Gjykata e Posaçme do të shqyrtojë kërkesën e Erion Veliaj për nisjen e një hetimi penal ndaj Nesti Angonit, personazhit anonim mbi një dokument të të cilit SPAK nisi hetim ndaj kryebashkiakut.

Veliaj edhe më herët ka kërkuar nga drejtësia që Nesti Angoni të hetohet për veprën penale “falsifikim dokumentesh”, por Prokuroria e Tiranës vendosi të mos nisë një procedim penal pas verifikimeve se Nesti Angoni nuk figuron në regjistrin e Gjendjes Civile, dhe duke arsyetuar se nuk ka kompetencë të kontrollojë hetimet e kryera nga SPAK.

Ky vendim është ankimuar nga Veliaj në Gjykatën e Tiranës, e cila më 15 korrik ka vendosur shpalljen e moskompetencës, dërgimin e çështjes për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Do të jetë gjyqtari i posaçëm Erion Çela që do të shqyrtojë kërkesën e kryebashkiakut, ndërsa ende nuk ka një datë të caktuar për seancën e parë.