Kerol Kaskaviqi “Ju rrëfej ëndrrën e
përhershme të pikturës”

Kerol Kaskaviqi “Ju rrëfej ëndrrën e<br />përhershme të pikturës”
TIRANE- Nuk ndjek ndonjë rrymë të caktuar dhe nuk imiton askënd. Bota e pasur artistike i mjafton Kerol Kaskaviqit për të lëvruar në tablo motive nga më të bukurat. Një shije e hollë estetike e shtyn të eksperimentojë, jo vetëm me pikturën, por edhe me fotografinë artistike. Është vetëm 17 vjeçe dhe duket si një profesioniste kur sheh në tablotë e saj. Talentin piktorja Kerol Kaskaviqi e dëshmon me ekspozitën e saj të parë të çelur në galerinë FAB të Universitetit të Arteve, e cila do të qëndrojë vetëm tre ditë e çelur në këtë galeri.

Synimi i vetëm i artistes Kerol Kaskaviqi në hapjen e kësaj ekspozite është që pasi të prezantohet, të shkëputet nga veprat e para për të filluar një cikël të ri krijimtarie. Dëshira e saj është të bëhet arkitekte, dhe këtë duket se e ka marrë seriozisht, sepse sapo ka fituar një bursë në United World College në Amerikë, e cila do t’i shërbej si urë lidhëse për të ndjekur ëndrrat e saj universitare. Punët e bëra me laps në këtë ekspozitë janë të parat që e evidentojnë si piktore, mbase me pak elemente arkitekture brenda.

Megjithatë ajo nuk i ngatërron këto fusha. Të befason një nudo e saj në këtë ekspozitë, edhe pse Karol thotë që nuk ka bërë shumë të tilla, pastaj vijnë akuarelet, që rrëfejnë lëvizjet e brishta të penelit dhe shijen e hollë artistike. Karol nuk ndjek Liceun Artistik, ndjek gjimnazin, dhe megjithatë dora e saj i ka mësuar teknikat më mirë se ata që bëjnë një shkollë të posaçme. Ajo që të befason në ekspozitën e saj të parë është që Karol është e vërtetë në çdo ndjesi e perceptim. Ekspozita ka rreth 80 tablo, ku shpalosen një larmi zhanresh, punë në akuarele, laps, vaj, si dhe foto artistike.
 
Karol, cilat janë llojet e pikturës që bëni më shpesh?
 
-Më së shumti unë kam  akuarele me vaj, me penë, me bojë kine. Pjesa tjetër janë laps, por shpesh kam eksperimentuar punimet me bojë.
 
Si ka nisur rruga juaj drejt pikturës?
 
-Ka qenë gjithmonë, nuk ka nisur. Kam punuar vazhdimisht me motivet. Nuk e kam ndërprerë ndonjëherë pasionin për të vizatuar apo lënë mbresat e mia artistike në letra e tablo që nga fëmijëria. Tani dy vjetët e fundit e kam marrë më seriozisht punën me pikturën. Në këtë ekspozitë unë nuk kam punuar me ndjekjen e ndonjë profesori të caktuar. Janë punë që i kam bërë gjatë gjithë periudhave të rritjes sime si piktore. Por sigurisht kam pasur ndihmëse gjatë rrugës sime mësueset që më kanë mësuar pikturën; Majlinda Agollin dhe Blegina Haskon.
 
Shoh se guxoni, pavarësisht moshës së re, që të pikturoni detaje anatomike të njeriut, portretin, nudon dhe këto i bëni shumë mirë. Si keni mundur të fitoni kaq herët këto shprehi piktorike?
-Në fakt më duket sikur ende nuk i kam prekur shumë, por unë mendoj se trupi i njeriut, fytyra e tij janë art më vete dhe janë një botë e gjerë për t’u eksploruar në art dhe të gjitha këto hije a kontraste sjellin një botë artistike të re në tablo.
 
Po me fotografinë si e nisët?
 
-Babai im është arkitekt. Bleu një aparat profesional se i duhej për punët e tij. Dhe unë si tek çdo gjë e re do “fusja hundët” patjetër. Babai më dha manualin të mësoja si përdorej, por unë duke mos qenë shumë teorike, mora apartin në dorë dhe nisa të eksperimentoj disa procese artistike. Si rrjedhim unë sot kam sjell në këtë ekspozitë rreth 40 fotografi artistike.
 
Si mund ta përcaktosh teorinë tënde estetike në lidhje me të bukurën?
-Të gjitha fragmentet e jetës së përditshme që duken shumë të vogla e që syrit të njeriut i duken të zakonshme, unë i gjej në natyrë. Aty gjej frymëzim, aty gjej çdo gjë të bukur.  
 
Pra ju adhuroni natyrën, por tani në epokën e globalizmit modern, ka nisur një fazë ku ana vizuale bëhet  gjithmonë e më agresive me objektet që dhunojnë natyrën, si ndërtesat e larta apo teknologjia ku përfshihet jeta jonë. Si do t’i kundërpërgjigjeshe këtij realiteti?
 
-Unë do doja ta ndryshoja këtë raport. Jam kundër atyre. Nëse do të bëhesha arkitekte do të doja të vihet një lloj balance në marrëdhëniet e objektit me natyrën, ku nuk do të mungonin kurrë planet urbanistike ku të largohen vetratat e xhamit dhe shtyllat e betonit. Kur humbet marrëdhënia e njeriut me natyrën, humbet esenca artiske. Kjo esencë do të ruhet nëse krijohet një marrëdhënie me kulturën e mirë të çdo njeriu. Jo të gjithë kanë interes për kulturën, për artet, por do doja të ndodhte, sepse falë kulturës njeriu krijon një ndjeshmëri dhe marrëdhënie më të mira me të bukurën dhe natyrën. 

Kerol Kaskaviqi



















Kerol Kaskaviqi




















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë