TIRANË- Në prani të amabsadores greke në Tiranë dhe avokatëve të ardhur nga Athina për këtë çështje, gjykata e apelit rrëzoi kërkesën e 6 në radhë për lirimin e Fredi Belerit. Prania e diplomates greke dhe grupit të avokatëve të huaj në gjykatë u prit me protesta nga një qytetar shqiptar.

Ndryshe nga herët e tjera, Vangjel Dule nuk dha koment pas vendimit të Gjykatës ndërsa të njëjtin qëndrim mbajti edhe ambasadorja greke. Avokatët e huaj të Belerit u shprehën se ky është një moment i rëndësishëm për shtetin e së drejtës. Nga ana tjetër ata thanë se do u përgjigjen çdo pyetje në konferencën për shtyp që do të mbahet në orën 13:00 nga përfaqësues të se drejtës nga Greqia për çështjen Beleri.

“Mendojmë se ishte një moment i rëndësishëm për shtetin e së drejtës për të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe në Bashkimin Evropian. Këshilli Evropian dëshiron të shohë dhe çfarë ndodh.

Ne do të flasim në konferencë shtypi. Jam ish kryetari i dhomës së avokatisë të së drejtës evropiane.”- tha avokati grek.

Javën e kaluar, GJKKO kaloi në gjykim dosjen e SPAK për Fredi Belerin, me akuzën e korrupsionit në zgjedhje ndërsa avokatët e tij thanë se do të paraqesin 60 dëshmitarë në gjyq. Beleri akuzohet se më 12 maj, ka dhënë 40 mijë lekë për votat e tetë qytetarëve të Himarës që të votonin pro tij në zgjedhjet e 14 majit. Pas seancës në apel, një qytetar protestoi ndaj avokatëve të Belerit dhe përfaqësuesve të tjerë që ndoqën gjyqin.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin. Për çështjet e tij është angazhuar edhe qeveria greke e cila e quan arrestimit e tij të paligjshëm e politik. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:08
'Turp t'ju vijë, po mbroni një kriminel' Qytetari proteston para ambasadores greke, ishte tek gjyqi i Fredi Belerit

 

Një qytetar ka protestuar i vetëm këtë të hënë në Apelin e GJKKO teksa po mbahej seanca e Fredi Belerit.

Në video tregohet momenti kur qytetari i thotë ambasadores greke se po mbrojnë një vrasës.

“Jeni kriminelë, ai është një vrasës. Ai është vrasës, turp t'i vijë”- tha qytetari.