Në Kuvend është shqyrtuar projektvendimi “për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit, ‘për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore’”.
Gjatë fjalës së tij, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se 4 miliardë euro janë bërë pluhur e hi me ndërtimin e rrugëve në Shqipëri, rrugë të cilat sipas tij u shkatërruan të gjitha.
Teksa e cilësoi si një atentat ndaj Kushtetutës një votim të mundshëm të mazhorancës kundër projektvendimit, Blushi tha se Erion Braçe, sipas tij socialisti i vetëm brenda grupit të PS, duhet të votonte pro ngritjes së Komisionit Hetimor.
“Pas pak minutash ju do të jeni të gjithë dëshmitarë sesi 83 diellat e Rilindjes, përfshi edhe të vetmin socialist që ka mbetur në grupin e tyre, do të konsumojnë një atentat publik ndaj Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Një çështje e veçantë, shumë e ndjeshme për të gjithë shqiptarët, është fakti se 4 miliardë euro janë bërë pluhur e hi në të katër anët e vendit, referuar atyre që duhet të ishin kryeveprat e infrastrukturës së një qeverie që erdhi në pushtet për të mbyllur rrugët e lëna rrugëve dhe që sot nuk ka lënë asnjë rrugë në këmbë. 4 miliardë euro të bëra pluhur e hi, kryesisht në dy qarqe, Korçë dhe Elbasan.
Mazhoranca refuzon të respektojë Kushtetutën. Ndaj vendimi juaj anti-kushtetues, ky atentat i radhës që po i bëni integrimit europian të vendit, është një akt që shkon në të kundërt me atë që presin sot shqiptarët nga ky Parlament. Ju jeni në bllok për të bllokuar të ardhmen europiane të Shqipërisë, jeni në bllok për të ngritur votat, për të shkelur Kushtetutën e vendit. Do ftoja të paktën socialistin e vetëm që po reziton brenda grupit të Diellave, Erion Braçen, që të paktën të ketë ndërgjegjen që ta mbyllë me taksat e të gjithë shqiptarëve, sepse është kriminale ajo që keni ndërmend të bëni sot. Keni një zv.kryeministre që po e mbroni me thonjtë e Edi Ramës përballë drejtësisë. S’ka mbetur rrugë nga veri në jug që nuk e ka përfshirë korrupsioni”, tha mes të tjerash Blushi.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ S’ka komisione hetimore për AKSHI-n dhe ARRSH-në, mazhoranca rrëzon nismat e opozitës! Balla: Parlamenti nuk kryen hetime penale











