Detajet surprizë u bënë të ditura ditën e djeshme, gjatë promovimit të librit të tij ditar për vitet me Tony Blair, një botim i Universitetit Evropian të Tiranës, në ambientet e Hotel Tirana International.
Në praninë e kreut të PS Edi Rama dhe shumë deputetëve socialistë, pedagogëve, gazetarëve, ambasadorit anglez në Tiranë, Alaistar Campbell tregoi disa nga detajet sesi ishte njohur me Endri Fugën, drejtor i komunikimit në PS dhe pse e konsideronte atë një “spin doctor” në fushatën aktuale të liderit socialist.
Alastair Campbell, pranoi në një farë mënyre gjatë fjalës së tij, se kishte takuar Endrin, pas një mesazhi që ky i fundit i kishte dërguar në faqen e tij në facebook. I kishte treguar për pozicionin, dhe kishte shprehur dëshirën për të pirë një kafe. Gjithçka ishte realizuar në një kohë të shkurtër dhe po ashtu, bashkëpunimi mes Ramës dhe Campbell, kishte marrë një rrugë pa kthim.
SI ERDHI AFËR PS
Ishte vjeshta e vitit 2012 kur ish ambasadorja britanike Fiona McMillan shtroi një darkë me disa analistë në rezidencën e saj, ku ishin të ftuar shumë pak drejtues mediash, në një ambient ku do të diskutohej për politikën me ish zëdhënësin e Tony Blair Alastair Campbell.
Në atë darkë, ishte Henri Çili, botues i gazetës Mapo, Blendi Fevziu, drejtues i emisionit Opinion në TV Klan, Sokol Balla, drejtues i emisionit Top Story në Top Channel, Anila Basha, drejtoreshë e gazetës shqiptarja.com, Ilva Tare, drejtuese e emisionit Tonight në Ora Neës, Skënder Minxhozi, drejtues i Revistës Java.
Gjatë asaj darke informale, Alastair Campbell po pyeste drejtuesit e medias se cili ishte trendy politik në Shqipëri, dhe po ashtu, shprehu shumë habi për deklaratat e kryeministrit Sali Berisha për familjen e Edi Ramës në Parlament, e më së shumti akuzat kundrejt nënës së tij Aneta Rama, por edhe ndaj të atit Kristaq Rama.
Darka zgjati më shumë se tre orë. Alastair interesohej, pyeste dhe kërkonte të kuptonte se çfarë po ndodhte në Shqipëri. Kërkesa e Endri Fugës së PS i ishte bërë në facebook, por ai kishte lënë një kafe, dhe ende nuk kishte kthyer përgjigje. E pas kësaj, duket se ajo kafe e fiksuar në Rogner, por që vazhdoi edhe më pas, u bë pikënisja e udhëtimit të ish zëdhënësit të Tony Blair, në këshillat e tij për fushatën e Edi Ramës për zgjedhjet e vitit 2013.
DJE KONFIRMIMI
Henri Çili duket se nuk donte ta mbante për vete shpalljen e këtij afrimi të Campbell me Edi Ramën. Ia faturoi këto fjalë gazetares Ilva Tare, e cila në fakt, ka bërë një parathënie për librin e Alastair. Vetë ish zëdhënësi i Tony Blair, nuk e mohoi atë që dëgjoi nga dy gazetarët Çili e Tare. Edi Rama, e shoqëroi me buzëqeshje gjithë këtë “skenë” e përfundimisht u konfirmua se çfarë po ndodhte.
Kishte kohë që Alastair Campbell rrinte në zyrat e PS. Shumë shpesh pyeste edhe funksionarë të ndryshëm sesi do të donin ta shihnin Edi Ramën. Pjesa më e madhe e tyre, sipas informacioneve, i kishin kërkuar Edi Ramën e 8 viteve më parë, plot pasion dhe energji, të moderuar në fakt me Edi Ramën lider të PS më vonë se kaq.
Dhe pas kësaj, duket se edhe sugjerimet e fjalës së Ramës në konventën e PS, ku ai u kthye në “identitet” kanë qenë sugjerimet e Alaistar Campbell. Ecejaket e këtij të fundit, nga Londra drejt Tiranës ishin bërë tashmë më të shpeshta, ndërkohë që një pjesë e mirë e lidhjeve që po vendosen me Laburistët dhe Londrën, kanë autorësinë e tij.
Po ashtu, edhe për pjesën më të madhe të sondazheve, që vijnë nga grupi laburist. Ndërkohë që nuk konfirmohet asgjë për pagesën e ish zëdhënësit të Tony Blair, apo edhe për faktin, nëse ai do të jetë i vendosur për një kohë të gjatë në Shqipëri deri në zgjedhje. Ajo që konfirmohet është fakti se gjatë këtyre dy ditëve që do të jetë në Tiranë, takimet e tij me Ramën janë edhe më të shpeshta. An.ba
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)26.02.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)