofendohem lehtë”, tha Rama.

Ora 11:47
‘Gjyqi mediatik i Veliajt, masakër gurësh e pështymash’, Rama: Prezumimi i pafajësisë, viktima më e madhe e reformës në drejtësi

 

Teksa e quajti drejtësinë “të anshme” dhe “jo profesionale”, kryeministri Rama tha se rasti ‘Balluku’ s’është i pari, por as më i vështiri. Këtu solli në vëmendje dosjen e Erion Veliajt duke thënë se për të nuk ekzistoi parimi i prezumimit të pafajësisë dhe gjyqi mediatik ishte “masakër gurësh e pështymash”.

“Fatkeqësisht nuk është i pari, por fatmirësisht nuk është as më i vështiri. Ndryshe nga sa ka ndodhur me kryetarin e bashkisë së Tiranës pezumimi i pafajësisë të së cilit nuk ka ekzistuar as përpara se ai të merrej për herë të parë në pyetje dhe gjyqi mediatik ndaj të cilit ishte një tjetër masakër gurësh dhe pështymash, me libër shpie, e denjë për mesjetën dhe jo për një shoqëri europiane. Thashë fatmirësisht se na e jep ne Kushtetuta të drejtën për të gjykuar mbi dëshirën, nevojën dhe argumentet e prokurorit për të kërkuar një arrest pa gjyq se kjo është ajo që duhet ta kuptojnë të gjithë shqiptarët për pozicionin tonë, timin, arrest pa gjyq. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Kështu na e jep Kushtetuta mundësinë që as të mos e humbim nga sytë, as të mos kemi fuqi ta ndihmojmë viktimën më të madhe gjer më sot të reformës në drejtësi. E dini kush është viktima më e madhe e reformës në drejtësi? Prezumimi i pafajësisë”, tha Rama.

Ora 11:40
‘Ku ndryshojmë nga ata që dje e deshën të pushkatuar gjyshin e saj’, Rama për Ballukun: Prezumimi i pafajësisë është vija ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës

 

Kryeministri Edi Rama thotë se prezumimi i pafajësisë është vija ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës, teksa komentoi rastin e Belinda Ballukut gjatë mbledhjes së grupit të PS.

“Të gjithë ata që kanë bërë detyrën e tyre, përfshirë edhe ministren, meritojnë vetëm respekt. Atyre njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, me kushtin që të mos jenë pjesë trumës së qorrave dhe me molotovë në gojë dhe duar, por që mund të jenë mbështetës tanë, siç mund të mos jenë mbështetës tanë dhe që sidoqofshin, e kanë gjykuar pa gjyq, dënuar pa i dhënë as të drejtën të mbrohet në gjykatë për çka akuzohet dhe duan ta shohin në burg Ballukun pa pritur të hapet as dera e sallës së gjyqit, u them që ti bëjnë vetes një pyetje: Ku ndryshojmë ne, që të gjithë ne sot, apo ku duhet të ndryshojmë ne shqiptarët e sotëm pavarësisht bindjeve dhe simpative tona politike apo njerëzore, nga ata që dje e deshën të pushkatuar gjyshin e saj, apo nga ata që regjimi komunist i gjyshit të saj, i deshi modemos të pushkatuar, të burgosur, pasi ua bëri gjyqin në gazetë, radio, tv dhe i dënoi ne emër të popullit pa u dhënë as të drejtën të mbrohen në sytë e popullit. Kjo nuk është pyetje që e bej sot për të mbrojtur ballukun, nga e vërteta që i takon vetëm procesit mes saj dhe drejtësisë, nuk jam avokati i askujt ndaj një akuze të ngritur nga SPAK, kjo është një pyetje që e bëj për të mbrojtur të vërtetën e madhe që i takon demokracisë. Kjo e vërtetë e madhe quhet prezumimi i pafajësisë, si parakusht absolut i çdo hetimi dhe procesi gjyqësor dhe si vijë ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës, mes drejtësisë dhe arbitraritetit”, tha Rama.

Ora 11:32
Rama-SPAK-ut: Heto privatizimin e 4 hidrocentraleve në kohën e Berishës, nëse do të luftosh korrupsionin! Nuk po ngre akuza për ’21 janarin’ (VIDEO)

Në vijim të fjalimit të tij para kryesisë së PS, kryeministri Rama tha se SPAK duhet të hetojë 4 hidrocentrale të privatizuara në kohën e Berishës nëse do të luftojë korrupsionin, meqë “nuk ka fuqi të ngrejë akuzë për ’21 janarin’”.

“Ka ndodhur shkatërrimi total i sistemit të shpërndarjes. E dyta, privatizimi kriminal i 4 hidrocentraleve shkopet, ulëza, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 si kthim TVSH-je. Nëse duan korrupsion dhe duan të luftojnë korrupsionin se krimin mesa duket, nuk e kanë të lehtë ta luftojnë deri në fund përderisa nuk kanë fuqi të ngrenë akuzë për ‘21 janarin’, të shkojnë dhe të marrin dosjen e këtyre 4 veprave të ndërtuara nga populli dhe që i takonin vetëm popullit dhe iu dhanë një kompanie që nuk i kthehej TVSH-ja, thanë TVSH-s’jua kthejmë, por merrni këtë hidrocentralin. Këta janë sot ata që vijnë vërdallë si qentë e pazarit me flakë nëpër duar dhe me llapën jashtë”, u shpreh Rama.

Në fund të pushtetit të tij, vetëm disa javë para humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, qeveria e Sali Berishës finalizoi privatizimin e HEC-ve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Në atë kohë, Partia Socialiste në opozitë, e denoncoi privatizimin si korruptiv dhe me një kosto prej 125 milionë eurosh për shqiptarët. 

Ora 11:23
Rama: Mjafton një udhëtim në infrastrukturën mëparshme për të kuptuar punën që kemi bërë! Po rindërtojmë hekurudhat nga hiçi

 

Rama tha se mjafton nj udhëtim pas në kohë për të kuptuar punën kolosale që PS ka bërë n infrastrukturë. Rama gjithashtu foli dhe për ndërtimin e sistemit hekurudhor duke bërë me dije raportet konkrete dhe nisjen e punës.

“Dua t’i ftoj të gjithë ju që jeni këtu dhe ata që kanë besuar drejtimin e Shqipërisë, edhe këdo që nuk ka frikë ta provojë ta marrë me mend që t’ia heqim në një çast vendit arteriet e reja dhe ta marrin dhe njëherë me mend rrugën e vjetër për në Dibër. Çdo mendje e lirë nga urrejtja politike, i mjafton vetëm një udhëtim pas në kohë për të pranuar pa asnjë gajle punën kolosale që është bërë. Për të rindërtuar infrastrukturën hekurudhore nga hiçi ku e katandisi liri-demokracia, duhet një reputacion, një situatë ekonomike dhe mundësi financimi që deri dje Shqipëria nuk e kishte. Tani nuk kemi vetëm një synim por një plan konkret për të ndërtuar rreth 530 km hekurudhë sipas standardeve të Be të elektrifikuar dhe integruar, projekte konkrete. Hekurudha Durrës-Tiranë, aeroporti i Rinasit do të jetë linja e parë e elektrifikuar në vend me 12 stacione që do të nis operimet në fillim të vitit të ardhshëm. Hekurudha Vlorë - Hani Hotit është në proces prokurimi, ndërtimi pritet të nisë në fund të këtij viti dhe do të përfundojë në vitin 2030. Ka përfunduar me bashkëpunim me Kosovën studimi i fizibiliteti he projekti paraprak për hekurudhën e kombit, Durrës-Prishtinë me gjatësi 105 km, 4 tunele dhe 43 ura. në takimin e fundit me Kurtin kemi folur dhe për 2 pista financimi të huaj”, tha Rama.

Ora 11:22
‘Unaza e Madhe’, Rama: Inventari imagjinar i katranit u bë pasi iu qep ministrja! Dreqërit nxisnin protesta derisa u qëruan

 

“Nuk kam ndërmend që as në një moment si ky t’i lë pa përmendur transformimet e mëdha në dy sektorët që ministrja ka ndjekur përditë, pa ndaluar asnjë ditë”, tha Rama në fjalën e tij para kryesisë së PS duke renditur një sërë detyrash të kryera prej Ballukut. Përmes tyre, s’i kurseu as ca komente për opozitën duke i atribuuar një sërë projektesh të parealizuara e të mbetura “ëndrra në beze”.

“Gjatë këtyre 6 vjetëve, në vendin tonë janë ndërtuar e rindërtuar rreth 1000 km të rrjetit rrugor kombëtar, nuk llogaris rrjetin dytësor dhe tretësor sepse është në kompetencën e qeverisë e ministrisë, por bashkive dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. 40 kantierë janë të hapur në të gjithë vendin. Nga aksi Elbasan-Rrogozhinë që mbyllet në 2027, me ecuri mbi 60%, te Elbasan-Qafë Thana duke i vënë në dispozicion Shqipërisë, BE E NATO-s korridorin VIII që për 30 vjet u bllokua në Komisionin Europian nga të tjerë për të mos u klasifikuar si korridor i rrjetit europian të transportit dhe e zhbllokuam në samitin e BE me Ballkanin Perëndimor dhe është shpallur korridor sigurie për mobilitetin e forcave të NATO-s. Edhe Elbasan-Banjë, bajpasi i Fierit e i Vlorës, rrugë që numëroheshin me daulle, të cilat ishin vetëm gropa borxhesh e plagë të hapura rruge, sot janë vepra siç u krye Orikum-Dukati ku flitet për miliona e meleona të vjedhur, por të vetmit miliona e meleona janë ato të përfituara më tepër nga rritja  e fluksit të makinave drejt jugut. Palasë-Dhërmiu, Kardhiq-Delvina, e shumëpremtuar dhe ajo, edhe ajo në kalendarin imagjinar të ditëpunëziut. Korçë-Ersekë, Qukës-Qafë Plloça që na mbeti në kurriz bashkë. E nisëm krejt nga e para si projekt duke e bërë fytyrën shollë para investitorëve. Bajpasi i Tepelenës, Rruga e Arbrit, Thumanë-Kashari, dy ëndrra në beze kur thonë tironsit, ndërsa sot janë realitete me dobi të jashtëzakonshme. Apo Unaza e Madhe e Tiranës, këtë e llogaris te katrani i madh te ai inventari imagjinar i mijëra kilometrave, u bë realitet vetëm pasi iu qep ministrja duke qëruar oriz se në çdo 100 metra kishte një problem, jo shpronësimi i pabërë këtu, jo kanali atje, jo kabllot e nëndhenshme të RTSH-së më tutje, jo kolektori poshtë, jo lumi me klubin, jo lavazhi, jo dreqi me leje, jo i biri pa leje, jo ky me legalizim, ai në proces legalizimi, ata që s’luanin vendi, ata që s’hapnin rrugën se ishin me ata, jo dreqërit që nxisin protestat me bllokime, bam bariu e bam i biri, bum Falliu e bam i ati derisa u qëruan të tërë dhe u krye edhe Unaza e Madhe e Tiranës. Bulqizë-Martaneshi, Maqellarë-Peshkopia, Ura e Madhe e Kukësit, të gjitha të mbetura në havanë e premtimeve shumëvjeçare. Doli edhe Rruga e Kombit nga gryka e shishes, pa llogaritur peripecitë e tjera të saj. Janë në ndërtim Rruga e Ksamilit, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, segmenti i bajpasit Vaqarr-Kashar, rruga Ndroq-Plepa, bajpasi i iSarandës, segmentet e Korridorit Blu janë të tëra në përgatitje kantieresh", tha Rama.

Ora 11:13
‘Nuk i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori’, Rama: Nuk e shkel vijën e kuqe as për Ballukun, është çështje e drejtësisë

 

Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka ndërmend ta shkelë vijën e kuqe në raport me drejtësinë as për rastin e ish-numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Në mbledhjen e grupit të PS, Rama tha se nuk ka ndërmend ta shpallë Ballukun të pafajshme, pasi kjo është çështje e drejtësisë, ndonëse është apo jo ai dakord me SPAK dhe GJKKO për rastin e Ballukut.

“Ndërkohë unë si kryeministër, ndryshe nga sa mendojnë dhe flasin ata që se kanë idenë e kësaj detyre, se kam as të mundur, por as të lejuar, qoftë nga ligji dhe nga zakoni që t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori. Nuk kam ndërmend t’iu them juve që e njihni më mirë se tjerët që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë, pasi ca më shumë e ca më pak e dimë të gjithë se sa e lehtë është të merresh me të, sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë dhe do me çdo kusht t’i dalë e vetja. Nuk kam ndërmend ta shpall të pafajshme, apo të shkel për të vijën e kuqe të cilën e kam vizatuar përpara deputetëve në këtë sallë të nesërmen e miratimit të reformë në drejtësi dhe që vlen për të gjithë njësoj, duke e marrë në mbrojtje nga drejtësia. Gjëra që i takojnë avokatit apo prokurorit dhe gjykatësit, jam apo s’jam unë dakord me këta të fundit”, tha Rama.

Ora 11:10
Rama: Gaz Bardhi i vetmi burrë që Komiteti i Helsinkit e mori në mbrojtje nga një vajzë, mëshirë Zegjine

 

Rama ironizoi thirrjet e opozitës kundër Belinda Ballukut dhe qëndrimin pro arrestimit të saj nga SPAK. Ndër të tjera ai përmendi dhe reagimin e disa organizatave që morën në mbrojtje deputetin e PD Gazment Bardhin ndaj gjuhës së përdorur nga deputetja e PS Zegjine Caushi.

“E shumëpritura orë e hakmarrjes së madhe a atij që e çoi partinë demokratike për jufka në Dibër dhe e asfaltoi në Fier me gjithë Gazin e Zegjinesë, burri i parë në historinë e Evropës që Komiteti i Helsinkit e mori në mbrojtje nga një vajzë. Mëshirë Zegjine”, tha Rama.

Ora 11:07
Rama për hetimet ndaj Ballukut: Uroj që SPAK të shterojë çdo pistë që mund të çojë tek korrupsioni

 

Kryeministri Edi Rama duke komentuar hetimet e SPAK për Belinda Ballukun tha se uron që Prokuroria e Posaçme të shterojë çdo pistë që mund të çojë tek korrupsioni

“Duhet tu them shqiptarëve se ndryshimin epokal që vazhdon dhe do të vazhdojë në sektorin e infrastrukturës dhe në sektorin energjetik të vendit tonë, nuk e solli koha, as thjeshtë paratë. Para janë harxhuar plot edhe më parë, për rrugët e lëna rrugëve, nuk e solli askush dhe asgjë tjetër përpos votës së tyre për këtë parti, për qeverinë e kësaj partie ku bën pjesë edhe Balluku si anëtarë e kryesisë së PS, si një ndër njerëzit tanë më të votuar dhe më të mbështetur nga zgjedhësit e cila për 6 vite me radhë drejtoi Infrastrukturën duke punuar pa orar, luftuar pa rezervë për të realizuar në afat dhe cilësi objektivat e programit tonë qeverisë në këta dy sektorë që e kanë vuajtur prapambetjen historike. Edhe këtu mes nesh ka disa që mendojnë se fitoret shembullore elektorale të Belindës burojnë nga fuqia e pushtetit që ajo kishte, kjo mbetet për tu parë në zgjedhjet e afërta vendore të Fierit ku ajo do vazhdojë të drejtojë qarkun dhe s’do jetë në asnjë pushtet ekzekutiv. Uroj që në hetimin e çështjes, SPAK të shterojë çdo pistë që mund të çojë tek korrupsioni, sepse në fund të ditës gjithkush pas të 18 varet vetëm nga këmbët e veta me ligj dhe zakon”, tha Rama.

Ora 11:06
Rama: E kthyen Ballukun në kriminel me 300 vila, i erdhi ora e hakmarrjes atij që e çoi PD për jufka në Dibër

 

Kryeministri Rama tha se SPAK ka përdorur median për asgjësimin publik të subjekteve të tij, në këtë rast të Belinda Ballukut.

“Njoftim i akuzës në rrugën e shtrembër dhe fatkeqësisht të bërë zakon nga gupet hetimore të Stacionit të Trenit që përdorin mediat si forca  paramilitare të fajësimit dhe asgjësimit publik të subjekteve të tyre, mjaftoi që të ngriheshin dallgët e detit të urrejtjes që ziejnë pa pushim në 700 tenxheret e pazarit tonë dhe të mblidhen të tëra retë e fantazive perverse të rrjeteve sociale për të kthyer njeriun në kriminel me 300 vila, 2 jahte, 10 mijë euro solucione magjike për larje makine. Ndërkohë rrugët e ndërtuara në periudhën e drejtimit të saj u shembën nga korrupsion, shiu u derdh me gjyma dhe përmbytjet mbuluan malet e Shqipërisë, deti u bë kos me qenërinë e pazarit politik dhe mediatik dhe erdhi me thirrje histerike jashtëderdhjesh në bulevard. E shumëpritura orë e hakmarrjes së madhe a atij që e çoi partinë demokratike për jufka në Dibër dhe e asfaltoi në Fier me gjithë Gazin e Zegjinesë, burri i parë në historinë e Evropës  Komiteti i Helsinkit e mori në mbrojtje nga një vajzë”, tha Rama.

Ora 11:01
‘Balluku’, Rama: S’është nën akuzë as për korrupsion e as për vjedhje! Masa e pezullimit, turravrap i pakuptueshëm

 

Në fillim të fjalës së tij pas prezantimit të raportit të PS për kërkesën e SPAK lidhur me arrestimin e Belinda Ballukut, Rama tha se nuk është akuzuar as për vjedhje e as për korrupsion. Ai e quajti “turravrap të pakuptueshëm” pezullimin e saj, që e cilësoi si “masë absurde” pasi pezulloi funksionin.

"Ndaj saj është ngritur një akuzë që në vitin e shkuar jo për vjedhje, jo për korrupsion e gjësendi tjetër të lidhur me një skenë krimi ose flagrancë, por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë ka kryer veprën penale pabarazi në tenderë publike 6 vite më parë, bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori. Mbi këtë fakt krejt të pahetuar asokohe, por si rëndom servirur më parë përmes korrierësh që hyjnë e dalin te kuzhina e Stacionit të Trenit si gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit publik e mediatik, u vendos fillimisht me një turravrap të pakuptueshëm nga prokurori dhe gjykatësi i seancës pezullimi i anëtares së kabinetit qeveritar. Një masë absurde që siç e kemi shpjeguar, pezulloi funksionin dhe jo personin, prandaj s’ka ndodhur në botë asnjë budallallëk i kësaj natyre. Pa pritur fare përfundimin e procesit për ndërhyrje të patolerueshme në kompetencat e ekzekutivit, sapo gjykata pezulloi masën e pezullimit dhe deklaroi se do t’i hynte cështjes në themel, erdhi turravrapi i dytë: kërkesa që diskutojmë sot. E diskutojmë me të drejtën që na jep Kushtetuta për të rrëzuar ose jo arrestin e një deputeti", tha Rama.

Ora 10:11
Ankimoi masën e pezullimit nga detyra, Apeli i GJKKO rrëzon Ballukun

Apeli i GJKKO ka rrëzuar ankesën e Belinda Ballukut për rrëzimin e masës së pezullimit nga detyra. Shqyrtimi i kësaj kërkese erdhi pas vendimit të Kushtetueses, ndonëse Balluku tashmë është shkarkuar si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës. Balluku nuk e kishte ankimuar masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit.

Ora 09:48
Pritet të shpallet vendimi për Ballukun, Rama mbërrin në mbledhjen e grupit të PS

 

Kryesocialisti Edi Rama ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit, ku pritet të mbahet mbledhja e grupit të PS. Sot socialistët pritet të shpallin edhe qëndrimin për kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

P.J/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ori: 09/03/2026 21:37

    Turp,mbron nje hajdute dhe tregon se je vartes i saj.SPAK duhet ta arrestoj dhe jo ta mbrosh me cdo kusht.Do vij dita qe nuk do keni më imunitet dhe do kerkoni azil o mafioz

    Përgjigju
  • Lala: 09/03/2026 14:40

    Nese deri me sot shpresoja qe femijet e mi ta ndertonin jeten ketu nga sot mesimi I vetem qe do u jap eshte te largohen sapo te mbarojne shkollen sepse ketu ka vend vetem per hajduti e sahanlepires.

    Përgjigju
  • ernonas: 09/03/2026 13:22

    Aha me kto qe lexoj une akoma ska shtet ketu!!!

    Përgjigju
  • Faiku: 09/03/2026 13:05

    Nice. Po clidhje ka drejtesia me do zdo partia?

    Përgjigju
  • OPS: 09/03/2026 12:43

    Turp me te madh nuk kaaa. Tani pervec se ne afrike ose azi nuk futemi ne europe pas 500 vitesh

    Përgjigju
  • Ago: 09/03/2026 12:22

    Meqe sja hoqe imunitetin rhe as e hoqe nga drejtuese politike te fierit, aman beja dhe ate ushtarin e vet dr e policise fier skender hiten drejtor te pergjithshem te policise se u lodh i shkreti duke marr edhe 50€ per nje cati ne fshatrat e fierit dhe te kapi edhe ai ndonje lek se eshte akoma me kredi te bute deri ne vitin 2036, ec kryeminister mos lej asnje hajdut jashte qeverise se gjynah jane dhe ata leke gjaku i kane.

    Përgjigju
    • Fiks: 09/03/2026 16:28

      Hahahahah ke i mafh fiks

  • Tahipi: 09/03/2026 12:18

    Frika se në burg i shkoni pastaj të gjith mbrapa .e shkatërruar këtë vend duke e vjellur nga të gjitha menyrat

    Përgjigju
  • Olsi: 09/03/2026 12:14

    Rame mos u merzit per inteligjencen vlla por provat ajo ka mundesi ti prishe 100%. Kshuqe bej si te besh se te quajten idiot ose budalle ste ben gje. Te ben me te forte

    Përgjigju
  • Bravo: 09/03/2026 11:58

    Rrofsh e vlla, edhe mua sme pelqen BE e as fondet e kontrolli qe te bëjnë per cdo euro qe te japin. Te na rroje partia, edhe bar do hame dhe kryesorja, fajin e ka Saliu.

    Përgjigju
  • veiz: 09/03/2026 11:57

    Shpresoj qe BE te levizi me urgjence ne kete pike per ndalimin e procesit te integrimit me kta. cdo qytetar i republikes do kishte vajtur pas hekurave, me kaq akuza, nderkohe qe kjo mbrohet politikisht nga vjedhesit e tjere. eshte skandal i madh ku partneret tane Marta Kros Kallas gozato etj duhet te hapin syckat

    Përgjigju
  • kola: 09/03/2026 11:52

    LIGJI JU KA CAKTUAR TE MERRNI RROGEN..PER PUNEN NE SHTET,,,.RROGES GEZOJUNI O NDYRESIRA O HAJDUTE....

    Përgjigju
  • AltinTop: 09/03/2026 11:47

    Shtet i paster 100% . Votoni per PS o pupull, jemi me mire se cdo vend i europes. Spaku te gezoje rrogat e majme.

    Përgjigju
  • ana: 09/03/2026 11:10

    cfare kosto moren per kete zhabe. ng ky moment nuk i votoj me kurre kta

    Përgjigju
  • Biku: 09/03/2026 11:04

    Te paska kap pe topesh bela o babai kombit

    Përgjigju
  • Lushka: 09/03/2026 08:52

    Un habitem me telenovelen sa e shtyn e shtyen e shtyen. O futeni brenda ate ose mos beni show mediatik. Un them qe nuk ka shance me u arrestuar ajo se vetem po qe budalle mos i ket kopsitur letrat. Por besoj se do jet ne rregull me letrat edhe ska per ti hyr gjemb ne kembe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 9 Mars, 15:01

    PS nuk jep aprovimin për arrestimin e Ballukut, si e vlerësoni?