TIRANE- Këshilli i Ministrave vendos të japë shpërblimin e fundvitit për pensionistët. Lajmi është dhënë nga ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj. Ajo tha se pensionistët do të përfitojnë 3 mijë lekë shpërblim me rastin e festave, para të cilat u morën nga kursimet e shtetit.

"Jepet bonusi për pensionistët 3 mijë lekë. 663 mijë qytetarë përfitojnë 3 minë lekë shpërblim 20 miliardë lekë per rindertimin e banesave, ne po konsolidojmë masat që mund të marrim paraprakisht. Fondin për pensionistët e morëm nga kursimet", u shpreh Denaj.

Vendimi për dhënien e shpërblimeve për pensionistët u mor në 'minutat e fundit', një ditë para festës së Krishtlindjes, pas shumë konsultimeve në kabinetin qeveritar, duke pasur parasysh situatën financiare ku ndodhet vendi pas dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit.

Vlera e këtij fondi që do të shkojë për bonusin e kategorive të cilat marrin pension arrin në 2.4 miliardë lekë. Vendimi për të dhënë shpërblimin e fundvitit sjell edhe aktin e dytë normativ për vitin 2019 lidhur me buxhetin e shtetit. Ky akt normativ tashmë do të kalojë në Komisione dhe Parlament në vitin 2020

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:07
Pasojat e tërmetit/ Nis nesër në terren identifikimi i bizneseve të prekura

Nga nesër do të nisë në terren identifikimi i të gjitha bizneseve të prekura nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se do të hartohet një plan masash në funksion të rimëkëmbjes së biznesit. “Në buxhetin e vitit 2020 janë 20 miliardë lekë për rindërtimin. Ministri i Shtetit për Rindërtimin është duke konsoliduar një plan gjithë përfshirës. Nuk mendojmë se falja e disa gjobave apo penaliteteve do të ishte praktika më e mirë e ndjekur për të mbështetur biznesin në këtë situatë. Do të monitorojmë situatën për të parë se çfarë plani masash mund të ndërmarrim në funksion të rimëkëmbjes dhe jo vetëm të faljes së penaliteteve”, – tha Denaj.

Ministrja informoi se për të hartuar një plan të tillë masash ka vendosur kontakt me dhomat e tregtisë, duke i ftuar ato të sjellin propozimet e tyre. Ndërsa zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen informoi se nesër nis në terren me ekspertë të Institutit të Statistikave për të bërë një anketim të detajuar të gjitha atyre bizneseve që kanë patur një impakt të drejtpërdrejt negativ nga tërmeti. “Flasim jo vetëm për dëmet që janë shkaktuar në ndërmarrje, por edhe humbjet e të ardhurave të munguara gjatë kësaj periudhe, qoftë edhe inventarë të shkatërruar, dëmet apo humbjet nga punonjës të munguar, për të patur atë faturë financiare që është e nevojshme dhe më pas për të dizenjuar ato masa për të mbështetur këto biznese”, -u shpreh Sorensen. Ndërsa zëvendësministri Elton Haxhi informoi se dëmet e konstatuara si pasojë e fatkeqësisë natyrore në inventar apo në aktive afatgjata do të konsiderohen shpenzime të zbritëshme përtej kufinjve që janë përcaktuar në legjislacionin aktual tatimor

Ora 13:56
Braçe: Paguajmë darkën e Vitit të Ri për 663.227 pensionistë! E di që nuk janë shumë, Rama dhe Denaj nuk e vunë kurrë në diskutim

1577192457_pensionistet.jpg

Zv. kryeministri Erion Braçe ka radhitur në një postim në rrjetet sociale të gjitha shtresat e pensionistëve që do të përfitojnë shpërblimin për festat e fundvitit. Braçe thotë se kryeministri dhe ministrja e financave nuk e kanë vënë kurrë në dyshim dhënien e shpërblimit.

"Paguajmë darkën e Vitit të Ri për 663.227 pensionistë. Qeveria vendosi sot që, 530.364 pensionistë në pension pleqërie, 67.754 pensionistë në pension invaliditeti, 49.849 pensionistë në pension familjar, 13.260 pensionistë në pension social, pension apo trajtim të veçantë financiar si minatorë, punonjës së ish ndërmarrjeve ushtarake dhe ushtarakë në pension të parakohshëm, shpërblehen me 2.4 miliardë lekë! Çdo pensionist do shpërblehet me 30 mijë lekë, një çift pensionistesh me 60 mijë lekë! E di që nuk janë shumë, fare, por në situatën më të vështirë të mundshme, kryeministri e ministrja e Financave kurrë nuk e vunë ne diskutim këtë pagesë për fjalëpaktët e punëshumtët e zakonshëm që sot janë në pension!", shkruan Zv.kryeministri Erion Braçe në rrjetin social Instagram.