Kinë-BE/ Marrëveshje me kleçka dhe pikëpyetje

Kinë-BE/ Marrëveshje me kleçka dhe pikëpyetje

Foto ilustruese

Pas shtatë vjet negociatash të vështira BE dhe Kina ranë dakord për një marrëveshje investimesh. Në bazë të saj firmat europiane duhet të kenë një akses më të mirë në tregun e Kinës. Por djalli fshihet në detaje.

Tani marrëveshja është konfirmuar edhe nga pala zyrtare. Bashkimi Europian (BE) dhe Kina pas shtatë vjet negociatash të vështira ranë dakord për një marrëveshje investimesh. „Sot ne kemi përmbyllur parimisht bisedimet me Kinën", bëri të ditur presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen në twitter. Përpara se të komunikonte këtë ajo ishte lidhur në një video-konferencë (30.12) me presidentin e Kinës dhe kreun e partisë  Xi Jinping, presidentin e Këshillit të BE-së Charles Michel dhe presidentin e Francës Emmanuel Macron e kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel. Qysh një ditë më parë nga qarqet e BE-së kishin dalë sinjale, se do të arrihet një ujdi për marrëveshjen me një emërtim të ndërlikuar "Comprehensive Agreement on Investment" (CAI). Kjo marrëveshje investimesh është deri tani vetëm një marrëveshje politike, por që përmban mjaft potencial shpërthyes ekonomik.

Kushte jo të barabarta

Ndryshe nga marrëveshja për tregtinë e lirë, në marrëveshjen e investimeve nuk bëhet fjalë për dogana, por për aksesin reciprok në tregje. Shoqata Federale e Industrisë Gjermane (BDI) e vlerësoi marrëveshjen, por paralajmëroi që të mos ketë prishshmëri të mëdha prej saj. Edhe me një marrëveshje të tillë investitorët „nuk përfitojnë një akses vërtetë të lirë në tregun e Kinës".

Ndërsa Shoqata e Tregtisë me Jashtë, BGA, e cilësoi marrëveshjen si „lajmi i mirë" i fundvitit. „Me kohë do të duhej të ishte shmangur asimetria e aksesit në tregje për investimet mes BE-së dhe Kinës", deklaroi preisidenti i BGA Anton Börner.

Jürgen Matthes nga Instituti i Ekonomisë gjermane në Këln, tërheq vëmendjen, se "Pozicioni fillestar nuk është i barabartë. Tregu i Kinës është shumë më i mbyllur, ndërsa në Europë kushdo mund të investojë i lirë. Ndaj qysh në krye të herës ishte e qartë, që Kina do të duhej të bënte më shumë lëshime se sa BE-ja, e kjo nuk mund të kremtohet tani si ndonjë sukses i veçantë", i tha Börner, Deutsche Welle-s.

Në disa sektorë firmat europiane për filiale të tyre në Republikën Popullore të Kinës duhet të  krijojnë një Joint Venture me një partner kinez e kësisoj të ndajnë me të edhe sekretet e biznesit të tyre. "Deri tani Kina në shumë sektorë ka bërë shumë premtime, por nuk e ka përmirësuar në praktikë as aksesin për firmat europiane dhe as mbrojtjen e pasurisë intelektuale – mbetet të shihet, nëse kjo marrëveshje tani do të përmbajë më shumë se sa vetëm premtime boshe", thotë Matthes.

Ende jo e vulosur përfundimisht

Deri tani informacionet që dihen janë të vakëta. Nga qarqet e BE-së thuhet, se BE tani do të ketë akses të përmirësuar në tregun kinez me 1.4 miliardë banorë. Këtu bëjnë pjesë edhe sektorët si energjia, shëndetësia, automjetet dhe ofertat cloud.  

Për të ndaluar vjedhjen e pasurisë intelektuale, krahas rregullave të qarta për herë të parë do të ketë edhe norma për sjelljen e sipërmarrjeve shtetërore kineze dhe më shumë transparencë tek subvencionet.

Këto bisedime përkohësisht ishin bllokuar për shkak të rasteve të punës së detyruar në Kinë. Problemet duket tashmë të jenë kapërcyer. Kina ka premtuar, se „do të bëjë përpjekje të vazhdueshme dhe konseguente" për ratifikimin e konventës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO. Krahas kësaj BE-ja do të zhvillojë në mënyrë autonome instrumenta në luftën kundër punës së detyruar.

Rezultatet e bisedimeve janë ndër më ambiciozet, që ka arritur ndonjëherë Kina me një vend të tretë, thuhet në qarqet e BE-së. Megjithatë është ende e paqartë, se çfarë ka qenë e gatshme të japë BE në këmbim. Sipas qarqeve në BE p.sh. çështja e rrjetit 5G nga prodhuesi kinez Huawei ishte përjashtuar nga bisedimet.

Krisje me SHBA?

Për Angela Merkel-in marrëveshja e investimeve ishte një sukses. Sepse pikërisht ajo ishte angazhuar vazhdimisht për këtë dhe e kishte vënë si qëllim të presidencës gjermane në BE, që përfundon më 31 dhjetor. Pikërisht në këtë sfond ka dhe një ndrojtje mos ndoshta kjo ujdi është arritur disi me nxitim tani. Kritikët tërheqin vëmendjen për garanci të mangëta prej Kinës lidhur me kodin e punës. Eurodeputeti ekologjist Bütikofer  i tha Radios Kombëtare Gjermane, DLF, se Komisioni i BE-së lidhur me këtë çështje është kënaqur prej fjalëve në erë. Po ashtu nuk është parashikuar mundësia e sanksioneve.

Ekspertët e marrëdhënieve transatlantike vërejnë, që me këtë marrëveshje BE-ja mund të krisë raportet me SHBA-në. Atje ndërkohë presidenti i ardhshëm Joe Biden është duke përpiluar strategjinë e tij ndaj Kinës. Këshilltari i tij i sigurisë marrëveshjen BE-Kinë e komentoi në twitter, se administrata amerikane „do t'i përshëndeste konsultimet e shpejta me partnerët europiane për shqetësimet tona të përbashkëta lidhur me praktikat ekonomike të Kinës". Kjo do të thotë: SHBA tani mund të jetë e pakënaqur nga nxitimi i BE-së.

Sidoqoftë edhe pas ujdisë politike të arritur parimisht, kjo marrëveshje ka ende nevojë të sqarohet, mësohet nga qarqet e BE-së. Ajo do të duhet më tej të ratifikohet. Pra ka ende kohë për rrahje të mendimeve politike, lojëra pushteti dhe një debat publik./ DW

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur