Aleks Ndreka, i njohur ndryshe si “Leksi i druve”, është ekstraduar këtë të enjte nga Italia drejt Shqipërisë. 49-vjeçari ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” në korrik 2023 dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje”.
Ndreka u arrestua në Itali në qershor të vitit 2024, në aeroportin e Malpensës në Milano. Ai rezulton të ketë qenë disa herë shënjestër e sulmeve me armë zjarri dhe atentateve të dështuara ndër vite, përfshirë edhe një të planifikuar me dron.
Një nga këto atentate është ajo e vitit 2020, kur Ndreka u plagos në një atentat në aksin Lezhë-Laç. Edhe pse i plagosur, ai arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe të paraqitej vetë në spitalin rajonal të Lezhës për të marrë ndihmë mjekësore. Autorët në atë rast arritën të zhdukin gjurmët, pasi dogjën automjetin në fshatin Pllanë.
Ndreka njihet gjithashtu për përplasjet me ish-deputetin socialist Arben Ndoka, konflikte që pasi informacioneve të dyshimta të Ndokës, Ardian Nikulaj dhe Deda kishin mundësuar futjen e Durim Bamit për të ekzekutuar vëllain e ish-politikanit, Aleksandër Ndoka.
Kjo armiqësi u zbulua për publikun, pasi Arian Tuku dhëndri i Ndokës, arrestua gjatë megaoperacionit në Itali, ku SPAK lëshoi 50 urdhër arreste. Tuku sipas SPAK, ka tentuar të vrasë “Leksin i druve”, ndërsa ka siguruar kushtet dhe për vrasjen e të “fortit” të Niklës, Durim Bami. Por përveç kësaj historie, “Leksi i Druve”, thuhet se ka patur rolin edhe për sigurimin e vendodhjeve të Dorian Dulit, Ibrahim Licit dhe Genc Tafilit.
"Në vijim të koordinimit të veprimeve operacionale, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Romës, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit A. N. alias A. D., 49 vjeç.
49-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi A. N. alias A. D. akuzohet se pasi ka siguruar informacion mbi vendndodhjen e 3 shtetasve shqiptarë, ka organizuar dhe ka koordinuar bashkëpunëtorët e tij, duke organizuar prita, me qëllim vrasjen e tyre", njoftoi sot policia.
___________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente








