Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar për të shkarkuar nga detyra kryebashkiakun Erion Veliaj. Report Tv mëson se vendimi u mor me 50 vota pro.
Këshilltarët socialistë dhe demokratë bashkuan votat për ta shkarkuar kryebashkiakun Veliaj nga detyra, i cili qëndron në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 kur dhe u arrestua me vendim të GJKKO pas kërkesës së SPAK.
Këshilli Bashkiak mblodhi 3 kërkesat për shkarkimin e Erion Veliajt; atë të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike dhe të këshilltarit Endri Shabani, duke i votuar si një e vetme.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Tiranë munguan këshilltarët socialistë Gazment Paja dhe Joleza Koka. Edhe këshiltarët socialistë, Aldo Merkoçi dhe Alfred Muharremi u larguan nga mbledhja në momentin e votimit.
Ndërsa këshilltari tjetër i Bindjes Demokratike, Fabian Topollari nuk mori pjesë në votim.
Në nisje të mbledhjes, kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Megi Fino, vlerësoi punën e kryebashkiakut Veliaj, por tha se vendimi i sotëm (23 shtator) është i detyrueshëm për shkak të rrethanave.
“Dua të nënvizoj me forcë që ky hap po imponohet nga nevoja urgjente për të ecur përpara. Sot ne po kryejmë detyrimin politik dhe moral për të zgjidhur ngërçin politik të Tiranës”, u shpreh ajo.
Vendimi i Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt në fakt është propozim. Ky propozim i dërgohet Prefektit të qarkut, dhe Prefekti ja dërgon propozimin për shkarkimin e Veliajt Qeverisë. Vendimin përfundimtar do ta marrë Këshilli i Ministrave, që do të certifikojë shkarkimin e Erion Veliajt ose jo.
Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, siç kishte kërkuar edhe vetë ai që të dëgjohej.
Komisioni i Ligjeve të Këshillit Bashkiak Tiranë më herët gjatë ditës së sotme (23 shtator 2025) vendosi që Veliaj të mos ishte i pranishëm në mbledhje, teksa më vonë, Sekretari i Këshillit Bashkiak, përmes një letre drejtuar Veliajt, pak para mbledhjes, tha se nuk ka vendim që e ndalonte të merrte pjesë.
Por këshilltarët demokratë kërkuan që Erion Veliaj të ishte i pranishëm në këtë mbledhje.
Motivi që Këshilli Bashkiak Tiranë votoi për shkarkimin e Erion Veliajt është mosparaqitja në detyrë prej më shumë se 3 muaj. Duhet theksuar se mosparaqitja e Erion Veliajt në detyrë si kryebashkiak i Tiranës ka ndodhur për shkak të arrestimit të tij. Ai është në arrest në burg që prej 10 shkurtit, pra më shumë se 6 muaj, edhe pse vetë ka kërkuar disa herë nga gjykata që të hetohej me një masë më të butë sigurie, togat e zeza e patën refuzuar.
SPAK e ka mbyllur dosjen në ngarkim të tij dhe e ka dërguar në gjyq, me 13 akuza ndaj kryebashkiakut, prej të cilave korrupsion në 9 raste. Erion Veliaj është në krye të Bashkisë së Tiranës prej 10 vitesh, ose dy mandate e gjysmë, prej vitit 2015. Ai ka qenë qytetari i parë i Tiranës dy mandate të plota (4 vite secila), ndërsa aktualisht është në gjysmën e mandatit të tretë, duke konsumuar 2 vite.
Çfarë ndodh më pas?
Vendimi i sotëm i Këshillit Bashkiak, do duhet t’i përcillet Prefektit të Tiranës. Eshtë ky i fundit që nga pikëpamja e procedurës, ia kalon Këshillit të Ministrave. Kryeministri Rama e bëri të qartë vetë në Asamblenë e Partisë së tij në fillim të muajit se kryeqyteti nuk mund të rri më pa kryebashkiak.
Kështu që firma e tij, për të vulosur shkarkimin e Veliajt, mbetet thjesht një formalitet. Socialistët madje kanë përcaktuar dhe Ogerta Manastirliu, si kandidaten e tyre për të hyrë në zgjedhje të parakohshme për Bashkinë e Tiranës.
Por, planet e kryeministrit rrezikojnë të mos realizohen sipas parashikimit. Veliaj, ka lënë të kuptohet qartë se procesin e nisur ndaj tij e sheh si në shkelje të ligjit. Ai ka një mundësi të fundit, të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. Neni 115 Kushtetutës, parashikon që në rast ankimimi brenda 15 ditësh, vendimi i Këshillit të ministrave pezullohet. Për pasojë do të bllokohej edhe procesi zgjedhor për pasuesin e Veliajt.
Anëtari socialist i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, foli me nota ironie ndaj këshilltarëve të opozitës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku u votua për shkarkimin e Erion Veliajt.
Në fjalën e tij, ai tha se këshilltarët socialistë janë dele të qytetarëve në shërbim të tyre.
Ndërsa për Veliajn tha se nuk janë tradhtarë ndaj tij.
“Më shumë se diskutim është një replikë në lidhje me papërgjegjshmërinë e opozitarëve të cilët vijnë këtu në këtë sallë dhe kanë vetëm etiketime ndaj anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Ju jap përgjigje që, po ne jemi dele, jemi ato delet e qytetarëve që janë në shërbim 24 orë në 7 ditë të javës dhe që e kemi ndryshuar këtë Tiranë prej 12 vitesh, gjë të cilën ju për 12 vite keni marrë rezultat zgjedhje pas zgjedhje nga qytetarët e Tiranës në lidhje me besimin. Jemi tradhtarë të besimit të popullit, se sapo na tha që jemi tradhtarë, nuk jemi tradhtarë ndaj Erion Veliajt, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj nuk po ikën nga detyra në lidhje me se nuk ka bërë punët, por i ka bërë punët në mënyrë të shkëlqyer, por po ikën nga detyra për t’i hapur rrugë kësaj Tirane për të ecur në ritmin që ai ka dashur edhe do të donte”.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me propozimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Në rrjetet sociale ai shkruan se ”shkarkimi i sotëm ishte një paralajmërim për fundin që i pret të gjithë ata zyrtarë socialistë që në shërbim të kryeministrit Edi Rama kanë abuzuar me pushtetin”.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Erion Veliaj – shëmbylltyra e Edi Ramës në krye të Bashkisë Tiranë – u shkarkua sot me votat unanime të Këshillit Bashkiak Tiranë. Ai iku nga drejtimi i bashkisë më të madhe në vend pa pasur mundësi të thoshte asnjë fjalë, t'i jepte dorën askujt dhe as të thoshte lamtumirë. Ai iku si funksionari simbol i korrupsionit, abuzimit dhe paligjshmërisë në krye të punëve të kryeqytetit.
I sotshmi nuk ishte një mesazh thjesht dhe vetëm për Erion Veliajn. Shkarkimi i sotëm ishte një paralajmërim për fundin që i pret të gjithë ata zyrtarë socialistë që në shërbim të Edi Ramës kanë vjedhur votat, kanë abuzuar me pushtetin, kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë përvetësuar pasuritë publike.
I njëjti fund që pret pas dere ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët e korruptuar të Edi Ramës, duke filluar nga Belinda Balluku. Ora e së vërtetës dhe drejtësisë mund të vonojë. Por, e sigurt është që ajo gjithmonë vjen. Dhe kur vjen, bie pamëshirshëm mbi të gjithë ata që privilegjin e rrallë të të shërbyerit të qytetarëve e shpërdoruan për ambicien, pushtetin dhe pasurimin personal. Kur ajo orë të vijë, "ëngjëlli mbrojtës" i të korruptuarve do të mjaftohet me një psherëtimë keqardhje të jashtme dhe ngërdheshjeje të brendshme që edhe kësaj here nuk ishte ai i rradhës.

Pasi Erion Veliaj u shkarkua pasditen e kësaj të marte nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i PL-së Tedi Blushi.
Në një postim në rrjetet sociale, Blushi shkruan se këshilltarët socialistë votuan edhe vetë shkarkimin e tyre, pasi sipas tij, ata e kanë mbështetur Veliajn në çdo aferë korruptive dhe në çdo akt tjetër.
Postimi i plotë i Tedi Blushit:
Vota e këshilltarëve të PS për shkarkimin e Erion Veliajt është po ashtu një votë për (vet)shkarkimin e tyre.
Ata kanë mbështetur me votë dhe legjitimuar çdo aferë korruptive, çdo akt kriminal dhe çdo shkatërrim të qëllimshëm të Tiranës.
Të njëjtët që u ngritën në protesta me thirrjet “Lali Eri, o flori, po të presim në Bashki”, sot e përcollën nga Bashkia si kufomë politike.
Pa votat e tyre korrupsioni dhe krimet e Erion Veliaj do të ishin thuajse akte në tentativë.
Depersonalizimi i tyre është dëshmi e papërgjegjshmërisë në raport me interesin publik dhe taksat, i verbërisë politike dhe mungesës së shtyllës kurrizore dhe integritetit.
Nuk po flas për ata/o amfibë/e të neveritshëm që, me votat e opozitës, u infiltruan në atë Këshill dhe sot fshihnin kokën si strucat pas fundshpinës së këshilltarëve të PS, duke u vetvulosur në ballë me damkën e pështirë të shëmbëlltyrës së degraduar politike.
Ky shkarkim i Erion Veliaj është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe shumë i vonuar. Ai duhet të shënojë fillimin e një procesi të thellë drejt llogaridhënies dhe rikthimit të Bashkisë te qytetarët.
Drejtësi për Tiranën!
Drejtësi për inceneratorin!
Drejtësi për Nënë Lizën!
Drejtësi për Ardit Gjoklajn!
Beteja për çlirimin e Tiranës vazhdon

Këshilli Bashkiak voton për shkarkimin e Veliajt, Fabjan Topollaj nuk merr pjesë në votim! Dy këshilltarët e PS largohen nga salla
PS e PD votoi pro propozimit për shkarkimin e Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, propozim që tashmë përmes Prefektit, i kalon Këshillit të Ministrave.
Me propozim të Endrit Braimllarit, kërkesës së PS, iu bashkuan edhe dy kërkesat që më herët kishte bërë opozita për shkarkimin e Veliajt, ajo e PD dhe Endri Shabanit.
Në votim, nuk mori pjesë Fabjan Topollaj i Bindjes Demokratike, i cili gjatë fjalës së tij tha se procedura për shkarkimin e Veliajt është e gabuar.
Nga salla u larguan dy këshilltarët e PS, Aldo Merkoçi dhe Alfred Muharremi, të cilët nuk morën pjesë në votim.
Pas përfundimit të seancës së Këshillimit Bashkiak, ku u vendos shkarkimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, anëtari i këshillit Bashkiak të Tiranës Dotian Teliti ka deklaruar se Veliaj mori atë që meritoi.
“Duhet të ndiqet menjëherë procedura ligjore për shkarkimin e Erion Veliajt nga Këshilli i Ministrave dhe të hapet menjëherë gara për zëvendësimin e Erion Veliajt. Sot Erion Veliaj mori atë që meritoi, atë që do të mbjellësh, do të korrësh. Mbolli urrejtje, korrupsion dhe gaz lotsjellës, të moshuarve 80-vjeçe dhe foshnjave. U shkarkua dhe që nga ky moment ai nuk është më kryetar.
Ky është një lajm shumë i mirë për qytetarët dhe për ne, që kemi bërë shumë beteja dhe kemi bërë çmos që të ja arrinim kësaj dite”, deklaroi Teliti.
Ndërsa i pyetur mbi veprimet ligjore të Veliajt, Teliti tha se ai mund të bëjë çfarë të dojë, por nga ky moment është i shakarkuar.
“Erion Veliaj mund të bëjë cfarë të dojë, por që nga ky moment është i shkakruar nga detyra.”, tha ai.
Këshilltari i PS, Endrit Braimllari propozoi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që të bashkohen 3 kërkesat për shkarkimin e Erion Veliajt, ajo e PS, PD dhe Endri Shabanit. Braimllari tha se Tirana ka nevojë për drejtues të ri pasi duhen çuar para punët dhe projektet.
“Duhet të sqarojmë publikun dhe qytetarët, ne nuk jemi institucione gjyqësore që marrin vendim mbi veprimtarinë në të cilën ndodhet kryebashkiaku. Detyra jonë është të flasim për interesin qytetar, detyra jonë si të zgjedhur vendos është të ngremë shqetësimin kur punën nuk shkojnë siç duhet. Jo për shkakun tonë, por Tirana ka nevojë për drejtues të ri se duhen çuar para punët dhe projektet. E kuptoj dhe shqetësimin e madh të kolegëve opozitarë, që shpesh herë kalojnë në protagonizëm personal, do gjykoja që qëndrimet të jenë në raport me qytetarët. Kam një propozim konkret që duhet bërë model, meqë debatet ishin edhe në Komisionin Juridik mbi kërkesat që kanë çuar kolegët e opozitës muaj më parë, duke nisur nga Shabani, dhe të PD, atëherë kam një propozim, të bashkohen të tre kërkesat në një akt të vetëm, referuar ligjit për vetëqeverisjen qendrore, duke lënë mënjanë, betejën politike dhe duke u fokusar tek interesi qytetar me qëllim që punët e bashkisë të shkojnë para. Ne nuk jemi shkaktarë, por nuk jemi në që mund të vendosim mbi institucionet e bashkisë. Të bashkohen të treja në një akt”, tha Braimllari.

Këshilli Bashkiak u mblodh këtë të martë për të shkarkuar kryebashkiakun Erion Veliaj.
Ironike është, se kjo mbledhje për shkarkimin e Veliajt, u kërkua nga vetë socialistët.
Por vetë Veliajn, nuk e pranuan që të ishte prezent, për t’u mbrojtur.
Ndaj dhe karrigia bosh e kryetarit, flet me shumë se çdo fjalë, në një mbledhje ku të majtë e të djathtë, si rrallëherë, u bënë bashkë.
Anëtari demokrat i Këshillit Bashkiak të Tiranës, mjeku Ilir Alimehmeti, tha në mbledhjen e sotme kur pritet propozimi për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, tha se këshilltarët socialistë duhet të mbajnë pjesën e përgjegjësisë që u takon për ato që i quajti aferat e kryera nga Veliaj, përgjatë më shumë se 2 mandateve.
“Është e vërtetë që disa prej jush me zor po presin që kjo mbledhje të mbyllet. Ka qenë gjithmonë përpjekjet e opozitës vënies para përgjegjësisë të kryetarit të bashkisë, për aferat. Ai në vetë nuk i ka bërë këto zgjedhje, bashkë me ju i kanë bërë, ju i aprovonit vjedhjet, incineratorin. Te shtëpia ime 3 muaj bëjnë nga shkurti në maj, te shtëpia juaj bëjnë kur thotë kryeministri. Shkruat ju për të pripytetuar para SPAK-ut për arrestimin e tij, shkruat ju për të kundërshtuar shkresat tona. Ju e bëtë këtë veprim pasi u shpreh kryeministri, në shkelje të qartë të autonomisë vendore”,- tha ndër të tjera Alimehmeti.
Këshilltari i opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollari, tha se procedura për shkarkimin e Erion Veliajt është e gabuar.
Në fjalën e tij, Topollari, u shpreh se procedura e zgjedhur është e gabuar dhe ka nuancat e një lufte të brendshme politike.
Ai theksoi gjithashtu se Këshilli Bashkiak duhet t’i ishte drejtuar SPAK-ut me kërkesë që Erion Veliaj të ishte i pranishëm në këtë mbledhje.
“Në fakt kjo që jeni duke bërë ju nuk është shkarkimi siç do deshte një kundërshtar politik. Një kundërshtar do donte ta mundte aty ku zhvillohen betejat politike, madje ka trajtat e një lufte brenda llojit.
Sepse procedura që kemi zgjedhur për ta shkarkuar është krejtësisht e gabuar, Kushtetuta përcakton që kryetari i bashkisë shkarkohet vetëm nga Këshilli i Ministrave kur konstatohet shkelje e ligjit.
Ju po e shkarkoni se ka bërë ca mungesë në punë. Ju e mburrët punën e tij dhe propozoni shkarkimin e tij. Kushtetuta e ka të përcaktuar se si shkarkohet një kryetar bashkie. Keni zgjedhur një mënyrë të gabuar për të përmbushur një nevojë të Kryeministrit, por që do ta bëjë nëpërmjet duarve të këshillit bashkiak një gjë që e ka ai në kompetencë.
Rasti i mungesës 3-mujore është rasti kur kryetari i bashkisë mungon pa arsye në detyrë. Unë mendoj që Erion Veliajt duhet të ndiqet nga Prokuroria për shumë më shumë gjëra. Por sot Erion Veliaj është i pafajshëm dhe nuk mund të shkarkohet për sa kohë po ndiqet penalisht dhe është i pafajshëm. Kjo ndodh për të larë hesapet brenda llojit dhe për të hequr Erion Veliajn njëherë e mirë dhe kjo është arsyeja pse nuk ndihem i kënaqur me këtë që po ndodh në këshillin bashkiak. Ne nëse deshëm ta dëgjonim duhet t’i dërgonim organeve përkatëse që ai të shprehej para nesh”, tha Topollari.
Këshilltari opozitar Dorian Teliti tha se PD do të japë votën për shkarkimin e Erion Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Teliti u tha këshilltarëve socialistë se po ngrihen në lartësinë e detyrës pas 7 muajsh. Teliti tha se Veliajt gjyqin do ia bëjë Gjykata, por sot duhej të ishte në mbledhje.
“Po ngriheni në lartësinë e detyrës, keni 7 muaj që i keni munguar kësaj lartësie. Kjo i ka kushtuar Tiranës shumë. Ky është akt historik. Sot i bashkuam votat jo ne me ju, por ju me ne, pasi kemi 4 muaj që kjo ditë të ndodhte dhe ju përsëri nuk u ngritët. Më mirë vonë se kurrë, por faleminderit sot që të paktën po e çlironi Tiranë. Do doja që ky akt të ishte i pasqyruar edhe me shumë shkelje të tjera që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve. Veliaj nuk duhet shkarkuar se mungoi 90 ditë, duhet shkarkuar për krimet ekonomiko-financiar dhe braktisjen që i ka bërë Tiranës, e ka kthyer Tiranën në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave. Ky pr.vendim nuk është i plotë, ndonëse do marrë votat tona dhe është kërkesa jonë politike. Do doja shumë që i pandehur Erion Veliaj, kryetari në ikje ta kishim sot këtu, t’ia thoja në sy, sepse s’ka pasur kurajo të qëndronte para nesh, të përballej me ne. Gjyqin e vet do ia bëjë Gjykata, ama duhej të ishte sot këtu në të drejtën e tij kushtetuese dhe të jepte variantin e tij, t’ia thonim në sy këto të vërteta therëse e kriminale që i ka shkaktuar këtij kryeqyteti”, tha Teliti.
Këshilltari Bashkiak i Tiranës Albi Jahelezi, ka thumbuar këshilltarët socialistë, teksa tha se dikur e ashuronin dhe se sot ata po i bëjnë Erion Veliajt vdekjen politike.
Po ashtu ai theksoi se ky vendim është i vonuar.
“Fjala juaj ishte në hyrje ishte mbresëlënëse sesi e admironit punën e kryebashkiakut tashmë të shkarkuar. Por është shumë kontradiktore që sot vini dhe e shkarkoni Erion Veliajn. Ne kërkesën për shkarkimin e Veliajt e kemi që në Maj dhe kjo gjë është me vonesë. Nëse ne do ta kishim marrë këtë vendim që po marrim sot, punët e Bashkisë do te ishin ndryshe.
Bashkia do t’i shërbente qytetarëve, nuk do ti shërbente oligarkëve apo drejtorëve të 5D dhe inceneratorit. Po ju prej 7 muajsh, ju e zvarritet këtë gjë. Më vjen keq që nuk ishit ju si kryetare e Këshillit Bashkiak, por më duhet ta them që të gjithë ata që e mbrojtën dhe admiruar ish-kryetarin e Bashkisë, sot po i bëni vdekjen politike. Kështu që faleminderit dhe me kënaqësi do të votojmë shkarkimin e tij”, tha ai
Këshilltari demokrat në Bashkinë e Tiranës, Jonathan Pano, tha se kryeqyteti po vuan prej 12 vitesh, dhe jo prej muajit shkurt kur dhe u arrestua Erion Veliaj.
“Jam shumë dakord që Tirana po vuan. Nuk kishte nevojë për një drejtues që nga Shkurti? Nuk po vuan vetëm këto 7 muaj, ka 12 vjet që po vuan. Kam kërkuar të shtohet në rend dite edhe miratimi i bonusit të qirasë. Po bëni çdo gjë sa mos preket qëllimi parësor, aksioma e pushtetit”, tha ndër të tjera Jonathan Pano.
Avokati Genc Gjokutaj, i cili është pjesë e Këshillit Bashkiak të Tiranës në kampin opozitar, tha sot në seancën e thirrur për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, se këshilltarët socialistë po votojnë pro kësaj iniciative jo sepse duhet, por sepse po veprojnë si kukulla me fije të kontrolluara nga kryeministri Edi Rama.
“Dhe dua ta sjell në vëmendjen tuaj pavarësisht se bëni dallim e deklaroni të votojmë pro propozimit, por nga pikëpamja ligjore nuk është pika c nenit 62 sepse Veliaj nuk mungon për shkak të vullnetit të tij, gjë që nuk afekton mandatin e tij, por interesi publik na kërkon që ta bëjmë këtë oportunitet. Është rast unikal dhe i pari që një kryetar ndodhet në këto kushte. Dua ta vë në dukjen tuaj sigurisht që ju do mundoheni ta relativizoni vendimin e Veliajt, por respekti që keni për të është aq sa nuk pranuat të vij të flasë. Votimi jonë pro është njëjtë në formë me votimin tuaj, por ndryshon katërcipërisht në përmbajtje: ju doni ta shkarkoni Veliajn se zbatoni udhëra politike, ndërsa vota jonë pro është për interesin e qytetarëve",- tha Gjokutaj.
Këshilltarja opozitare, Enriketa Papa në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt tha se kryebashkiaku duhej të dëgjohej në mbledhje. Papa u shpreh se sekretari i Këshillit Bashkiak nuk mund të flasë në emër të këshilltarëve, referuar replikave me letra që ai ka zhvilluar, ku pavarësisht se pjesëmarrja e Veliajt nuk u hodh në votim, sekretari i tha që të dërgojë pretendimet e tij me shkrim.
Edhe nëse jo fizikisht, Papa tha se Veliajn duhej të dëgjohej qoftë edhe online, ndërsa këshilltarët socialistë i pyeti përse kanë frikë nga fjala e Veliajt.
“Kjo është lojë që nuk shkon, sekretari të mos flasë në emër të këshillit, ne nuk jemi pyetur, nuk jemi mbledhur, ka disa kërkesa për të mbledhur kryesinë që kur doli lajmi se do mbahet mbledhja e këshillit. Sot jemi më Diellën e famshme, është mundësia online ta dëgjojmë kryebashkiakun, të vëmë precedentin për ta dëgjuar. Përse trembemi? I kemi të gjitha mundësitë”, u shpreh Papa.
Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani ka deklaruar gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës, se shkarkimi i Veliajt, nuk është një ditë triumfi për kryeqytetin, por vendosje e interesit qytetar mbi atë të kryetarit të Bashkisë.
Më tej ai tha se me shkarkimin e Veliajt, duhet mësuar se herët ose vonë, ajo që është e drejtë do të ndodhi.
“E para në lidhje me kërkesën që në kemi sjellë. Ne kemi sjellje kërkesën për shkarkimin e Veliajt në 26 shkurt të këtij viti dhe është injoruar për disa muaj nga ju. Sot nuk e shoh si ditë triumfi, por interesi qytetarë është mbi hallin e kryetarit të Bashkisë. Unë nuk e di nëse Erion Veliaj është fajtor, por i ka humbur moralin, pasi duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur shkoj në burg, Duhet ta kishe dhënë dorëheqjen në maj, kur përfunduan afatet, apo në Korrik kur vendosi Gjykata Kushtetuese mbi rastin e tij.
Para se të votojmë shkarkimin e Erion Veliajt, duhet ti kërkojmë falje qytetarëve që i kemi humbur 7 muaj. Pastaj më vjen mirë që po vijnë në këtë vendim, pasi është më mirë vonë sesa kurrë. Prandaj unë iu ftoj të gjithëve që të votojmë shkarkimin e Veliajt, por jo pa mësuar diçka nga kjo çështje. Herët ose vonë, ajo që është e drejtë do të ndodhi”, tha Shabani.
Gjatë fjalës së saj në Këshillin Bashkiak, këshilltarja e Lëvizjes Bashkë Mirela Ruko, ka deklaruar se është pro shkarkimit të Erion Veliajt.
Ndërsa më tej ajo akuzoi këshilltarët Bashkiak se janë bashkëpunëtorë të Erion Veliajt.
“Në fakt kryetari në detyrë ka diçka për të thënë, duhet të ishte para drejtësisë dhe të fliste për bashkëpunëtorët e tij. Kjo do të ishte e mira e tij e vetme për Tiranën. Ajo që dua të shtoj për këtë mbledhje jam pro shkarkimit të Veliajt, e kam kërkuar në krye të herës që në momentin kur akuzohej, ajo që më çudit është pse nuk ka diskutim në këtë mbledhje sa i përket këshilltarëve të PS që e kanë mbështetur Veliajn për çdo propozim që ka bërë në këtë këshill. Kanë qenë noteri që kanë mbështetur gjithçka.
Nga ky pozicion që qytetarët e Tiranës më kanë besuar, dua të bëj me dije se kjo është një nga ato mbledhja shembull të këshillit bashkiak ku këshilltarët flasin, nuk u ndërpritet fjala, ku ka media në mbledhje. Mendoj që qytetarët e Tiranës paguajnë kot për këshillin bashkiak ndërkohë që ky këtu nuk diskutohet dhe nuk çohen para çështjet e këshilltarëve. Ai që duhet të mbajë përgjegjësi është edhe kryeministri Edi Rama meqë ju ka bërë zgjatim të pushtetit të tij, duke ju kërkuar se çfarë duhet të veproni dhe mendoni, atëherë pse nuk mban po ashtu përgjegjësi për një kryetar bashkiak të akuzuar për korrupsion”, tha Ruko.
Këshilltari bashkiak në Tiranë, Luan Bregasi, në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e kryebashkiakut, tha se nuk po i bëhet gjyqi Erion Veliajt.
Sipas tij, kjo është një mbledhje normale për raportin e Veliajt me Këshillin Bashkiak.
“Duhet konsideruar një mbledhje normale, rend dite, nuk duhet menduar se po bëhet një gjyq. Gjyqin Erion Veliajt do ja bëjnë institucionet gjyqësore. Ky akt që ne bëjmë sot është normal në kuptimin e një raporti që ka kryetari i një bashkie me një këshill bashkiak. Është raport ligjor. Opozita mund të ketë të drejtën që i erdhi rasti tani, mund ta bëni, por ne nuk po i bëjmë gjyq Erion Veliajt. Për këtë shkak po e bëjmë këtë gjë se besojmë te institucionet e drejtësisë. Para 3 muajsh nuk ishim dakord sepse nuk do kuptonim cila do ishte ecuria e Erion Veliajt dhe ecuria e punëve të bashkisë", tha Luan Bregasi.
Këshilltarja e PD, Ilda Zhulali foli në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës ku po diskutohet shkarkimi i Erion Veliajt. Zhulali tha se PS nuk e lejoi të merrte pjesë në mbledhje, ndërsa po hidhte akuza ndaj kryebashkiakut.
Kryetarja e Këshillit, Megi Fino i ndërpreu fjalën duke thënë se është jashtë objektit.
Zhulali: Veliaj është gjallë, nuk ndodhet sepse ju nuk e lejuat dhe duhet sikur po i përgatisni një ceremoni funebre. Ju ja mohuat, jam e kënaqur që sot mori shijen e gjellës që ka gatuar ndër vite, këtë gjellë që ia gatuat ju sot, ta provojë Veliaj nga qelia ku është dhe nëse na ndjek e përshëndesim. Vendimi që keni sjellë është i vonuar dhe i paplotë. Veliaj duhet të ishte shkarkuar nga detyra që në 2023, kur padrejtësisht mori detyrën. Veliaj duhet shkarkuar për shkelje të rënda të ligjit, duke shkelur ligjin për inceneratorin, vepër që s’u ndërtua kurrë për të cilin kemi paguar qindra milionë euro. Veliaj duhet të ishte shkarkuar për shkak të aferës 5D, dosje e zezë e korrupsionit formulë mashtrimi i ndërtuar nga Veliaj dhe drejtorët.
Fino: Fjala juaj është jashtë objektit dhe projektvendimit në fjalë.

Gazment Paja, Aldo Merkoci, Joleza Koka janë 3 këshilltarët socialistë që mungojnë në mbledhjen për shkarkimin e Erion Veliajt.
Ka nisur mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku pritet të kërkohet shkarkimi i kryebashkiakut Erion Veliaj. Mbledhja u hap nga Megi Fino, kryetare e Këshillit Bashkiak, e cila tha se vendimi që do të merret sot është imponuar nga nevoja urgjente e Tiranës për të pasur një drejtues në krye të punëve. Por, në fjalën hapëse ajo nuk la pa vlerësuar punën e Veliajt në krye të bashkisë së kryeqytetit, duke e cilësuar transformuese.
"...kujtojmë të gjithë se ishte tetori në 2015 kur Erion Veliaj nisi transformimin e Tiranës pas agonisë së kryebashkiut të mëparshëm, ishim dëshmitarë të transformimit. Nuk është rastësore që qytetarët e Tiranës i kanë rinovuar besimin tre herë. Sot është dita të marrim një vendim për qytetarët e Tiranës. Dua të nënvizoj me forcë që ky hap po imponohet nga nevoja urgjente për të ecur… Sot ne po kryejmë detyrimin politik dhe moral për të zgjidhur ngërçin politik të Tiranës. Ne sot kemi vetëm një pikë në rendin e ditës, projektvendimim për shkarkimin kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj…",- u shpreh Fino.
Sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Behar Zeneli i është përgjigjur sërish Erion Veliajt, pas letrës së tij një ditë më parë, ku kërkonte që të hidhej në votim prania e tij në mbledhje. Në letrën që i ka dërguar Veliajt në qeli, sekretari i Këshillit Bashkiak i thotë kryebashkiakut se nuk ka asnjë vendim për ndalimin e prezencës së tij mbledhje.
Por në fakt, duke si një lojë fjalësh, pasi vetë Veliaj tha se nuk është infromuar zyrtarisht për mbledhjen dhe për rendin e ditës, ku do të diskutohet për shkarkimin e tij. Në këto kushte, teksa priste që të votohej prania e tij, ekipi ligjor i Veliajt as nuk dërgoi kërkese tek Burgjet për të marrë leje.
“I nderuar Kryetar, Në vijim të shkresës Tuaj nr. 32059/3 prot., datë 22.09.2025, sjellim në vëmendje se nga ana e Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë vendim për ndalimin e prezencës Tuaj në këtë mbledhje dhe që do të çon kërkesën Tuaj për t’u njohur, për t’u dëgjuar, për t’u mbrojtur dhe për t’u dhënë sqarime në Mbledhjen e Këshillit Bashkiak Tiranë, e cila do të zhvillohet ditën e martë, datë 23.09.2025, ora 16:00.
Sa më sipër, ri përsërisim se në vijim të kërkesës Suaj për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutem që observacionet Tuaja t’i nisni me shkrim pranë Këshillit në mënyrë që të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje”, shkruhet në letër.


Erion Veliaj nuk do të jetë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës në mbledhjen e sotme të orës 16:00.
Komisioni i Çështjeve Ligjore i Këshillit Bashkiak të Tiranës rrëzoi kërkesën e Veliajt që të ishte i pranishëm në këtë mbledhje, ku do të votohet për shkarkimin e tij si kryebashkiak.
Veliaj ka kërkuar që të dëgjohet në këtë mbledhje, mirëpo ai nuk do të jetë i pranishëm.
Por çfarë thotë Gjykata Kushtetuese në rastet kur titullari nuk është i pranishëm për t’u dëgjuar në seancën ku votohet shkarkimi i tij?
Për këtë ekziston precedenti i ish-kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Zef Hila, që në vitin 2021 Kushtetuesja e konsideroi të paligjshme vendimin e Këshillit të Ministrave për ta shkarkuar me argumentin se është shkelur e drejta e Zef Hilës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar.
“Çdo organ i pushtetit publik, gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues e ligjor, është i detyruar të respektojë standardet e gjithëpranuara demokratike, të cilat kanë gjetur pasqyrimin e tyre në Kushtetutë. Njohja paraprake e personit, ndaj të cilit kërkohet të merret masa e shkarkimit, me materialet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi, respektimi i së drejtës për t’u dëgjuar dhe mbrojtur, si me anën e dhënies së sqarimeve paraprake, ashtu edhe gjatë shqyrtimit të çështjes, janë disa nga elementet bazë që garantojnë të drejtën kushtetuese të cilitdo për një proces të rregullt, si një e drejtë themelore”, thuhet në argumentimin e Kushtetueses në vitin 2021 për çështjen e Zef Hilës.
Veliaj ka paralajmëruar më herët se shkarkimin e tij, nëse ndodh, do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Këshilli Bashkiak i Tiranës në 16:00 do të vendosë për shkarkimin e Veliajt. Pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve në Bashki, këshilltari i Partisë Demokratike, Dorian Teliti theksoi edhe njëherë qëndrimin e opozitës.
Teliti u shpreh se do ti bashkojnë votat për shkarkimin e Veliajt, por ata këmbëngulin që kryebashkiaku duhet të dëgjohet. Teliti këmbëngul që procesi duhet të jetë i ligjshëm.
“PS i duhej 7 muaj kohë për kuptuar që Tirana nuk po funksionon, që Tirana është e papastër. Qëndrimi i PD dhe aleatëve ka qenë dhe mbetet një orë e më parë shkarkimi, kemi kërkuar që ky akt të jetë i ligjshëm, në mënyrë që propozimi të mos kthehet nesër si instrument në duart e Veliaj për tu kthyer me vendim të Gjykatës Administrative në krye të detyrës. Vendimmarrja e njëanshme që është marrë nga PS, ndërkohë që propozomi i opozitës ishte për të pasqyruar atë projektvendim edhe me shkelje të tjera. Na u mohua në Këshilli duke e lënë të thatë vendimmarrjen.
Ne kërkuam që e drejta, edhe një e të burg të përjetë të dëgjohet, jo më e kryetarit. Fakti që PS insistoi të mos dëgjohet, do jetë nesër një instrument ligjor e Veliajt për të fituar gjyqin. Është e drejta ligjore që të dëgjohet, siç është e drejta jonë t’ia themi në fryrë korrupsionin e tij, s’duam t’ia themi me korrespondenca mediatike, por t’ia themi aty në sallë. Duam që ta zhveshim nga çdo instrument që ta përdorë nesër që ta quajë nul këtë vendim thjeshtë për faktin se nuk e kemi dëgjuar atë. Largimi i tij ka qenë objektivi ynë politik, sot erdhi dita dhe do ta miratojmë, por duam që procedura të jetë e saktë, ti mbyllim derën të kthehet me vendim këtu dhe të mos paguajmë më vendim të Strasburgut, para nga taksat tona, për të paguar dëmshpërblim se nuk e dëgjuam 20 minuta siç e ka ia të drejtën. Do ta kërkojmë edhe në mbledhje të Këshillit që ta dëgjojmë dhe të respektohet procedura”, tha Dorian Teliti.
Këshilltari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Endri Shabani ka folur pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve në Bashki, ku u fut në rend dite pika për shkarkimin e Erion Veliajt në mbledhjen e Këshillit që do të mbahet po sot në orën 16:00. Shabani tha për mediat se PS është vonuar për këtë kërkese, duke thënë se opozita e ka kërkuar prej kohësh. Pyetjeve të gazetarëve nëse u diskutua për kërkesën e Veliajt që të jetë i pranishëm në mbledhje, Shabani tha se nuk pati dakordësi, por sipas tij nuk ka përse të dëgjohet.
“Ligji është i qartë, pas 3 muajsh Këshilli Bashkiak i propozon Këshillit të Ministrave shkarkimin e tij. Pati një lloj debati se nuk janë përfshirë kërkesat e opozitës, unë jam përjashtuar nga mbledhja për këtë kërkesë, sot i erdhën mendtë anëtarëve të PS dhe po e votojnë. Është më mirë vonë se kurrë. U diskutua, nuk pati dakordësi. Ata thonin lë te vijë në çdo kohë, por e pengon prokuroria. S’ka ca të dëgjohet më se është fakt publik, Veliaj nga kjo zyrë këtu u arrestua më 10 shkurt. Nuk ka për çfarë të dëgjohet, është në kushtet kur duhej të kishte dhënë dorëheqjen për interesin publik. Këshilli i Ministrave duhet të marrë vendim për shkarkimin dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, tha Shabani.
Komente











Sa turp per PS! Sa turp per Edi Ramen! Turp shume turp! me vjen turp qe e votova. U rreshtua gjithe shteti, Belinda e prokuroria e Ulziu, e Tatime, Dogana, me gjet horrliqe te breket e gruas, kur ketu bohet nomi me rruge me tendera
PërgjigjuCfare dreqin po ndodh..... .
Përgjigjue more lali, te tradhetuan dhe shoket e idealit, ata qe ti i bere keshilltare bashkiake dhe moren privilegje dhe poste ne qeveri dhe institucione drejtuese. sikur lexova qe dhe Endri Fuga kishte votuar per ty nga mergimi i larget ku ndodhet. e vertete eshte kjo? jam i sugurt qe ti do te kthehesh si Konti i Montechristos, shpagimi nuk do vonoje.
Përgjigju