KIEV - Ukraina do të rishikojë detyrimet e saj të planit të paqes, që u shkel brutalisht nga zgjedhjet separatiste të ditës së djeshme, deklaroi sot presidenti ukrainas, Petro Poroshenko.
"Këto pseudozgjedhje janë një shkelje e rëndë e Protokollit të Minskut të 5 shtatorit mes Kievit dhe separatistëve", deklaroi Poroshenko në një fjalim drejtuar kombit.
"Unë premtoj se ne do të rishohim planveprimin e paqes për të hequr ligjin për statusin special të rajoneve rebele, i miratuar si pjesë e planit të paqes", theksoi ai.
Krerët rebelë në luftë me Kievin fituan dje pa shumë surpriza në zgjedhjet separatiste në lindje të Ukrainës, votime këto të cilësuara nga Perëndimi si një pengesë e re ndaj procesit të brishtë të paqes, por që njihen nga Rusia.
Votimet në territoret e kontrolluara nga luftëtarët prorusë, ose gjysma e rajonit të Donetskut dhe një pjesë e rajonit të Luganskut, konfirmuan në funksionet e tyre aktuale krerët rebelë që erdhën gjatë verës në krye të lëvizjeve separatiste në lindje të vendit.
Në Donetsk, "kryeministri" i republikës së vetëshpallur të Donetskut (DNR), Alexandre Zakhartchenko, u zgjodh "president" me 81,37 për qind të votave, sipas një sondazhi të realizuar pas hapjes së qendrave të votimit.
Në Lugansk, tjetër bastion i separatistëve, ish-ushtaraku 50-vjeçar, Igor Plotnitski, shumë i bashkuar më të kaluarën sovjetike, u zgjodh gjithashtu me 63 për qind të votave, sikurse edhe formacioni i tij politik që ka maxhorancën në "parlamentin" e Luganskut./ ATSH/