KIEV, 3 shtator /ATSH-AFP/ - Kryeministri ukrainas, Arseni Jaceniuk hodhi poshtë planin për zgjidhjen e konfliktit në lindjen separatiste proruse në Ukrainë, paraqitur sot nga presidenti rus, Vladimir Putin duke shtuar se bëhej falë për "sharlatanizëm", për të shmangur sanksionet perëndimore.
"Ky plan i ri është për t'i hedhur hi syve komunitetit ndërkombëtar para samitit të NATO-s dhe një përpjekje për t'i shpëtuar vendimeve të pashmangshme të Bashkimit Evropian në kuadër të sanksioneve të reja kundër Rusisë", deklaroi Jaceniuk në një komunikatë.
Kryeministri ukrainas shtoi se të gjitha marrëveshjet e mëparshme me Rusinë, në Gjenevë, në Normandi , në Berlin dhe në Minsk janë injoruar dhe shkelur nga regjimi rus.
"Plani më i mirë për t'i dhënë fund luftës përmblidhet në një pikë të vetme, që Rusia të tërheqë nga territori ukraianas ushtrinë e saj, mercenarët dhe terroristët. Atëherë do të ketë paqe në Ukrainë", shtoi kryeministri.
Presidenti rus, Vladimir Putin paraqiti sot një plan prej shtatë pikash për zgjidhjen e krizës në Ukrainë duke shpresuar për një marrëveshje përfundimtare mes Kievit dhe rebelëve prorusë.
"Kam projektuar disa ide, një plan veprimi përsa i përket zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë". deklaroi Putin, në diskutimet e tij, transmetuar nga stacioni televiziv "Rossia 24", gjatë zhvillimit të një vizite në Mongoli.
Sipas presidentit rus, "duhet para së gjithash t'i japim fund operacioneve ushatarake në rajonet e Donetskut dhe Luganskut, si nga ushtria ukrainase ashtu dhe rebelët".
Putin propozoi gjithashtu një tërheqje të forcave të armatosura ukrainase në një distancë të mjaftueshme për eliminimin e të shtënave të artilerisë kundër rajoneve pranë zonës së konfliktit, për vendosjen e një kontrolli ndërkombëtar për aplikimin e një armëpushimi të ardhshëm dhe për të hequr dorë nga përdorimi i forcave ajrore kundër civilëve.
Tre pikat e tjera janë një shkëmbim i të burgosurve të luftës, pa kushte paraprake, hapja e korridoreve humanitare për refugjatët dhe livrimi i ndihmës humanitare në lindje të Ukrainës, si dhe dërgimi në këtë rajon i ekipeve të ngarkuara me rindërtimin e infrastrukturave të dëmtuara gjatë konfliktit./
/ec/  a.jor.