Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk mund të marrë më vendime, derisa të zgjidhen anëtarët e rinj. Nga 9 anëtarë që ka këshilli në total, 6 prej tyre janë me mandat të mbaruar. Luljeta Minxhozi anëtare dhe zëvendësguvernatore e parë, Suela Popa, Edlira Luçi, Ridvan Bode, Artan Hoxha dhe Violeta Staka, që janë emëruar në vitin 2018, aktualisht janë pa mandat.

Kuvendi ka shpallur 3 vakanca, për të cilat nisi këtë të hënë edhe seancat dëgjimore me kandidatët e vetë ofruar, ndërsa 3 propozime për vakancat e tjera do të bëhen nga qeveria.

Janë 20 kandidatë që kanë hyrë në garë për të fituar statusin e anëtarit të Këshillit mbikëqyrës, mes tyre edhe 3 nga anëtarët aktualë që kërkojnë një mandat të dytë, Violeta Staka, Luljeta Minxhozi e Artan Hoxha. Ndërkohë në garë për të hyrë në Këshill është edhe ish kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj.

9 kandidaturat që u dëgjuan këtë të hënë, u përqendruan më shumti tek roli i bankës qendrore në ekonomi, mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e mbikëqyrjes përmes AI, nxitjen e kreditimit, teksa vlerësuan sjelljen e deritanishme të bankës në kursin e këmbimit. Në fokus të 9 anëtarëve që kërkuan besimin për tu bërë pjesë e Këshillit Mbikëqyrës, ishte edhe rëndësia e ruajtjes së pavarësisë së institucionit.

Kandidatë për Këshillin Mbikëqyrës në BSH

1.         Znj. Adela Karapici

2.         Z. Saimir Mucmataj

3.         Z. Arben Zibri

4.         Znj. Matilda Shehu

5.         Znj. Eni Xheko 

6.         Z. Emis Cerava

7.         Znj. Erjona Bejleri

8.         Znj. Fatmira Kola

9.         Z. Aleksandër Cavo

Kurse në seancën tjetër dëgjimore, do të prezatojnë platformat e tyre 10 kandidatura.

* Artan Hoxha,

* Elton Korbi,

* Holta Zaçaj,

* Ingrid Konomi,

* Liljana Mamadhaj

* Luljeta Minxhozi,

* Merita Bejtja,

* Pajtim Melani,

* Selami Xhepa,

* Violeta Staka.

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, ku pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi, 3 anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një nga Këshilli Mbikëqyrës. Aktualisht të vetmit anëtarë që kanë mandat janë guvernatori Gent Sejko, zëvendësguvernatorja Natasha Ahmetaj dhe Anastas Angjeli.