Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi vendet anëtare të BE-së miratuan dje qëndrimin e përbashkët për avancimin e Shqipërisë në një fazë të re të bisedimeve për anëtarësim.
Në reagimin e publikuar, Rama sulmoi opozitën dhe kritikët e procesit të integrimit, duke deklaruar se pretendimet për bllokimin e negociatave dhe “ndëshkimin” e Shqipërisë rezultuan të pavërteta.
Kryeministri theksoi se më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të vulosë me sukses fazën hyrëse dhe do të çelë fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit.
Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
Thanë negociatat u bllokuan.
Thanë Shqipëria u ndëshkua.
Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua.
U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje.
Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi
Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri - BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton
Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE
Urime të gjithëve e mbi të gjitha faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje, që na beson e na mbështet në rrugën e këtij misioni historik
Forca Shqipëria
Grupi i punës për Zgjerimin, COELA i ka dhënë dritën jeshile IBAR-it, raporti i Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme për progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për një draft të përbashkët, i cili pritet të kalojë sot në COREPER, mbledhja e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.
lajm në përditësim...
Komente








