Kevin, lulet dhe shokët e tij në Tiranë

Kevin, lulet dhe shokët e tij në Tiranë

Kevin shet lule në Tiranë

Puna e gazetarëve është e pazëvendësueshme për të sjellë në vëmendjen e të gjithëve histori, ngjarje, fakte që ndryshe do të mbeten të panjohura. Sidomos në kohët e sotme, kur të gjithë vrapojnë për të arritur ndonjë gjë dhe pakkush ndalon për të dëgjuar. Gazetarët, edhe pse shpeshherë në sipërfaqe, arrijnë të sjellin shumëllojshëri të aspekteve të jetës sonë.

Si historia e Kevin, djaloshi 11 vjeçar që shet lule në rrugët e Tiranës për të ndihmuar familjen. Janë fare pak minuta intervistë me të në Report TV, por në ato pak minuta Kevin na tregon se gjithësesi bota e tij është e rëndësishme. Eshtë nxënës i mirë në shkollë, merr nënta e dhjeta dhe siç e thotë ai vetë “... ndonjëherë edhe ndonjë tetë sepse nuk jam shumë i përqëndruar”. Kevin i vogël jep leksione prej një të madhi, pasi e ka kuptuar që tani dhe e thotë pa asnjë kompleks se kur nuk ka arritur një notë të lartë faji është i tij, ka ndodhur “sepse nuk përqëndrohet”. Ai nuk fajëson as mësuesit, as prindërit dhe as jetën e tij të vështirë.

Mamaja punon si pastruese dhe babi si ndihmës pompist dhe duket se të ardhurat e prindërve nuk janë të mjaftueshme për një jetë më të rehatshme, por edhe për këtë Kevin e ka një zgjidhje: Askush nuk më thotë të dal e të shes, por e ndjej se duhet të ndihmoj, “duhet ta bëj” thotë i sigurtë ai.

Për specialistët, sociologët, institucionet, moralistët e ndryshëm, dalja e fëmijëve për të shitur në rrugë shihet vetëm si një problem që “turpëron shoqërinë”, apo “është rrezik për aksidente rrugore”, apo se “sipas ligjit, fëmijët nuk duhet të punojnë”. Të gjithë do t’i hidheshin përsipër Kevinit ta ndalonin, ta bllokonin. Pakkush shkon përtej, të trokasë në shtëpinë e tij, Ilirit, apo të tjerëve dhjetëvjeçarë apo më të vegjël, që shtrëngohen të punojnë për të ndihmuar familjen e tyre në vështirësi, pakkush shkon të zgjidhë problemin duke trokitur në ato dyer si fillim.

Prandaj, fëmijë shqiptarë duket se e marrin në dorë fatin e jetës së tyre që herët, si Kevin, i cili iu është mirënjohës edhe shokëve të klasës që nuk e shajnë, apo kritikojnë, apo tallin sepse del aq i vogël të shesë në rrugë. Atij nuk i vjen turp për punën që bën pas shkollës apo në fundjavë; i vjen keq, vetëm se nuk do të duhej të dilte aq i vogël, por e ndjen që duhet ta bëjë.

Sa herë që shohim një fëmijë të punojë, të dalë në rrugë për të siguruar të ardhura për familjen, më shumë se për ta duhet të na vijë keq për veten pasi si të rritur, kemi dështuar ta bëjmë një vend si Shqipëria të rehatshëm për këdo, për fëmijët sidomos.

a.m./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën